Gazeta Kathimerini i kushtuar një reportazh të gjatë organizimit të protestës në Zvërnec dhe përfshirjes së minoritarëve grekë. Sipas saj, nga Athina ishin nisur dy autobusë me protestues për në Zvërnec. Madje, Kathimerini shkruan se kryebashkiakia e Vlorës, Brunilda Mersini ka zhvilluar një takim në Ilion të Atikës me disa banorë për këtë çështje, ku të pranishëm kanë qenë edhe dy avokatë nga ana e investitorëve.
Artikulli i plotë i Gazetës Kathimerini
Takimi me përfaqësuesit e shoqatës së Zvërnecit në Athinë ishte organizuar rreth një javë më herët, me nismën e palës shqiptare, me qëllim që të “zgjidhej keqkuptimi” rreth investimit turistik prej 4 miliardë dollarësh që planifikohet në veri të fshatit të tyre. Përpjekja për afrimin e palëve u bë pasi ishte vendosur një gardh me tela me gjemba në vijën bregdetare shqiptare. Të shtunën, gjatë një tubimi të banorëve në atë zonë, ndodhën incidente të rënda, ku një protestues u dhunua.
Rrethimi me gardh bllokoi hyrjen në plazhe dhe në tokat që dikur kultivoheshin nga banorët vendas – toka për pronësinë e së cilës ata zhvillojnë prej vitesh beteja gjyqësore. Për komunitetin lokal, gardhi ishte një “shfaqje force” nga interesat e biznesit. Ata nuk kishin pritshmëri të mëdha nga takimi që ishte planifikuar në Athinë.
Pasditen e vonë të së mërkurës së kaluar, rreth dhjetë emigrantë nga Zvërneci pritën në Ilion të Atikës kryetaren e Bashkisë së Vlorës, një ndihmës të saj dhe dy avokatë nga pala e investitorëve. Sipas banorëve, diskutimi zgjati rreth dy orë, por nuk çoi askund.
Ishte tashmë e njohur se ata planifikonin të protestonin të shtunën, më 30 maj, përpara gardhit dhe pala tjetër kërkonte të zbusë reagimet e tyre. “Qëllimi i tyre ishte që protesta të mos zhvillohej. Na thoshin se donin të na mbronin, që të mos ndodhte ndonjë incident”, deklaroi për gazetën “Kathimerini” Aleksandros Pulas, i cili mori pjesë në atë takim.
Më shumë se 300 persona u mblodhën në protestën e së shtunës. Nga Athina ishin nisur të premten në mbrëmje dy autobusë, ndërsa shumë pjesëmarrës të tjerë kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Greqisë me automjetet e tyre private.
“Kur iu afruam gardhit, i lamë protestuesit rreth dhjetë metra pas dhe së bashku me kryetarin e fshatit, Kostas Konomi, folëm me drejtuesin e policisë”, thotë Pulas. Sipas tij, ata kërkuan të kalonin gardhin, të protestonin për rreth 15 minuta brenda zonës së bllokuar dhe më pas të largoheshin. Do të ishte një veprim simbolik.
“Nuk do të hynim për të shkatërruar. Ende nuk është ndërtuar asgjë në zonë dhe nuk kishte makineri aty”, thekson ai.
Megjithatë, pas gardhit ishin mbledhur burra të veshur me të zeza, pa shenja identifikuese, të cilët ngjanin me pjesëtarë të një kompanie private sigurie. Sipas dëshmive të banorëve, disa prej tyre i kërcënonin, i filmonin me telefonat e tyre dhe mbanin shkopinj gome.
“Ishin aty vetëm për të na frikësuar”, thotë Pulas.
Dhunimi
Siç shihet në videot që qarkulluan më vonë në internet, një nga protestuesit qëndroi në pjesën ku nuk kishte gardh, por vetëm tela me gjemba. Ai shkeli mbi to dhe foli me policët. Në video shihet se si ai tërhiqet me forcë nga personat pa shenja identifikuese, goditet dhe zvarritet në tokë për dhjetëra metra, nën tolerimin e policisë. Vetëm pas reagimeve të protestuesve, dy oficerë të policisë shqiptare ndërhynë dhe e afruan të plagosurin pranë tyre.
Pasi fillimisht u dërgua në spitalin e Vlorës, ai u largua nga Shqipëria dhe u transferua në spitalin e Janinës, nga ku mori daljen të dielën. Ministria e Jashtme e Greqisë paraqiti një protestë zyrtare ndaj qeverisë shqiptare për plagosjen e shtetasit grek.
Në një postim në rrjetin X, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se investimi është “një projekt i shkëlqyer për Shqipërinë, i cili po zhvillohet prej disa vitesh dhe nuk ka asnjë lidhje me gënjeshtrat e mëdha që po qarkullojnë ditët e fundit”.
Njëkohësisht, ai përgëzoi drejtuesit e policisë “për reagimin e shpejtë dhe të saktë, si ndaj kësaj bande të pamend muskujsh me statusin e rojeve private të sigurisë, ashtu edhe ndaj drejtuesve vendorë të Policisë së Vlorës”.
Për këtë zonë ka shprehur prej vitesh interes investimi Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. Janarin e kaluar ai vizitoi plazhet pranë Zvërnecit dhe Lagunën e Nartës së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump, i shoqëruar nga arkitektë dhe biznesmenë.
Rrethimi me gardh dhe punimet e para të infrastrukturës rrugore në zonë po kryhen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Në dokumentacionin e saj nuk figuron emri i Kushnerit dhe, sipas raportimit, ajo duket se lidhet me një kompani offshore në Holandë. Një rrjet i gjerë kompanish duket se lidhet me këtë investim, me përfshirjen edhe të biznesmenëve shqiptarë.
Përpara se të ndodhnin incidentet, një avokat që përfaqësonte investitorët dhe kishte marrë pjesë në takimin e Athinës foli për “Kathimerini”. Ai e cilësoi takimin me emigrantët nga Zvërneci si “miqësor” dhe argumentoi se vendosja e gardhit kishte si qëllim kryesor garantimin e sigurisë publike, pasi kantieret aktive përmbajnë rreziqe për persona që nuk janë të trajnuar dhe të pajisur siç duhet.
Në një deklaratë të re, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njoftoi se po ndërpret bashkëpunimin me kompaninë private të sigurisë pas incidenteve të së shtunës. Për dhunimin e protestuesit është kryer të paktën një arrestim.
Një protestë kundër investimit u zhvillua dje në Tiranë. Nga ana e tyre, banorët e Zvërnecit theksojnë se nuk janë kundër investimeve apo zhvillimit ekonomik, por kërkojnë respekt për mjedisin dhe zgjidhjen paraprake ligjore të çështjes së pronësisë së tokave të tyre.
Pulas thotë se pas incidenteve pati reagim dhe interes të menjëhershëm nga autoritetet konsullore greke, si edhe nga eurodeputeti Fredi Beleri.
Për të njëjtën çështje, javët e fundit janë zhvilluar protesta në Tiranë dhe Vlorë edhe nga anëtarë të organizatave mjedisore, të cilët shprehin shqetësim për dëmtimin e zonës së mbrojtur pranë Lagunës së Nartës.
Lajmi kryesor:
Alarmi i çuditshëm i mediave greke për protestën në Zvërnec, nga pretendimet për lidhjen e pronës me minoritetin grek te shqetësimi për mjedisin dhe interesat e dhëndrit të Trump (FOTOT)









