Me 62 vota pro dhe 46 kundër, votohet qeveria e re maqedonase

Me 62 vota pro dhe 46 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate.

Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski.

Prioritetet kryesore të ekzekutivit të ri të Maqedonisë së Veriut do të jenë përballja me krizën energjetike, zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja, tha shpreh Kovaçevski, i cili në Qeverinë e deritanishme ishte zëvendësministër i Financave.

“Nuk kemi dilema se duhet të jemi më efikas në punën tonë që të kemi rezultate më të mira në punë. Programi jonë i Qeverisë bazohet në disa shtylla, por prioritet mbetet përballja me krizën energjetike, ngritja e standardit jetësor si dhe investimet e huaja... Ne kemi edhe prioritete tjera shumë të rëndësishme, si luftimi i krimit dhe korrupsionit, rritja e efikasitetit të punës së administratës, modernizimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor si dhe parandalimi i largimit të të rinjtë nga vendi”, ka deklaruar Kovaçevski duke u ndalur më pas në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Negociatat me Bullgarinë do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, pasi jemi shtete fqinje dhe duhet të bashkëpunojmë në të gjitha sferat, si mundësi e vetme për të mirën e dy popujve dhe shteteve tona”, ka theksuar Kovaçevski.

Në postin e kryeministrit, Kovaçevski zëvendëson Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Pjesë e Qeverisë së re janë edhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Arbër Ademi, deputet nga BDI-ja, tha se Qeveria e re do të zbatojë në tërësi programin e saj, ndërsa u shpreh i bindur se në tre muajt e fundit të mandatit të saj, Qeverinë do ta drejtojë një kuadër shqiptar, pasi për këtë, sipas Ademit, janë pajtuar si LSDM-ja ashtu edhe VMRO-DPMEN-ja.

“Kjo arritje do të bëhet realitet dhe padyshim se do të jetë tregues i pjekurisë demokratike të vendit dhe promotori më i mirë i vlerave pro-evropiane të bashkëjetesës dhe përparimit. Të gjitha projektet e përmendura duhet të jenë shtysë dhe motiv për të vazhduar me punë të mirë. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe tani drejt sfidës së integrimit evropian le t’i përvishemi punës së bashku për ta integruar vendin aty ku e ka vendin, në familjen e madhe evropiane”, tha Ademi.

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare thanë se “Qeveria e Dimitar Kovaçevskit nuk është gjë tjetër, pos vazhdimësi e Qeverisë së korruptuar dhe të dështuar të Zoran Zaevit”.

Aleksandër Nikollovski, deputet i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për nxjerrjen e vendit nga, siç u shpreh ai, kriza e rëndë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike.

“Sot ne kemi një Qeveri pa legjitimitet të plotë, kemi Qeveri të fytyrave të vjetra. Kemi një Qeveri që është vazhdimësi e asaj të kaluarës, të korruptuar dhe të dështuar. Kjo Qeveri nuk ofron asgjë për të mirë e vendit dhe të qytetarëve të saj. Maqedonia nuk do të mund të dalë nga kriza ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike me këtë Qeveri. Zgjidhja e vetme për të konsoliduar dhe zhvilluar vendin tonë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë që të jetë e mundur”, u shpreh Nikollovski.

Halil Snopçe, deputet i partisë shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, tha se programi i Qeverisë në sferën e ekonomisë nuk do të realizohet, për shkak të, siç tha, krimit dhe korrupsionit të lartë në vend.

“Ju thoni që prioritet kryesor keni energjetikën, por si do e bëjmë tranzicionin energjetik me po të njëjtit njerëz. Ministri i Ekonomisë thoshte se nuk ka krizë energjetike, por ja doli se ka krizë energjetike. Flisni për investime, por investitorët e jashtëm nuk investojnë këtu për shkak se nuk kanë besim për shkak të korrupsionit të lartë, mosfunksionimit të gjykatave dhe ekonomisë joformale. Këtë nuk e them unë, por ‘Të bërit biznes’. Pra, së pari duhet të luftohet korrupsioni e pastaj të kërkojmë investitorë të jashtëm”, tha deputeti Halil Snopçe.

