TORINO - Pas katër vitesh e gjysmë bashkëpunim, rrugët e Dusan Vlahovic (26 vjeç) dhe Juventusit do të ndahen përfundimisht. Klubi bardhezi dhe sulmuesi serb nuk kanë arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës, e cila skadon më 30 qershor 2026, duke i dhënë fund negociatave që kishin vazhduar për muaj të tërë.
Sipas mediave italiane, diferencat mes kërkesave të lojtarit dhe ofertës së klubit kanë rezultuar të pakalueshme. Vlahovic kërkonte një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon, si dhe bonuse të konsiderueshme dhe komisione për firmën, ndërsa drejtuesit e Juventusit, të udhëhequr nga Damien Comolli, ofruan 6 milionë euro plus bonuse, pa pranuar kërkesat shtesë financiare.
Ky zhvillim përbën një goditje për trajnerin Luciano Spalletti, i cili e kishte konsideruar serbin Vlahovic një element kyç të projektit të tij. Tekniku italian kishte shprehur publikisht vlerësimin për sulmuesin, duke theksuar rëndësinë e tij në repartin ofensiv të skuadrës.
Tashmë Juventusi do të detyrohet të kërkojë alternativa në merkato, pasi largimi i Vlahovic lë një boshllëk të madh në sulm. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar duke pasur parasysh se pista të tjera të ndjekura nga klubi nuk kanë rezultuar të suksesshme.
Vlahovic iu bashkua Juventusit në janar të vitit 2022 nga Fiorentina për rreth 70 milionë euro plus bonuse, me pritshmëri të mëdha për të qenë pasuesi i denjë i Cristiano Ronaldos në sulmin bardhezi. Megjithatë, pavarësisht momenteve pozitive, sulmuesi serb nuk arriti kurrë të bindte plotësisht me vazhdimësinë e paraqitjeve të tij.
Me kontratën drejt skadimit dhe pa një marrëveshje të re në horizont, aventura e Vlahovic te Juventusi po shkon drejt fundit, ndërsa klubi do të kursejë një shumë të konsiderueshme në bilanc dhe lojtari do të jetë i lirë të zgjedhë destinacionin e radhës në karrierën e tij.
Komente










