'Mbrojtja' ligj për disiplinimin e ushtarakëve, ndalohen fotot në rrjetet sociale, alkooli, bixhozi dhe falja me uniformë (Projektligji)

TIRANE-Ministria e Mbrojtjes kërkon disiplinimin e ushtarakëve nëpërmjet një ligji. Report Tv ka siguruar projektligjin. Ndëshkimet janë nga ulja e gradës, ulja e pagës e deri në përjashtim nga ushtria. Ushtarakëve nuk ju lejohet të postojnë në rrjetet sociale foto apo video personale apo të kolegëve me armatim ushtarak, simbole dhe mjete ushtarake. Nuk ju lejohet të pranojnë dhurata nga vartës apo persona të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak.

Në rast se ushtaraku nuk deklaron përdorimin e armës së zjarrit do të klasifikohet shkelje e rëndë çka çon në përjashtim. Ushtarakët do të ndëshkohen edhe nëse prishin qetësinë në njësi apo repart ushtarake. Kush kapet duke luajtur bixhoz në ambiente ushtarake me qëllim përfitimi monentar do të ndëshkohet. Në rast se ushtarakët nuk respektojnë orarin e punës më shumë se njëherë brenda një muaji do të ndëshkohen me uljen e pagës dhe gradës.

Në rast se ushtarakët regjistrojnë eproret fshehurazi do të ndëshkohen. Ushtarakëve u ndalohet rreptësisht kryerja e riteve fetare me uniforme jashtë reparteve. U ndalohet alkooli, përdorimi i makinave të punës, etj. Janë këto disa nga risitë e propozuara si masa për të futur disiplinimin e detyrueshëm në forcat e armatosura, që pritet që të diskutohen në komisione përpara se të miratohet në Kuvend.

( Kliko këtu ) Realiconi i plotë


PROJEKTLIGJI I MINISTRISE SE MBROJTJES
 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 173/2014 “PËR DISIPLINËN NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
 
Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave
 
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr. 173/2014 “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
Neni 1
 
Në nenin 4, pas fjalës “...kursantët...”, të shtohet fjala “...studentët...”.
 
Neni 2
 
Në nenin 7 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Në pikën 1, fjalia e fundit e shkronjës “b” të ndryshohet, si më poshtë:

“...shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me propozimin e Komisionit të Lartë Disiplinor, jep masa shumë të rënda disiplinore, për nënoficerët dhe ushtarët e Forcave të Armatosura, me përjashtim të atyre të përcaktuar në paragrafin e dytë të shkronjës “c”, të pikës 1 të këtij neni...”.
 

Në pikën 1, në shkronjat “c” dhe “ç”, pas fjalës, “...batalioni...”, të shtohen fjalët “...drejtuesi ushtarak në nivel njësie kryesore/njësie bazë në institucionet arsimore ushtarake...”.

Në pikën 1, në fund të shkronjës “c”, të shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Komandantët e Forcave dhe strukturave mbështetëse, me propozim të Komisionit të Lartë Disiplinor, për masat shumë të rënda “Vërejtje me paralajmërim” dhe “Ulje në pagë”,  për tetarët dhe nëntetarët, si dhe për ushtarët me grada “Ushtar I deri Ushtar  IV”, në varësi të tyre.

Pika 2 riformulohet dhe bëhet:
“Ndaj oficerëve me grada madhore mund të jepen vetëm masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “a”, “c”, “ç” dhe “dh” sipas pikës 3 të nenit 14 të këtij ligji.

Neni 3
 
Në nenin 9 bëhen këto shtesa dhe ndryshime

Në pikën 1, pas fjalëve “...në Shtabin e Përgjithshëm...”, të shtohen fjalët “...dhe Komandat e Forcave dhe strukturave mbështetëse...”.

Neni 4
 
Neni 11 ndryshon dhe bëhet:
 
“Neni 11
Shkelje disiplinore të lehta
 
1. Shkelje disiplinore të lehta janë:
a) veprimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ruajtjen e administrimin e dokumenteve apo materialeve shkresore, elektronike dhe filmime;
b) mosrespektimi i rregullave të nderimit, sipas shkallës hierarkike;
c) mosdeklarimi i përdorimit të medikamenteve për arsye mjekësore, që krijojnë efekte në sjelljen ose aftësitë fizike të tij;
ç) publikimi i paautorizuar në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak, simbole dhe mjete teknike ushtarake;
d) mosrespektimi i orarit të punës;
dh) përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura për qëllime private gjatë apo pas kryerjes së detyrës, përjashtuar rastet kur është i autorizuar për këtë gjë;
e) përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura pa dokumentacionin përkatës;
ë) përdorimi i paautorizuar i sendeve personale dhe ushtarake të ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura;
f) përdorimi dhe shfrytëzimi i korrespondencës zyrtare për qëllime private;
g) mosraportimi i shkeljes disiplinore;
gj) lëvizja e gabuar nga pakujdesia e teknikës ose mjetit tokësor, detar, ajror nga ushtaraku, kur nuk përbën vepër penale;   
h) përdorimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
i) pranimi i dhuratave ose ndonjë përfitimi nga vartësit apo personave të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;  
j) mosdhënia e ndihmës ushtarakëve të tjerë të FA-së gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ato kanë nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet;
k) shkrepja e armës nga pakujdesia, e cila nuk shkakton dëme materiale apo lëndime njerëzore;
l) mosmirëmbajtja dhe/ose dëmtimi i armës, municionit, teknikës, pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura nga pakujdesia, që shkakton humbjen e përkohshme të gatishmërisë teknike të tyre.

Kryerja e shkeljes së tretë të lehtë disiplinore brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet e rënda, sipas pikës 2 të nenit 14 të këtij ligji.”

 Neni 5
 
Neni 12 ndryshon dhe bëhet:
 
“Neni 12
Shkelje disiplinore të rënda
 
1. Shkelje disiplinore të rënda janë:
a) kryerja e riteve fetare me uniformë, në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura;
b) publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e FA-së, si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi;  
c) shprehja e kritikave publike ndaj FA-së, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të FA-së;
ç) fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike;
d) dhënia me dashje e informacionit të gabuar, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi;
dh) shkelja me qëllim e rregullave të mbajtjes, mirëmbajtjes, ruajtjes dhe përdorimit të armatimit, municionit, teknikës, pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura;
e) mbajtja dhe përdorimi i armës nga ushtaraku i Forcave të Armatosura në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
ë) mbajtja e armëve individuale private, me leje, në ambientet ushtarake;
f) veprime, qëndrime apo shfaqje diskriminuese në bazë etnie, fetare, race, krahine, bindjeje politike, filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore;
g) përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës/shërbimit apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare;
gj) dhënia e uniformës me shenjat dhe simbolet dalluese ushtarake, dokumentit të Forcave të Armatosura ose pajisjeve të tjera ushtarake personave të tjerë;
h) mbajtja e uniformës ushtarake në lokale nate, kazino, lojëra fati dhe në ambiente të tjera të ngjashme me këto;
i) mungesa, mosparaqitja në shërbim/punë apo largimi nga vendi i shërbimit/punës, pa arsye të justifikuara deri në 5 ditë, për ushtarët dhe deri në 7 ditë, për oficerët dhe nënoficerët;
j) mosparaqitja në punë apo shërbim jashtë orarit të përcaktuar, kur i kërkohet nga eprorët e tij, pa arsye të justifikuara;
k) ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune ndaj një personi tjetër, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari;
l) ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbëjnë vepër penale;
ll) shkelja e rregullave të shërbimit, kur nuk përbën vepër penale;
m) rezistenca ndaj procedimit disiplinor ose refuzimi i kryerjes së masave disiplinore;
n) përkrahja apo ndihma në kryerjen e një shkeljeje të përcaktuar në këtë ligj ose pengimi apo parandalimi për kapjen, gjykimin a dënimin e ushtarakut, i cili ka kryer një shkelje të dënueshme nga ky ligj;
nj) mosmarrja e masave të nevojshme për ndërprerjen e shkeljes disiplinore që po kryhet nga vartësit e tij dhe/ose për parandalimin e pasojave të mëtejshme që mund të vijnë prej saj;
o) kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës.
p) dëshmia e rreme gjatë procedimit disiplinor;   
q) mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit;
r)  mosrespektimi i orarit të punës më shumë se një herë brenda një periudhe njëmujore;
rr) ushtrimi i presionit ndaj vartësve për përfitime personale, kur nuk përbën vepër penale;
s) prishja e qetësisë në njësi ose reparte ushtarake, kur nuk përbën vepër penale;
sh) moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori i drejtpërdrejtë;
t) mbajtja në mënyrë të parregullt, ndryshimi ose keqpërdorimi i uniformës dhe shenjave ushtarake;  
th) “Ngacmim” në çdo formë sjelljeje të padëshiruar, që lidhet me gjininë e një personi dhe ka për qëllim dhe/ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal ose krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjellje të tillë.
u) veprime me dashje, të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara.
2. Shkeljet disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç”, “d”, “k” dhe “l” të pikës 1, të këtij neni, të kryera gjatë trajnimeve, kualifikimeve, arsimimit, shërbimit, stërvitjes, misionit jashtë vendit apo të kryera nga oficerë me grada madhore, kategorizohen si shkelje shumë të rënda disiplinore dhe masat përkatëse jepen sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 14 të këtij ligji.
3. Kryerja e shkeljes së tretë të rëndë disiplinore, brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda, sipas pikës 3 të nenit 14 të këtij ligji”.
 
