Rreth 41 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga skema kombëtare për vitin 2026, në vlerën prej 5.2 miliardë lekë. Ministri i Bujqësisë Andis Salla thotë në Report TV se janë kaluar pritshmëritë, pasi aplikimet janë mbi buxhetin që është në dispozicion të skemës.
“Shifrat paraprake tregojnë se kërkesat e fermerëve kalojnë mbi 7 miliardë lekë”, thotë Salla.
Ministri thotë se interesi më i madh ka qenë tek masa mbështetëse në të mbjellat e kulturave bujqësore me sipërfaqe mbi 3 hektarë. Ndërsa aplikimet në blegtori sipas të dhënave paraprake arrijnë 3.3 miliardë lekë dhe në bletari 1.1 miliardë lekë.
“Për të mbjellat mbi 3 hektar është një numër i konsiderueshëm aplikimesh me vlerë mbi 20 milion euro. Interes të shtuar ka pasur edhe bletaria ka pasur një shifër goxha të lartë për aplikimin edhe pasi dyfishuam mbështetjen nga 10.000 lekë në 20.000 lekë. Edhe për blegtorinë është një shifër shumë e lartë e aplikimeve”, tha ministri.
Salla thotë se skema ka tërhequr edhe të rinjtë, që duan të përfitojnë grante për të investuar në bujqësi dhe blegtori.
“Është mbi 280 numri i të rinjve që e kanë aplikuar për skemën, pra 10.000€ grant, sepse janë të drejtpërdrejta, dhe mendoj që edhe në skema të tjera që ne do ta vendosim përsëri për të rinjtë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fushat e tjera, të rinjtë do kenë mundësi të jenë pjesë e një starti nga mbështetja e qeverisë”, tha Salla.
Ministri thekson se të gjithë fermerët që do të shpallen fitues pas kontrollit të dosjeve që do të bëhet nga AZHBR, do t’i marrin paratë në kohë.
“AZHBR-ja do të bëjë të gjithë procesin kontrollues për çdo dosje dhe kjo është një mundësi që fermerët do duhen që të kalojnë në një filtër tjetër”, thotë ministri.
Ministri ndalet edhe tek halli i përsëritur i fermerëve, mungesa e tregut dhe çmimi i ulët që nuk iu mbulon as kostot.
“Çmimi vjen nga kërkesë oferta. Jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Financave në mënyrë që ta monitorojmë të gjithë procesin që mos të kemi një abuzim për fermerin”, tha Salla.
Sa i takon zhbllokimit të fondeve të IPARD III prej 148 milionë euro, ministri thotë se detyrat për të mbrojtur paratë e BE-së janë kryer por mbeten në pritje të përgjigjes nga Komisioni Evropian.
“Javën e kaluar patëm në komisionin për fondet IPARD, dhe jemi në fazën përfundimtare ku kemi bërë të gjithë detyrat që na janë kërkuar dhe jemi në fazën e përfundimtare të vlerësimit”, thotë ministri.
Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen e bujqësisë shqiptare përmes fondeve të IPARD në gusht të 2023-shit për shkak se OLAF gjeti keqpërdorime të parave në programin IPARD II.
Shqipëria është në pritje të dritës jeshile nga Komisioni Evropian për të zhbllokuar fondet IPARD, të cilat janë pezulluar prej 3 vitesh. Ministri thotë për Report Tv se detyrat janë kryer, dhe se aktualisht janë në fazën përfundimtare të procesit të vlerësimit nga Komisioni Evropian.
“Për fondet IPARD jemi në një proces të vazhdueshëm me Komisionin Evropian. Javën e kaluar patëm në komisionin për fondet IPARD, dhe jemi në fazën përfundimtare ku kemi bërë të gjithë detyrat që na janë kërkuar dhe jemi në fazën e përfundimtare të vlerësimit. Ne kemi diskutuar me ta, kemi bërë të gjithë detyrat që na janë dhënë, por që mbetet në një fazë ku presim vlerësimin e tyre. Çdo detyrë që na është lënë e kemi bërë më së miri”, thekson ministri.
Ministri thekson se fondet prej 148 milionë eurosh janë të domosdoshme për zhvillimin e sektorit bujqësor, dhe se menjëherë pas përgjigjes nga KE ata janë gati të hapin thirrjet.
“Fondet IPARD III prej 148 milion eurosh, bujqësia shqiptare i ka të nevojshme dhe do ti ketë shumë shpejt. Nëse ne marrim një përgjigje të shpejtë nga IPARD-i, ne me strukturat tona kemi përgatitur gjithçka që skemën ta hapim menjëherë", deklaron Salla.
Ministri i Bujqësisë deklaroi në një intervistë për Report Tv se eksportet e produkteve bujqësore kanë vijuar në rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke tejkaluar nivelin e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
"Vjet kanë qenë 380 mijë tonë të eksportuara por këtë vit që në gjashtëmujorin e parë kemi tejkaluar eksportet e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, tha Salla.
Sipas tij, deri më tani nuk janë evidentuar probleme me ngarkesat e eksportit për shkak të përdorimit të pesticideve të ndaluara.
“Në asnjë ngarkesë nuk kemi pasur probleme me pesticidet qoftë edhe ato të ndaluara. Në një kamion mund të ketë disa fermerë që ngarkohen dhe ne përmes gjurmueshmërisë së produktit kalon në çdo filtër. Mund të ketë raste kur fermeri nuk ka respektuar karenca, nëse e ka ndonjë afat një javor për karencën, fermeri e këput për tre ditë dhe del me një mbetje që nuk lejohet. Por nuk kemi në territor pesticide të ndaluara. Kemi bërë një aksion në vitin e kaluar, dhe na ka rezultuar në rezultate të mira këtë vit”, tha Salla.
Ministri bën edhe një apel për fermerët:- “Tregu evropian është i madh dhe ne duhet të prodhojmë me cilësi”.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla ndalet edhe tek një prej shqetësimeve të fermerëve, mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore, të cilat shpesh nuk mbulojnë as kostot e prodhimit. Salla thotë se çmimi përcaktohet nga raporti kërkesë-ofertë, por thekson se rol në uljen e çmimit në këtë periudhë ka edhe prodhimi i vendeve të rajonit.
“Çmimi vjen nga kërkesë oferta. Kërkesë oferta vjen nga interesi që kanë në territor. Unë vij nga Divjaka pas një takim me disa fermerë aty. Diskutuam edhe për problemin e shalqirit apo edhe për produktet të tjera që janë në territor. Eksporti që ne kryejmë ka një interes sepse ne kemi një favor ku klima, na favorizon shumë sepse dalim tre javë apo një muaj përpara vendeve të tjera të rajonit dhe kjo na bën që të kapim një çmim shumë të lartë. Por tani të gjitha vendet e rajonit kanë prodhimet e tyre, kjo bën që çmimi në territor të bjerë”, shpjegon ministri.
Megjithatë, ministri thotë se bashkë me Ministrinë e Financave do të monitorohen pikat e grumbullimit për të verifikuar nëse ulja e çmimeve është pasojë e tregut apo e praktikave abuzive.
“Jemi duke ngritur një monitorim edhe të pikave të grumbullimit për t'i orientuar nëse ka problematika në çmim real apo vjen nëpërmjet pikave të grumbullimit. Jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Financave në mënyrë që ta monitorojmë të gjithë procesin që mos të kemi një abuzim për fermerin. Nuk mund të kemi një problematikë të vazhdueshme në çmime, sepse e dëgjoj dhe nga fermerët këtë shqetësim”, Salla.
Komente







