Policia ka ekstraduar një tjetër të kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Me pranga në duar dhe i rrethuar nga forca të shumta policie të armatosur, është sjellë nga Abu Dhabi, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar me 3 emra Arjan Malko, alias Erjon Malko, alias Erjon Fejzulla.

Sipas policisë, Arjan Malko ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Roma, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti me burg për trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim.

'Policia e Shtetit realizon një tjetër operacion të suksesshëm për sjelljen në Shqipëri të personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet një tjetër operacion për sjelljen në Shqipëri të një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht.

Sot më datën 21.08.2024, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”,  nga strukturat e specializuara dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale është realizuar operacioni policor për sjelljen nga Abu Dhabi në Shqipëri e shtetasit në kërkim ndërkombëtar:

A. M, alias  E. M, alias E. F.  

Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Hetimeve të Torinos, Itali ka lëshuar për këtë shtetas masën e sigurisë personale  urdhër “Arrest në burg” më dt.11.04.2024, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga legjislacioni penal italian, i cili parashikon maksimumin e dënimit me 20 vjet.'- njofton policia.