Pr/buxheti 2025 do jetë 8.2 mld euro, 600 mln euro më shumë se ky vit! Qeveria ndan vetëm 53 mln euro për indeksimin dhe bonusin e pensionistëve

Tirane-   Buxheti për vitin 2025 planifikohet të arrijë në vlerën 8.2 (822.7 mld lekë) miliardë euro afro 600 milionë euro më shumë se buxheti i këtij viti. 

Në projektbuxhetin e hartuar nga Ministria e Financave, thuhet se të ardhurat do të arrijnë në 754.6 mld lekë ose afro 7.5 miliardë euro me rritje prej afro 510 milionë euro nga viti aktual. Ndërsa deficiti buxhetor është planifikuar në vlerën e 680 milionë euro.

Në projektbuxhet është parashikuar edhe emetimi i një eurobondi në vlerën 650 milionë euro, ndërkohë që pritet ulje e konsiderueshme e borxhit publik.

“Borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 për qind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 për qind në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 për qind në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 për qind në vitin 2031”, thuhet në relacion.

Buxheti i vitit që vjen pritej që ti përgjigjej edhe sfidës së pensioneve dhe reformës së re të paralajmëruar nga qeveria, që pritet të prezantohet vitin e ardhshëm. Por në fakt janë planifikuar vetëm 16 mln euro për indeksimin e pensioneve dhe 37 mln euro për bonusin e fundvitit. Qeveria do të vijojë të financojë edhe në 2025-ën rindërtimin e vendit pas tërmetit të 2019-ës, me 50 milionë euro, që të përmbyllet i gjithë procesi.

“Fondi i rindërtimit për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 prej 5 000  milionë lekësh përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara të viteve të mëparshme dhe pjesa e mbetur për projekte të reja. Ky fond shton kufijtë e shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion në nivel programi dhe kufijtë e transfertës së pakushtëzuar, të miratuar në tabelat 1 dhe 3, të përmendura në nenet 11 dhe 15, të këtij ligji”, thuhet në draft. 

Sa i takon pushtetit vendor buxheti për të gjitha bashkitë është planikuar në 899 mln euro.

“Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024 është 1.8 miliardë lekë më shumë ose rreth 7.6% më e lartë, dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale), është 13.9 miliardë lekë më shumë ose mbi dy herë më e lartë”, thuhet në relacion.

Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të kenë portofolin më të madh. 

Kjo ndarje buxhetore dhe parashikimet e bëra sipas ministrisë i përgjigjen edhe pritjes për një rritje ekonomike 3.9 përqind për periudhën 2025-2027.

Report TV dhe shqiptarja.com e kishin raportuar me heret qe buxheti do te ishte 8.2 mld euro dhe te ardhurat 7.5 mld euro.

Buxheti për vitin 2024 është:
Të ardhurat   714 068 milionë lekë
Shpenzimet 771 348 milionë lekë;
Deficiti    57  280 milionë lekë.
Buxheti për vitin 2025 është:
Të ardhurat 754 650 milionë lekë; 
Shpenzimet 822 702 milionë lekë; 
Deficiti 68 052 milionë lekë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Lajmi në përditësim... 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:54
Pagesat për koncesionet në vitin 2025 arrijnë në 14.2 mld lekë! Rruga e Arbrit dhe kontratat në shëndetësi marrin vlerat më të mëdha

Tirane- Buxheti i vitit 2025 do të financojë 10 kontrata koncesionare. Sipas relacionit të projektbuxhetit pagesat për kontratat koncesionare do të arrijnë në vlerën 14.2 miliardë lekë, nga 14 miliardë lekë që është vlera e pritshme për tu shpenzuar këtë vit. Pra gjatë vitit të ardhshëm do të shpenzohen 204.5 milionë lekë më shumë se viti aktual për koncesionet. 

“Për vitin 2025, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.2 miliardë lekë. Rrjedhimisht, në buxhetin 2025 respektohet kufizimi ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej rreth 14.2 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2025, përbën vetëm 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2024 prej rreth 655.7 miliardë lekë”, thuhet në relacion.

Vlerën më e madhe e pagesave do të shkojë për koncesionin e Rrugës së Arbrit prej 3 miliardë e 360 milionë lekë, ndjekur nga kontratat koncesionare të shëndetësisë ajo e sterilizimit dhe e shërbimeve laboratorike që do të përfitojnë pagesa nga 1.9 miliardë lekë secila. Më pas vjen koncesioni i skanimit në doganë me 1.5 miliardë lekë pagesa, për të bijuar me inceneratorin e Tiranës me 1.2 miliardë lekë pagesa.


Pagesat për kontratat e koncesioneve
-Rruga e Arbrit 3 miliardë e 360 milionë lekë
-Autostrada Milot-Morinë 720 mln 
-Porti i Jahteve Orikum-Dukat 956 mln lekë
-Skanimi në dogana 1 miliardë e 573 milionë lekë
-CHECK UP- me pagesë në vlerën 876 milionë lekë 
-Për koncesionin e sterilizimit do paguhen 1.9 miliardë lekë. 
-Për Ofrimin e shërbimit të dializës 960 milionë lekë
-Për shërbimet laboratorike 1.9 miliardë lekë
-Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë 715.1 milionë lekë 
-Për inceneratorin e Tiranës 1 miliardë e 270 milionë lekë
PAGESAT PËR KONCESIONET 
Viti 2024         14,023,580 mijë lekë
Viti 2025         14,231,130 mijë lekë
Rritja                +207,550 mijë lekë
S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 28/10/2024 14:33

    Buxhet ne rritje per 2024 eshte gje pozitive por ajo qe me habit eshte marrja e nje borxhi te ri si dhe llogaritja e buxhetit me deficit 600 milion euro. Populli thote shtriji kembet sa ke jorganin! Pagesa e interesave te borxhi eshte qindra milion dollar . Mos valle jemi perball nje skandali financiar nga “ dashamuresit “ e qeverise ! Ulja e borxhit jep siguri ekonomike dhe financiare per shtetin prandaj duhet qe qeveria per krimin ekonomik per koncensionet duhet reagoje duke mbyllur kontratat me ato sic u veprua me aleat dhe SGS sidomos kjo e fundit ishte klienteliste dhe duhet te jete objekt i Spakut

    Përgjigju
  • Keli: 28/10/2024 14:27

    Njesoj si te thuash kur ke ditlindjen. Sot me i madh se asnjehere. Une si qyterar nuk e ndjej rritjen e buxhetit te sherbimet qe marr. Kos valle rritja e taksave direkte dhe indirekte ka rrit dhe buxhetin?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD proteston duke bllokuar rrugët kryesore në vend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

U arrestua në Dubai, konfirmohet se Durim Bami do ekstradohet drejt Shqipërisë! Konfliktet me ish-deputetin Ndoka dhe dosja 'Revanshi'

U arrestua në Dubai, konfirmohet se Durim Bami do ekstradohet drejt Shqipërisë! Konfliktet me ish-deputetin Ndoka dhe dosja 'Revanshi'