Qeveria e re ka mandat deri në vitin 2024, pasi paraqet vazhdimësi të Qeverisë së ish-kryeministrit, Zoran Zaev, që ishte zgjedhur në vitin 2020./ REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:26
PROFIL/ Kush është Dimitar Kovaçevski, kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 62 vota pro dhe 46 kundër dhe asnjë abstenim votoi për qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski.

Dimitar Kovaçevski është lideri i ri i LSDM-së, i cili u zgjodh në zgjedhjet e fundit  brenda partiake, pas dorëheqjes së Zoran Zaev.

Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, 47-vjeçari Dimitar Kovaçevski u lind në Kumanovë. Është doktor i shkencave ekonomike, profesor i asociuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit të Biznesit në Universitetin “American College” Shkup. Ai është ligjërues në studimet universitare, pasuniversitare dhe doktorale dhe është autor i punimeve të shumta shkencore në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit të botuara në revista shkencore dhe konferenca ndërkombëtare.

Karrierën e filloi në “Makedonski Telekom” Shkup si bashkëpunëtor financiar dhe koordinator për rregullimin dhe harmonizimin e kontrollit financiar (1998-2005), dhe më pas u gradua në një sërë pozitash menaxheriale, drejtor i marketingut dhe menaxhimit të shitjeve (2005-2008), drejtor i Komunikimeve të Marketingut (2008-2010), drejtor i Komunikimit (2010-2016) dhe drejtor i Shitjeve Rezidenciale (2016-2017).

Ai ishte pjesë e komitetit ndërkombëtar të markave dhe komitetit ndërkombëtar të komunikimit të Deutsche Telekom (2008-2016). Më pas u bë drejtor ekzekutiv i “One-Vip Macedonia”, “A1 Macedonia”, pjesë e grupit “Telekom Austria” (2017-2018). Është pjesë e krijimit të një kompanie startup të teknologjisë së lartë për prodhimin dhe zhvillimin e elementeve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme (2018-2020).

Gjatë karrierës së tij profesionale ka punuar në një sërë projektesh korporative për integrimin e proceseve të biznesit me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe profitabilitetit të kompanive. Ai është pjesë e ekipeve të projektit për implementimin e sistemit të integruar SAP për menaxhimin e operacioneve materiale dhe financiare dhe sistemit të integruar CRM për menaxhimin e klientëve.

Shkollimin e mesëm e filloi në gjimnazin “Goce Dellçev” në Kumanovë dhe e kreu në shkollën e mesme “Waterville Elizian” në Moristown, Minesota, SHBA. Në vitin 1998 u diplomua në Universitetin “St. Cirili dhe Metodius, Shkup, Fakulteti Ekonomik, dhe magjistroi në të njëjtin fakultet në vitin 2003. Studimet e doktoratës për ekonomi i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Malit të Zi në vitin 2008, ku ka doktoruar në ekonomi.

Ai përfundoi trajnimin e tij profesional në Shkollën e Biznesit në Universitetin e Harvardit në vitin 2011, Kolokiumin Evropian të Sipërmarrjes në Universitetin Teknik të Mynihut, ku u bë student i EFER EEC në 2015, Shkolla e Menaxhimit në Roterdam në Universitetin Erasmus në Holandë në vitin 2016 dhe Shkolla e Biznesit EADA në Barcelonë, Spanjë në vitin 2017.

Karrierën akademike e filloi si asistent profesor në Universitetin e Nju Jorkut në Shkup (2009-2012), dhe vazhdoi si profesor asistent në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit të Biznesit në Universitetin “American College” Shkup (2012-2018). Në vitin 2018 u zgjodh profesor i asociuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhimit të Biznesit në Universitetin e Kolegjit Amerikan.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mato: 17/01/2022 11:50

    Eshte Dhimiter Kovaci sado qe jane perpjekur ta maqedonizojn lumadhin.

    Përgjigju
  • Piano: 17/01/2022 11:04

    Më bëri përshtypje Arkitektura e Kuvendit me Kupolë Transparente in Vetro! Complimenti!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)