Ish-deputeti i PD-së Edmond Spaho e konsideron të pakuptimtë kundërshtimin ndaj investimit 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, duke argumentuar se projekte të këtyre përmasave janë të rralla jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.

Sipas tij, vendi ka nevojë për investime të mëdha në turizëm dhe për marka ndërkombëtare që sjellin standarde të reja zhvillimi, ndërsa kundërshtimin ndaj investimit e cilësoi si 'marrëzi shqiptare.'

“Ky është një investim shumë i madh. Të tërheqësh investime të tilla në turizëm është e vështirë në mos e pamundur. Rrallë ndodh që të vijë një investitor i të tilla dimensioneve dhe kompani menaxhimi që ka dhjetra resorte në mbarë botën dhe është e specializuar për menaxhimin e zonave të ndjeshme. Protesta më duket shumë e çuditshme. Më duket një marrëzi shqiptare. Ne kemi nevojë që të zhvillohemi ekonomikisht”, tha Spaho gjatë një interviste me Nertil Agalliun në emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV 

Sipas ish-deputetit demokrat, projekti rrezikon të goditet edhe për shkak të konkurrencës që mund të krijojë në tregun rajonal të turizmit. Ai ngriti disa pikëpyetje për reagimet që kanë ardhur nga Greqia dhe interesimin që, sipas tij, media dhe politika greke po tregojnë për zhvillimet në Zvërnec.

“Turizmi sot është masiv. Ndonëse është ndërtuar në pjesën dërrmuese të jugut dhe kemi konsumuar pjesën më të madhe, nuk kemi një brand që të operojë në Shqipëri. Ndërto vila dhe shit. Ky nuk është turizëm, kjo është të shkatërrosh pasuritë e tua. Më duket sikur me qëllim a nga mos dija po i kundërvihen një investimi që duhej të ishte i shumëpritur. Këtu mund të ketë arsye politike dhe ekonomike të nxitura nga jashtë. Është edhe konkurrenca e madhe në turizëm. Në Evropë nuk ka shumë resorte të nivelit të lartë. Të shtohet një resort i këtyre përmasave me 10,000 shtretër me një kosto 4 miliard dollarë, do të thotë të lindë një konkurrent i ri që merr klientë nga këta, aq më tepër që do të ndërtohet me konceptet më të fundit të kohës. Ça ka shtypi grek me Zvërnecin? Ça ka ajo eurodeputetja greke që ka kërkuar përzënien e ambasadorit shqiptar nga Greqia për shkak të dhunës së ushtruar në Zvërnec, apo njerëz që vijnë me autobuzë dhe protestojnë për Zvërnecin. Edhe mënyra se si lindi dhe u zhvillua protesta të bën të dyshosh pasi menjëherë shpërtheu si me të shtypur të sustës. Të gjtha këto të bëjnë të dyshosh se këtu ka interesa ekonomike. Pastaj, këtu fondamentalistët e mjedisit nuk ngren zërin pse Zvërneci është mbuluar nga plehrat. Nuk u kujtuan këta kur bregdeti i jugut u betonizua" u shpreh ai. 

Ish-deputeti demokrat komentoi edhe qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj protestës, duke e cilësuar të paqartë dhe kontradiktor. Nga ana tjetër, ai mendon se Berisha vazhdon të shpresojë se do t'i hiqet non-grata dhe për këtë arsye e mbështet projektin. Por kjo nuk është e vetmja arsye sipas tij. 

“Partia Demokratike po më duket si një pulë pa kokë. Në një anë ka deklaruar se mbështet investimet e huaja dhe nga ana tjetër deputetë të PD hedhin statuse në Facebook me pamje nga protesta. Kanë shumë dëshirë të ikë Rama dhe shpresojnë që t’ia heqë vrullin që ka shpërthyer tani. PD ka dy pengesa kryesore. Njëra është ajo e amerikanëve se shpresojnë që t’i hiqet non grata dhe s’duan t’i përkeqësojnë raportet dhe e dyta është edhe një mik i PD që do të jetë investitor në atë projekt. Shoh deputetë të opozitës që mezi presin t’i bëjnë jehonë protestës dhe shpresojnë të bjerë Rama”, tha ai.

Për ish-deputetin demokrat, mbetet e pashpjegueshme që një investim i këtyre përmasave po përballet me një kundërshtim kaq të organizuar, ndaj ai këmbëngul se debati nuk mund të reduktohet vetëm te çështjet mjedisore apo te pakënaqësia qytetare. 

“Ka disa pikëpyetje të mëdha në histori që të lënë të dyshosh se këtu po luhet politikisht dhe ekonomikisht”, përfundoi Spaho.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:56
Spaho rrëzon narrativën e ripërtëritjes në PD: Me këtë model Berisha do ta ketë të pamundur të rivalizojë PS-në në zgjedhjet lokale

Sali Berisha dhe PD-ja e tij po sillet sikur nuk ka humbur zgjedhjet e 2025-ës dhe për sa kohë nuk pranon përgjegjësitë e as nuk ndryshon drejtimin politik, nuk ka gjasa të rikthehet si alternativë qeverisëse. Ky është vlerësimi i ish-deputetit demokrat Edmond Spaho, i cili shprehet skeptik për procesin e ripërtëritjes në parti dhe për mundësinë që ajo të rikthehet si rivale serioze e PS-së në zgjedhjet e ardhshme. Këtë e deklaroi ish-deputeti demokrat Edmond Spaho gjatë një interviste me emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me Nertil Agalliun në Report TV

“Si u bënë zgjedhjet për kryetarë partie ashtu ishin edhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar. Nuk pashë ndonjë risi. Po të shohësh listën, janë të njëjtët që kanë qenë në 2-3 palë zgjedhje. Nuk pres ndonjë ndryshim. Do të ketë kozmetikë se i duhet kryetarit për të vërtetuar tezën për ripërtëritjen e partisë. Fryma, thelbi do të mbetet njësoj. PD do e ketë të pamundur, të jetë rivale serioze me PS në zgjedhjet e ardhshme. Jam pesimist për zgjedhjet lokale sepse askush në PD nuk bëri një analizë të zgjedhjeve të 2025, atij rezultati katastrofik. Askush nuk mori përgjegjësi, ndërsa kryetari shkeli nenin që e kishte hartuar vetë. Bujar Leskaj dha dorëheqjen por asnjeri tjetër nuk dha njeri dorëheqjen për shkak të rezultatit të dobët" tha ai. 

Për ish-deputetin demokrat, pa reflektim, pa përgjegjësi dhe pa hapje reale të partisë, Partia Demokratike do ta ketë të vështirë të bindë votuesit se mund të përbëjë një alternativë të besueshme qeverisëse në të ardhmen.