Me flamuj dhe veshje tradicionale, kremtohet sot dita e ‘Jo-së’ greke në manastirin e Këlcyrës! Krah nënës së Katsifas ish-kampioni në peshëngritje Piro Dhima

Dita e JO-së greke, që përkujton fundin e luftës italo-greke 81 vite më parë, është kremtuar në zonat minoritare të Gjirokastrës.

Ceremonia e parë është zhvilluar në varrezat e ushtarëve grekë në Grykën e Këlcyrës ku është mbajtur një meshë në Manastir dhe më pas janë vendosur kurora me lule në varrezat ku prehen eshtrat e 650 ushtarëve të rënë në luftën italo-greke 1940-1941.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadorja greke Sofia Filioidhu, konsulli grek i Gjirokastres, zv ministri i Jashtëm grek Andreas Kasanjotis, si dhe deputetët minoritare të Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule dhe Niko Kuris.

"Emocionet që më kanë pushtuar janë ato të lumturisë sepse jam këtu pranë jush për herë të parë jam në tokën e lyer me gjakun e paraardhësve tanë, njerëzve që dhanë jetën 81 vjet më parë për të mbrojtur atdheun", tha Kasanjotis.

Ceremonitë kanë vijuar në fshatin Bularat në Bashkinë Dropull, ku në krah të nënës së Konstantinos Katsifas, u pa ish-kampioni botëror në peshëngritje, Piro Dhima. Pas meshës, deputeti Nikos Kuris ka ndezur një qiri në varrin e Katsifas.

Ndryshe nga vitet e tjera kur pati mobilizim policor për shkak të frikës nga tensionet, këtë vit ceremonia ka kaluar e qetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:04
Përvjetori i ‘Jo-së’ dhe fillimi i luftës greko-italiane, Greqia feston ‘nën hijen e rëndë të pandemisë’

Ndryshe nga vendet e tjera që festojnë dhe kanë vendosur si ditë pushimi ditët e përfundimit të dy luftërave botërore, Greqia ka vendosur si festë kombëtare futjen në Luftën e Dytë Botërore, fillimin e luftës greko-italiane. Në Greqi, të gjithë përvjetorët e mëdhenj kombëtarë janë të lidhur me fillimin dhe jo me përfundimin e një lufte, d.m.th. me pjekurinë e kombit për revoltë kundër skllavërisë (25 Mars) ose fashizmit (28 Tetor).

Në orët e para të mëngjesit së 28 tetorit të vitit 1940 qeveria e atëhershme italiane i dërgoi një ultimatum Greqisë, nëpërmjet ambasadorit italian në Athinë, Emanuele Grazzi, i cili ia dorëzoi personalisht kryeministrit grek, Ioanis Metaksas, në shtëpinë e tij, me të cilën kërkonte kalimin e lirë të trupave italiane nga kufiri greko-shqiptar, në mënyrë që në vazhdim të pushtojë disa pika strategjike të Mbretërisë së Greqisë (porte, aeroporte, etj.), për nevojat e furnizimit dhe për lehtësira të tjera, për avancimin në Afrikë. Pas leximit të tekstit, kryeministri grek ktheu shikimin e tij tek ambasadori italian dhe u përgjigj në gjuhën franceze (gjuha zyrtare diplomatike) me frazën historike: "Alors, c'est la guerre", (Pra, kjo do të thotë luftë), duke treguar kështu pozicionin negativ mbi kërkesat përbuzëse italiane.

Vetë Grazzi në kujtimet e tij, që u botuan në vitin 1945, përshkruan këtë skenë: "Kam urdhër z.Kryeministër t'ju bëj një njoftim", dhe i dhashë letrën. Unë pashë emocion në duart dhe në sytë e tij. Me një zë të qëndrueshëm dhe duke më parë në sy, Metaksas më tha: Kjo do të thotë luftë. Iu përgjigja se kjo mund të shmanget. M'u përgjigj OXI! (JO!). U largova duke u përkulur me respektin më të thellë, para këtij plaku, i cili preferoi sakrificën, në vend të skllavërisë".

Dy orë pas ngjarjes së mësipërme, filloi lufta greko-italiane me futjen e trupave pushtuese italiane, kështu, Greqia për t'u mbrojtur u përfshi në luftë.

28 tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si dita e 'JO'-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare.

Ky vit do të festohet sërish “nën hijen” e pandemisë dhe masave anti-COVID, për shkak të rritjes së rasteve dhe viktimave nga virusi, ditët e fundit në vend.

Ndërsa çdo vit rrugët greke, mbushen me flamuj dhe parada për të nderuar këtë ditë të rëndësishme, sot, shumë nga vendet kryesisht në pjesën veriore të vendit kanë anuluar aktivitetet.

J.GJ./B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë