Rastet e kundërshtimit të forcave të policisë, kundravatje penale për të cilën rrezikon nga gjobë deri në 7 vjet burg, kanë pasur një rënie të ndjeshme. Krahasuar me 1 vit më parë, ku thuajse raportohej 1 rast në 2 ditë, në 3 muajt e parë të këtij viti ishin vetëm 17 raste. 

***

Para një jave kur në Durrës një 44-vjeçar totalisht i dehur përplas makinën e policisë në tentativë për t’iu mos bindur urdhrit të bluve për të ndaluar. Pas testimit, shoferi rezultoi totalisht i dehur me 1,4 mg/l alkool në gjak.

Si ky rast, episode të ngjashme i ndodhin shpesh efektivëve të policisë në punën e përditshme, shpesh me rrezikshmëri shumë të lartë për sigurinë e tyre.

Një operacion i Antidrogës së Tiranës në mars 2024, për pak sa nuk u kthye në tragjedi në fillim të Rrugës së Kavajës. Agjentët do të ndërhynin në një automjet pas informacioneve se brenda tij kishte kokainë që do të shkëmbehej mes grupeve të trafikut. Sapo u afruan, automjeti i bardhë lëvizi mbrapsht, duke tentuar të shtypë efektivët e policisë. Në kushtet e vetëmbrojtjes, një polic qëlloi drejt shoferit të makinës, të cilin e la të plagosur. I riu u arrestua në flagrancë me 2 të tjerë, ndërsa për të, përveçse u ngrit akuza e prodhimit dhe shitjes së drogës, pas gjetjes së 1 kg kokainë në makinë, iu atribuua edhe vepra penale e kundërshtimit të punonjësit të policisë.

Jo rastësor është kundërshtimi i policisë kur bëhet fjalë për ndalim verifikimi të personave me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim për ngjarje të rënda.

Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, të cilat Report Tv i siguron zyrtarisht, vetëm gjatë vitit 2025 u regjistruan në të gjithë vendin 199 raste të kundërshtimit të punonjësit të policisë. Pra më shumë se 1 rast në 2 ditë. Shifrat janë në rënie gjatë 3 muajve të parë të vitit 2026, pasi në janar, shkurt dhe mars u regjistruan në total, vetëm 17 raste, thënë ndryshe 1 rast në 5 ditë.

Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, sipas Kodit Penal, konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 7 vjet.

Burime pranë policisë thonë se në pjesën më të madhe të rasteve, është e kombinuar me vepra të tjera penale. Pra, kundërshtojnë policinë për kontrolle, ata që kanë diçka të jashtëligjshme në makinë apo trup, që mund të jetë armë ose drogë dhe në raste të tjera i shpallur në kërkim me vendim gjykate, apo që mund të ketë thyer masën e sigurisë. Kombinimi i veprave, në gjykatë e rrezikon në dënime me të ashpra.