Neni 6
 
Neni 13 ndryshon dhe bëhet:
 
“Neni 13
Shkelje disiplinore shumë të rënda
 
1. Shkelje disiplinore shumë të rënda janë:
a) mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike apo e një anëtari të një partie politike ose të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë fizikisht ose duke kontribuar financiarisht;
b) ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake, si dhe në rastet kur mban uniformën ushtarake ose shenja të saj;
c) lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e Forcave të Armatosura dhe në mjetet që ato disponojnë;
ç) përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë Forcat e Armatosura e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar;
d) ushtrimi i funksioneve ose mospërmbushja e detyrave që sjellin cenim të operacionalitetit, gatishmërisë dhe sigurisë në Forcat e Armatosura;
dh) organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë;
e) përdorimi i substancave të paligjshme dhe lëndëve narkotike, kur nuk përbën vepër penale.
ë) dhënia ose mundësimi i dhënies së informacioneve me karakter ushtarak, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme, personave të paautorizuar ose medias, kur nuk përbën vepër penale;
f) ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera nga eprori ndaj vartësit ose ndaj ushtarakut me gradë më të ulët, gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbën vepër penale;
g) organizimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
gj) ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune, sjellja fyese apo kërcënuese ndaj një personi tjetër, kur kjo ushtrohet nga oficerët aktivë me grada të larta ose madhore të FA-së ose kur kryhet ndaj eprorit të drejtpërdrejtë, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari; 
h) refuzimi i zbatimit të urdhrit apo një vendimi të ligjshëm të dhënë nga eprori.
i) mosmarrja e masave të duhura të organizimit dhe sigurisë nga drejtuesit e njësive dhe reparteve të FA-së, kur kjo ka sjellë pasoja të rënda materiale;
j) përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre, kur nuk përbën vepër penale dhe përveç rasteve të parashikuara me ligj.
 
Neni 7
Në nenin 14 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
1. Në fund të pikës 1 shtohet një paragraf më këtë përmbajtje:
“ç) “Stërvitje disiplinuese”, e cila është masa që i jepet verbalisht nga autoriteti përgjegjës ushtarakut të Forcave të Armatosura brenda natyrës së elementeve të stërvitjes, të tilla si; vrapim, pompa, palosje, apo ndonjë stërvitje tjetër të përshtatshme gjatë orarit të punës”.  Kjo masë jepet ndaj ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve deri në gradën kapiten”.
 
