Me një armë zjarri pa leje, Adrian Gjebeshi, i njohur dhe si Adrian Merlika, ka rënë në prangat e policisë. 40-vjeçari është arrestuar në një hotel në pronësi të tij në zonën e Fushë-Krujës.
Veç armës, policia i ka sekuestruar edhe rreth 20 mijë euro dhe një jelek antiplumb.
Në prill 2017, Gjebeshi ishte arrestuar pasi ndodhej në kërkim për tentativë vrasjeje ndaj një 25-vjeçari në Krujë, episod i ndodhur në 2015.
Ai ka qenë i dënuar edhe nga shteti italian për trafik droge si dhe është i dyshuar si autor edhe të disa veprave të tjera penale si “Trafikimi i mjeteve motorike, vjedhje dhe grabitje me dhunë.”
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të intensifikuara ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, të cilët përbëjnë rrezik për përfshirje në vijim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në subjektin (hotel) në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u kryen arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento