Mbyllet programi 3-vjeçar i FMN
Ahmetaj: Nuk i lemë të ikin

Mbyllet programi 3-vjeçar i FMN<br />Ahmetaj: Nuk i lemë të ikin
TIRANE-Sot zyrtarisht u mbyll programi 3-vjeçar i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), por ky nuk është fundi i marrëveshjes.

Kjo u bë e ditur sot në një konferencë të përbashkët për shtyp mes përfaqësuesve të FMN, ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankes së Shqipërisë. Në këtë konference u deklarua se FMN do të vijojë të ruajë një rol monitorues këshillues deri pas zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri, ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj theksoi se marrëveshja e radhës me FMN do të realizohet nga  qeveria Rama 2.

Ministri Ahmetaj e vlerësoi të frytshëm bashkëpunimin me FMN, dhe kjo tha ai u reflektua me ecurinë pozitive të treguesve fiskalë dhe ekonomikë.
“U siguria rimëkëmbja ekonomike, ulja e papunësisë e gjithashtu u shlyen detyrimet e vjetra ndaj biznesit”.

Nga ana e saj, Anita Tuludhar, përfaqsuese e FMN në Shqipëri, u shpreh se programi 3-vjeçar në Shqipëri ka arritur objektivat kryesore, pavarësisht disa vonesave.

“Duhet përmirësuar administrimi fiskal, duhet zgjeruar baza tatimpaguesve, përmirësimi i mbledhjes se taksës së pronës me bazë vlere, të mbahen nën kontroll detyrimet e reja ndaj bizneseve”, tha Tuladhar.

Tuladhar vuri në dukje se nuk do të donte që marrëveshja me qeverinë shqiptare të mbyllej këtu.
“Programi ka qenë i suksesshem. Nuk do përfundoje marrëdhenia jone me autoritetet shqiptare, ajo do të vazhdojë ne formen e monitorimit dhe konsulences. Nëse qeveria do të kërkojë një marreveshe të re pas zgjedhjeve, jemi të gatshëm”, tha ajo.

Dhe menjëherë është përgjigjur, Ahmtaj që e ka siguruar se marrëveshja e re me FMN do të nënshkruhet nga qeveria e re Rama që do të dalë pas zgjedhjeve parlamentare teë muajit Qershor.
“Nuk e lemë FMN të largohet nga Shqipëria. Marrëveshja e re me FMN do të bëhet nga qeveria Rama 2”.

I pranishëm ishte dhe Guvernatori Gentjan Sejko i cili nga ana e tij theksoi se, "Banka e Shqipërisë konstaton se Marrëveshja i ka arritur objektivat madhorë të saj: korrektimin e zhbalancimeve strukturore, dhe vendosjen e vendit në një plan më të qëndrueshëm të rritjes afatgjatë".

 Marrëveshja parashikon lëvrimin e kësteve të nëntë dhe të dhjetë të programit 36-mujor të Fondit Monetar Ndërkombëtar me Qeverinë Shqiptare.

Totali i këtyre dy kësteve është 72.4 milion euro. Programi 36-mujor i Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 dhe parashikoi një kredi totale prej 370 milionë eurosh, e shpërndarë në 10 këste në 3 vjet.

FMN arriti marrëveshje për përfundimin e shqyrtimit të nëntë dhe të dhjetë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar për Shqipërinë

Tuladhar: Ekipi i FMN-së parashikon fuqizim të ekonomisë

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 18-24 janar 2017, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e nëntë dhe të dhjetë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë. 
 Në përfundim të vizitës, zonja Tuladhar u shpreh se ekipi i FMN-së parashikon fuqizim të ekonomisë shqiptare. Sipas saj, Programi e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën drejt financave publike solide, stabilitetit financar dhe rimëkëmbjes ekonomike. Me mbylljen e programit, tha ajo, do të jetë thelbësore që Shqipëria të angazhohet për vazhdimin e reformave ekonomike.

Fjala e plote e Tuladhar

“Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e nëntë dhe të dhjetë të EFF-së. Misioni diskutoi edhe për prioritetet e politikave në kuadër të Monitorimit pas Programit. Programi ekonomik vazhdon të ecë sipas planit dhe i ka arritur objektivat bazë të korrigjimit të çekuilibrave të mëdhenj makroekonomikë dhe të fuqizimit të rritjes ekonomike. Janë përmbushur shumica e objektivave të synuar sasiorë. Pavarësisht nga disa vonesa, është arritur një progres përgjithësisht i mirë në vënien në zbatim të reformave strukturore.

