Ilir Meta ka reaguar nga qelia për caktimin e datës 27 prill, si dita kur do të nisë në GJKKO seanca për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë. Meta thotë se do të jetë i pranishëm në çdo seancë, ndërsa akuzon qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe SPAK për montim të akuzave teksa e cilëson arrestimin e tij si burgosje politike.

Reagimi i Ilir Metës

Përshëndes caktimin e 27 Prillit si datën e nisjes së gjykimit tim në themel!

Do të jem atje, në çdo seancë, në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kam patur nderin t’ju shërbej në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.

Falenderoj dhjetëra gazetarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për të më intervistuar gjatë këtyre 19 muajve të rrëmbimit tim banditesk, e drejtë që nuk ju është mohuar as kundershtarëve  të Putinit në Rusi. I mirëpres të gjithë gazetarët dhe analistët më 27 prill në seancën e parë dhe i ftoj të jenë të pranishëm në çdo séancë.

Dihet se ku e ka selinë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri, atje ku ka hyrë Charles McGonigal dhe përfaqësuesi i Sinaloa-s. Por ata që ende nuk kanë gjetur guximin ta marrin njëherë në pyetje Kryetarin e Organizatës, natyrisht që do të firmosnin rrëmbimin tim kriminal që e pa e gjithë bota.

Ejani më 27 prill të shikoni se si u justifikua ky rrëmbim mafioz bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime. Ejani të gjithë të shikoni se si DIA ishte një krijesë jo vetëm de facto, por edhe de jure amerikane! Ejani të shikoni se si letërporositë janë nisur vetëm me qëllime mashtrimi të autoriteteve amerikane dhe të tjera!

Ejani për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, që do të nxjerrë në dritë të diellit se si Ramaforma është shndërruar në një “mundësi të madhe” vetëm për Kryekleptokratin e Tiranës dhe ndërkombëtarët e korruptuar si Charles McGonigal.


Lajmi kryesor:

Ilir Meta kërkon lirinë, Gjykata Kushtetuese komunikon vendimin për pak minuta! Më 27 prill nis gjyqi në themel në GJKKO