2. Pika 3 ndryshohet dhe bëhet:
“Masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje shumë të rënda, janë:
a) “Vërejtje me paralajmërim”, e cila është masa me shkrim, e motivuar, drejtuar ushtarakut të Forcave të Armatosura, për lirim nga Forcat e Armatosura;
b) “Ulje në detyrë”, e cila është një masë nëpërmjet së cilës, ushtaraku emërohet në një detyrë të përcaktuar për t’u ushtruar nga një ushtarak me gradë më të ulët, për jo më shumë se një vit.  
c) Ulje e pagës”, e cila është masë, nëpërmjet së cilës ushtaraku do të trajtohet me pagën e deri një grade më të ulët për jo më shumë se një vit;
ç) “Ndalimi për gradim”, e cila është masa që ndalon ushtarakun për të konkurruar për marrjen e gradës së radhës, vetëm 1 herë.  
d) “Ulje në gradë” e cila është një masë nëpërmjet së cilës, ushtaraku ulet deri në një gradë, por jo më shumë se 1 vit. Në fund të vitit, ushtaraku rimerr gradën e mëparshme. 
dh) “Shkarkimi dhe lirimi nga Forcat e Armatosura”, e cila është masë ekstreme e dhënë për shkelje shumë të rënda disiplinore”.
 
Neni 8
 
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime:

Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:

“2. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të lehtë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 14 të këtij ligji.”

Pas pikës 2, shtohen pikat 3, 4 dhe 5, si më poshtë:

“3. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 14 të këtij ligji.
4. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje shumë të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të nenit 14 të këtij ligji.
5. Përcaktimet e këtij neni nuk zbatohen për oficerët me grada madhore.”
 
Neni 9
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 1, shkronja “gj” riformulohet, si më poshtë:
“gj. Kryerja e shkeljes disiplinore gjatë trajnimeve, kualifikimeve, arsimimit, shërbimit, stërvitjes apo misionit jashtë vendit”.

Në pikën 1 të shtohen shkronjat “h”, “i” dhe “j”, më këtë përmbajtje:
“h. Kryerja e shkeljes disiplinore nga oficerë me grada të larta”.
i.    Kryerja e shkeljes disiplinore në situatë lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo fatkeqësie natyrore;
j.    Kryerja e shkeljes disiplinore gjatë operacioneve apo misioneve brenda vendit.”

Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:

“2. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të lehtë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 14 të këtij ligji.”

Pas pikës 2, shtohen pikat 3, 4 dhe 5, si më poshtë:

“3. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 2, të nenit 14 të këtij ligji.
4. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje shumë të rëndë disiplinore, në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me një nga masat e përcaktuara në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 3, të nenit 14 të këtij ligji.
5. Përcaktimet e këtij neni nuk zbatohen për oficerët me grada madhore.”
 
Neni 10
Në nenin 23 bëhen këto shtesa

Në shkronjat “a” dhe “b”, në fund të fjalive, të shtohen fjalët “...me urdhër të autoritetit përgjegjës që ka dhënë masën disiplinore...”.

Neni 11
 
Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 4, pas fjalës “...të rënda...”, të shtohen fjalët “...dhe shumë të rënda...”.
 
Neni 12
 
Hyrja në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
 KRYETARI
Gramoz  Ruçi

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ushtria: 10/07/2020 14:16

    Pfff po ministria ska len gje pa treguar ne tv ama ushtaraku denohet po beri foto me uniform.su dashka me denoncuar veprimet ose korrupsionin ne ushtri se ulet figura e FA si ateher kur postuan fotot e ushtareve ne bonavi me shapka se skishte kepuc per ushtaret.apo keni hall se po dolem ne foto me uniform shef populli uniformat e shpelara qe marrin 1 her ne vit ushtaraket.po eprori pse ndalohet te filmohet apo e dini qe shumica e oficereve madhor rrin tap ose jan dele qe skan byth te kundershtojn urdherat politik si ateher kur ushtria mblidhte plerat neper rruget e tiraned dhe firma qe e kishre per detyr ndante paret e pastrimit te rrugeve me mimi kodhelin.per te tjerat e keni ber mir.ju heq kapelen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025