“Programi e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën drejt financave publike solide, stabilitetit financar dhe rimëkëmbjes ekonomike. Me mbylljen e programit, do të jetë thelbësore që Shqipëria të angazhohet për vazhdimin e reformave ekonomike. Këto reforma janë me rëndësi jetike për rritjen e besimit, nxitjen e investimeve dhe fuqizimin e perspektivës për rritje. Rekomandimi me kusht i kohëve të fundit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE shënon një moment të rëndësishëm, sepse njeh angazhimin e autoriteteve në këtë proces të reformave.

“Ekipi i FMN-së parashikon fuqizim të ekonomisë. Rritja e PBB-së pritet të ketë arritur në 3,4 për qind në vitin 2016 dhe parashikohet të përshpejtohet në rreth 4 për qind në periudhën afatmesme, e mbështetur kryesisht tek investimet e mëdha të huaja të direkte të lidhura me energjetikën dhe te një rritje e kërkesës së brendshme. Vitin që shkoi inflacioni mesatar arriti 1,3 për qind, në përputhje me kërkesën e brendshme në rritje, si dhe pritet të vijojë të rritet gradualisht derisa të arrijë normën e synuar prej 3 për qind në vitin 2018. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet për shkak të nivelit të lartë të importeve që nevojiten për projektet e sektorit energjetik, nga rreth 12 për qind e PBB-së në 13,5 për qind e PBB-së në 2017-2018.

“Të dhënat paraprake tregojnë se buxheti i vitit 2016 ka arritur një balancë primare pozitive, diçka më pak se niveli i programuar. Të ardhurat ishin nën plan, kryesisht për shkak të rënies së arkëtimeve nga tatimi mbi vlerën e shtuar, ndërsa realizimi i shpenzimeve u përmirësua ndjeshëm me afrimin e fundit të vitit. Borxhi publik ka filluar rënien, por mbetet i lartë në nivelin mbi 70 për qind të PBB-së. Për të arritur objektivin afatmesëm për borxhin, autoritetet kanë rënë dakord të synojnë arritjen e një balance primare prej 0,7 për qind të PBB-së në buxhetin e vitit 2017, si edhe të kursejnë të ardhurat e njëhershme të paplanifikuara në buxhet, prej rreth 0,5 për qind të PBB-së.

“Qëndrimi për një politike monetare akomoduese nga ana e Bankës së Shqipërisë është i duhur dhe përputhet me objektivin e saj për stabilitetin e çmimeve. Sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe i kapitalizuar mirë. Kredia për individët po e rimerr veten, por stoku i kredive nën standard, që vijon të jetë i lartë në nivelin mbi 20 për qind të kredive, po frenon huadhënien për bizneset. Me rëndësi parësore për zgjidhjen e kredive nën standard është zbatimi i ligjit për falimentin, dhe ligjit për përmbaruesit privatë.

“Sa i takon së ardhmes, rekomandohen këto prioritete: të vijohet zgjerimi i të ardhurave për të fuqizuar financat publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të borxhit; të ulet niveli i kredive nën standard për të fuqizuar stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e huadhënies; dhe të çohen përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.

Në këto fusha është arritur progres i rëndësishëm por nevojitet të punohet më tej për t’i çimentuar këto arritje. Në këtë aspekt, objektiva të rëndësishëm mbeten fuqizimi i
administratës tatimore, zgjerimi i bazës tatimore dhe zbatimi i një tatimi mbi pronën me bazë vlerën. Përmirësimi i drejtimit financiar publik do të ndihmojë në sigurimin e shpenzimeve publike më efikase dhe në mbajtjen në kontroll të detyrimeve të prapambetura. Nevojitet një zbatim i shpejtë i strategjisë për zgjidhjen e kredive nën standard për të fuqizuar huadhënien për sektorin privat. Për të rritur aftësinë konkurruese me rëndësi kritike do të jenë reformat strukturore për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit, zgjidhjen e mangësive infrastrukturore dhe rritjen e kualifikimit të krahut të punës.

“Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e nëntë dhe të dhjetë në shkurt 2017. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e 57.28 milion SDR (rreth 72.4 milion euro). Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS