Në Samitin e Dytë të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Parlamenti Europian, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, u diskutua mbi përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si edhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis vendeve të rajonit.
Në fjalën e tij Sassoli, nënvizoi se BE dhe PE do të vazhdojnë të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e pandemisë COVID 19 dhe të sfidave të saj.
"Pandemia nuk na pengoi të shikojmë drejt të ardhmes dhe të ruajmë zgjerimin e BE-së si një prioritet të BE-së dhe PE-së. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, në këtë shtëpi të përbashkët europiane, dhe ne po punojmë që integrimi i rajonit të përshpejtohet dhe të mos shtyhet në kalendat greke. Ne do të fuqizojmë bashkëpunimin parlamentar në funksion të procesit të zgjerimit dhe konsolidimit të vlerave europiane. Bashkimi Europian është një shpresë për Ballkanin Perëndimor, por edhe Ballkani Perëndimor është një shpresë për Bashkimin Europian", tha ai.
Nga ana e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, falënderoi Sassolin, për vizionin dhe kontributin e tij për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të Ballkanit Perëndimor, si edhe vlerësoi Presidencën Kroate, Gjermane dhe Portugeze të BE-së, të cilat e mbajtën përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në krye të prioriteteve të tyre.
Në fund të Samitit, u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët e Kryetarëve të parlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidentit të Parlamentit Evropian dhe Kryetarëve të Parlamenteve të Portugalisë, Presidenca aktuale, dhe Sllovenisë, Presidenca e ardhshme e BE-së, në të cilën u rikonfirmua roli kryesor i parlamenteve në procesin e zgjerimit dhe u angazhuan të punojnë së bashku edhe në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.
Lajmi kryesor: