Një videoskandal po qarkullon në rrjet, ku një grup të burgosurish festojnë brenda në një qeli në paraburgimin e Durrësit. Në videon e publikuar nga gazetari Flamur Vezaj në emisionin “MaShqip”, dallohen brenda qelisë personazhe të njohur të botës së krimit, të konsideruar edhe me rrezikshmëri të lartë, si ish-kreu i bandës së Durrësit Lul Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa alias Mitralozi, të cilët po festojnë në qeli me telefon, alkool e lëndë narkotike.
Në video, vihet re numri i lartë i të burgosurve që janë bërë bashkë brenda një qelie, një televizor i madh në sfond, si edhe muzikë për të kërcyer e gotat e mbushura me alkool. Lulzim Berisha dallohet në të majtë të videos, me bluzë me ngjyrë blu, i ulur në tavolinë ndërsa filmon edhe shokët e qelisë që kërcejnë dhe hidhen në “krahët e njëri-tjetrit”.
Në një reagim pas publikimit të videos, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se video është filmuar para janarit dhe se një pjesë e të burgosurve që shfaqen në pamje janë identifikuar, por disa rezultojnë të jenë liruar ose transferuar në burgje të Sigurisë së Lartë, si Lul Berisha.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve thotë ka nisur një hetim për të gjithë personat e identifikuar në video, si edhe për zinxhirin komandues në burgun e Durrësit. Por, theksojmë se periudha kur është filmuar video përkon pak para skandalit të arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci, që solli shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit dhe arrestimin e një pjese prej tyre. Indrit Cerloj ishte drejtori i Burgut të Durrësit në kohën kur është filmuar video, por edhe ai është shkarkuar dhe ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për shpërdorim detyre pas arratisjes së Ndocit.
"Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë", thuhet në deklaratë.
Drejtoria e Burgjeve shprehet se ditën e sotme, 1 maj, janë ushtruar kontrolle në disa institucione të sistemit penitenciar, përfshirë paraburgimin e Durrësit, ku janë sekuestruar 3 celularë. Burgjet thonë se, “poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video” dhe se ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Të burgosurit që shfaqen në video konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe në paraburgimin e Durrësit mbaheshin në një seksion të sigurisë së lartë. Ish-kreu i bandës së Durrësit u ekstradua nga Spanja vetëm 1 vit më parë, pasi u shpall në kërkim nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut në 2005. Ai akuzohet për “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal. Me drejtësinë shqiptare ai ka edhe një dënim të vjetër për të shlyer për vrasje dhe trafiqe ilegale në vitet 1998-2000.
Islam Kasa alias Mitralozi, 53 vjeç, është arrestuar pasi Gjykata e Apelit në Bolonja e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprën penale “Trafikim i drogave”. Ndërsa, administratori i klubi të futbollit “Korabi” në Dibër, Fehmi Meziu (Mëziu) u arrestua pasi Gjykata e Apelit në Napoli e dënoi me 13 vjet burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Organizatë kriminale”.
Publikimi i kësaj video me kriminelë që bëjnë jetë si "sheik" nëpër burgje vjen në një kohë kur politikanë që ndodhen në burg, si Erion Veliaj apo Ilir Meta janë ankuar për kontrolle të befta nëpër qeli dhe shkelje të të drejtave, ndërkohë që kriminelët e akuzuar për një sërë veprash të rënda penale janë mbledhur bashkë duke festuar, madje edhe kujdesen që festën ta filmojnë me celularët që kanë në mënyrë të jashtëligjshme brenda në qeli.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është ankuar disa herë për shkeljen e të drejtave ndërsa qëndron në paraburgimin e 313-ës. Shkeljet ndaj Metës janë evidentuar edhe në një raport të fundit të publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit që flet për shkelje të të drejtave minimale e cenimit të dinjitetit njerëzor. Në raport thuhet se Metës nuk i respektohet koha e daljes në ajrim dhe i kufizohen takimet me deputetët dhe familjen.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas videos së publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, ku dallohen brenda një qelie personazhe të njohur të botës së krimit, të konsideruar edhe me rrezikshmëri të lartë, si ish-kreu i bandës së Durrësit Lul Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa alias Mitralozi, të cilët po festojnë në qeli me telefon, alkool e lëndë narkotike.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se një pjesë e personave të shfaqur në video janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lajmëron se menjëherë pas qarkullimit të videos kanë nisur procedurat për hetim, pjesë e të cilit do të jetë i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit.
Më tej, Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se gjatë kësaj periudhe në disa Institucione të Vuajtjes së dënimit janë ushtruar kontrolle, ku sipas tyre janë gjetur edhe celularë.
Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon:
Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.
Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.
Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.
Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.
Komente










