TIRANË- Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj Bashkisë së Tiranës, sipas së cilës qeveria nuk ka reaguar ndaj thirrjeve sa i përket shqetësimit për mungesën e hapësirave për varre në varrezën e Sharrës dhe të Tufinës. Ndërsa sqaron se bashkia nuk është treguar korrekte për këtë problem, Ministria e Brendshme thotë se, “në qoftë se edhe Bashkia Tiranë do punonte me ritmin që punon kjo qeveri për qytetarët, ky problem sot nuk do ishte, e as Bashkia Tiranë nuk do kishte motiv për të bërë politikë edhe me varrezat.”

“Dosja për shpronësimin e tokës së varrezave publike është dorëzuar nga Bashkia e Tiranës në Ministrinë e Punëve të Brendshme në muajin Qershor 2013, kohë kur Ministria drejtohej nga opozita aktuale. Administrata e kaluar në Ministrinë e Brendshme, nuk e mori asnjëherë në shqyrtim dosjen”, sqaron Ministria e Brendshme.
 
Ministria gjithashtu tregon se dosja e dorëzuar nga Bashkia e Tiranës për shpronësimin e varrezave nuk ka qenë korrekte dhe për këtë arsye i është rikthyer me qëllim plotësimin e dokumentacionit sipas ligjit të parashikuar. Këto mangësi kishin të bënin me:
 
- vendimi i Këshillit Bashkiak ishte i pafirmosur dhe pa numër vendimi;
- mungonte konfirmimi nga institucioni i Prefektit;
- dokumentacioni ishte i pafirmosur nga ane kryetarit të Bashkisë, etj. 

Gjithashtu “në dosjen e hartuar nga Bashkia e Tiranës nuk kishte asnjë dokument që provonte se ishin kryer negociata apo marrëveshje paraprake me pronarët që do të shpronësoheshin. Megjithëse dosjet i janë dërguar Bashkisë së Tiranës për plotësim që në datë 30 dhjetor 2013, ato janë plotësuar dhe rikthyer pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm në datë 30 janar 2014, pra pas 1 muaji”,- sqaron ministria. 

Qeveria aktualisht është duke pritur ankimimet e pronarëve të truallit që do të shpronësohen.

Ky problem është shkaktuar nga qeveria e kaluar “e cila ishte më e shqetësuar të kthente SHQUP-in në seli Partie sesa të merrej me shpronësimin e tokës për varrezat publike”, akuzon Ministria ndërsa shton se është duke ndjekur procesin për zgjidhjen sa më shpejtë të këtij problemi, që ka krijuar përplasje mes Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës.

Redaksia online
(esh.shqiptarja.com)