Më e mira po vjen, për ata që e kërkojnë

Më e mira po vjen, për ata që e kërkojnë

 

Hapa të vegjël, trasformim i ngadaltë, përpjekje të përditshme, por ndryshimi po ndodh. Çdo ditë e më shumë shtohen shqiptarët ndryshe, shqiptarët e mirë, shqiptarët e mendimeve konstruktive dhe të punës. Rrjetet sociale janë një matës i sipërfaqes, e pas sipërfaqes ndryshimi do të kryhet përherë e më thellë. Ne, shqiptarët, “adoleshentë” të qytetërimit modern të Europës, që në gjithë këto vite pas daljes nga “kafazi” i diktaturës kemi mbetur peng i ndjenjave tona ekstreme, po ndryshojmë. Ne të urrejtes ekstreme e të dashurisë pa kufi, po zbulojmë se ka dhe një rrugë të mesme: rruga e qytetarisë, respektit, mirësjelljes, por sidomos rruga e të qënit të drejtë dhe rruga e peshës së fjalës.

Duke qenë optimiste e pakorrigjueshme, ndoshta shoh e ndjej në ajër grimca që janë të padukshme e të paperceptueshme për realistët dhe pesimistët në vendin tonë, por besoj se rruga e daljes në dritë është e pashmangshme.

Të kërrusur gjithë këto vite nën peshën e sharjeve, shpifjeve e përuljeve të kollajta, nuk kemi mundur të shohim qiellin e bukur shqiptar, lëndinat, kodrat, lumenjtë e pemët. Nuk kemi mundur të zbukurojmë e të pastrojmë oborret, ballkonet e dritaret tona, nga zilia e cmirësia që na ka rënduar këmbët duke parë jetën e të tjerëve e duke dëgjuar të tjetër se çfarë thonë për ne. Ne, që oborret, sokakët, rrugicat, i kemi mbajtur përherë të mrekullueshëm. Ne, që bënim garë se kush ka më shumë trëndafila dhe pemët më të bukura, harruam këto vite ta bëjmë. Në rrjetet sociale u bënë më të shumtë ndjekësit e qaramanëve, të shpifarakëve, të manipuluesve. Sa kollaj, edhe njeriu që dukej mëse normal, vendoste pëlqime sapo dikush “fëlliqte” një tjetër. Askush nuk e peshonte apo edhe peshon fjalën para se ta thotë, ndërsa kryqëzon viktimën e radhës jo se e ka njohur vetë, ka parë apo ka dokumentuar sharjen, por mjafton me një përshtypje të të tjerëve. Por sa do të vazhdojë kjo lajthitje kolektive, kjo zili ngjitëse e urrejtje zinxhir?

Do të vazhdojë derisa secili prej nesh, me radhë, njëri pas tjetrit, të kuptojmë vlerën e natyrës dhe të efekteve të mira të saj mbi ne, vlerën e punës e sidomos moshumbjen e kohës me gjëra e njerëz që nuk i njohim e nuk na përkasin jetët e tyre. Në këto kohë karantine shumë bashkëatdhetarë me foto, fjalë, veprime i thurin himn natyrës dhe gjërave të vlefshme në jetë. Evokojnë logjikën në vend të ulërimave, duke treguar se është e vetmja rrugë e drejtë dhe e mirë. Shtohen përditë e më shumë shqiptarët e fjalës dhe të fakteve, duke u larguar nga errësira e fjalëkëqinjve dhe sa më shumë të bëhen, aq më mirë punët dhe jeta do të shkojë edhe në Shqipëri.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • klaudia: 02/05/2020 17:03

    Shpresojme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Honda shkrihet me Nissan sjellin kompani të re të përbashkët prodhimi

Honda shkrihet me Nissan sjellin kompani të re të përbashkët prodhimi