Gjatë takimit, Ministrja Nikolla shprehu vullnetin e institucionit që ajo drejton dhe të qeverisë shqiptare për bashkëpunim rajonal në rrugën e integrimit evropian duke theksuar rolin që ka arsimi në edukimin e vlerave dhe parimeve demokratike evropiane.
Nikolla, bëri gjithashtu një ekspoze të shkurtër mbi reformat aktuale që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit në fushën e arsimit parauniversitar, reformën kurrikulare me bazë kompetencat si dhe reformën në arsimin e lartë.
Nga ana e tij, Ministri serb Srđan Verbić, u shpreh i lumtur për këtë takim të parë ndërmjet dy titullarëve të arsimit. Ai fillimisht përgëzoi Ministren Nikolla për punën e kryer në kuadër të reformës në arsimin e lartë, veçanërisht në mbylljen e 18 institucioneve private të arsimit të lartë që nuk përmbushnin kriteret e ligjshmërisë. Ministri Verbić, përmendi ndër të tjera edhe jehonën pozitive që pati ky veprim ligjor në mediat serbe.
Gjithashtu, ministri Verbić shprehu gatishmërinë e palës serbe për të nxitur bashkëpunimin konkret ndërmjet universiteteve të dy vendeve në projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore edhe në kuadër të programit të BE-së “Horizon 2020” si dhe ngritjen e grupeve për hartimin e standardeve të përbashkëta për trajnimit të mësuesve.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)