Një vajzë 17-vjeçare në Vlorë ka mbetur e plagosur në gjendje të rëndë si pasojë e një plage në kokë të shkaktuar nga arma e zjarrit. Ngjarja ka ndodhur sot pas mesditës, ndërsa arma e zjarrit ende nuk është gjetur. Pas ngjarjes, familjarët e kanë fshehur bashkë me gëzhojën dhe kanë pastruar vendngjarjen.

Sipas korrenspondentit Armand Xhelili, e mitura nga Rromsi, u dërgua në spital nga vetë familjarët. Ajo mbërriti e plagosur në spital. Policia e Vlorës zyrtarisht njofton se dyshohet që e mitura të jetë vetëplagosur me pistoletë.

“Sot, rreth orës 11:40, është paraqitur në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore, një shtetase e mitur 17 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri pistoletë, në banesën e saj, në lagjen “Kushtrimi”. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën të ditur policia.

Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Vlorës, 17-vjeçarja u nis për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas bluzave të bardha, 17-vjeçarja ka qenë e vetëdijshme kur ka mbërritur në ambientet e Spitalit të Vlorës, por në momentin e parë ajo ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në koma.

Sipas mjekëve, ka dy dëmtime në kokë; njëra prej të cilave tejshpuese. Sipas mjekëve, e mitura H.H është e intubuar. Ndërkohë që forca të shumta të policisë, por dhe drejtori i Policisë së Vlorës, kanë shoqëruar babain e vajzës. I ati e kundërshtoi shoqërimin e tij me forcë, pasi kërkonte që të shkonte në Tiranë për të shoqëruar vajzën e tij.

Sipas informacioneve, 17-vjeçarja ka qenë në shtëpinë e gjyshërve kur u plagos me armë në kokë në rrethana të paqarta. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për të ndërtuar dinamikën dhe zbardhjen e ngjarjes së rëndë.