Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi këtë të hënë mbledhjen e radhës, në fokus të së cilës ishin vendimmarrje që lidhen me zhvillimin dhe forcimin e futbollit shqiptar.
Një nga vendimet e kësaj mbledhjeje ishte emërimi i Drejtorit të ri Teknik të FSHF-së, një pozicion kyç në drejtimin strategjik dhe zhvillimin afatgjatë të futbollit në vend.
Komiteti Ekzekutiv miratoi emrin e Abdyl Kuriut në detyrën e Drejtorit të ri Teknik të FSHF-së. Ish-anëtar për 16 vite në Komitetin Ekzekutiv, Kuriu sjell një përvojë të gjerë në fushën e futbollit, si edhe një kontribut të vyer në aspektin akademik dhe institucional.
Falë eksperiencës së tij shumëvjeçare dhe njohjes së thellë të strukturave të Federatës, ai është konsideruar një profil i përshtatshëm për të adresuar sfidat dhe për të çuar përpara projektet zhvillimore të futbollit shqiptar. Komiteti Ekzekutiv vlerësoi maksimalisht emrin e Abdyl Kuriut, duke e miratuar atë me votë unanime. Abdyl Kuriu u tërhoq nga zgjedhjet e 16 shkurtit për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, rol që e mbajti për katër mandate.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur më 9 prill, italiani Fulvio Pea zyrtarizoi largimin pas tre vitesh nga posti i Drejtorit Teknik të FSHF-së.
Komente











