Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë

Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë

TikTok

'Shqipëria do të ndalojë TikTok për një vit pasi vrasja e një adoleshenti ngriti frikën se aplikacioni i mediave sociale ka një ndikim negativ', shkruan 'The Telegraph'.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama konfirmoi se aplikacioni për ndarjen e videove do të ndalohet nga janari si pjesë e një plani për t’i bërë shkollat ​​më të sigurta.

“Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë Tik Tok në Shqipëri”, tha zoti Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit.

Ndalimi i pari i këtij lloji në Evropë u nxit nga vdekja e një nxënësi 14-vjeçar të therur me thikë nga një nxënës tjetër në mes të nëntorit.

Dy adoleshentët mendohet se janë përleshur në fund të ditës së shkollës pas një debati në rrjetet sociale. Hetimet për vrasjen janë duke vazhduar.

Nuk është ende e qartë nëse konflikti filloi në TikTok. Por zoti Rama ka argumentuar se fajin e ka platforma e mediave sociale me bazë në Kinë, duke e etiketuar atë si “rrugaçi i lagjes”.

“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok dhe gjithë të tjerët që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha Rama.

TikTok tha se po kërkonte “sqarime urgjente” nga qeveria shqiptare pasi nuk gjeti “asnjë provë që autori apo viktima” të ishte regjistruar në aplikacion.

“Raporte të shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok,” tha një zëdhënës i kompanisë.

Ina Zhupa, nga Partia Demokratike e opozitës shqiptare, tha se “vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë.

“Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”, shtoi ajo.

TikTok tashmë është i ndaluar në disa vende anembanë botës, përfshirë Indinë, ku u shpall i jashtëligjshëm në vitin 2020. Gjithashtu ndalohet në Iran, Nepal, Afganistan dhe Somali.

Australia kohët e fundit miratoi ligjin më të rreptë në Botë për mediat sociale, që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin çdo platformë të tillë, ndërsa në Francë fëmijët nuk lejohen të përdorin rrjetet sociale deri në moshën 15 vjeç, përveç nëse kanë lejen e prindërve.

SHBA po lëviz për të ndaluar TikTok nëse nuk shitet nga ByteDance, kompania e saj mëmë kineze, deri më 19 janar. Kongresi ka thënë se aplikacioni është i lidhur me shtetin kinez, diçka që TikTok dhe ByteDance e mohojnë.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Google bllokon mijëra web faqe me lajme të rreme pro Kinës

Google bllokon mijëra web faqe me lajme të rreme pro Kinës