Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka planifikuar të vizitojë Greqinë këtë javë për të marrë pjesë në sesionet e Forumit Ekonomik të Delfit, ndërsa po shqyrtohet mundësinë e një takimi në Athinë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Kështu ka bërë të ditur media greke ToVima, e cila shkruan se pala shqiptare dhe ajo greke kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë 24 orëve të fundit për të përcaktuar nëse axhenda e Mitsotakis do ta mundësojë një takim me Ramën, takim i cili sipas tyre është kërkuar nga vetë Tirana zyrtare.

Mësohet gjithashtu se Rama ka planifikuar të mbajë një fjalim në Forumin Ekonomik të Delfit të mërkurën pasdite.

Duke qenë se të dy liderët do të flasin në forum, i cili do të mbahet në vendin me të njëjtin emër, në Delfi, në Greqinë jug-qendrore, një zonë rreth 30 minuta larg prej aty shihet si vendi i mundshëm i takimit mes Ramës dhe Mitsotakis (nëse do të ndodhë).

Por dy liderët sipas medias greke mund të takohen edhe të martën në Athinë, pas mbërritjes së Ramës, ose të enjten para largimit të tij, pasi Mitsotakis do të marrë pjesë në një samit informal të BE-së në Nikosia më vonë atë ditë.

Që nga pasditja e së hënës, duket se është konfirmuar vetëm një takim i shkurtër midis dy udhëheqësve në Delfi. Megjithatë, sipas medias greke, po bëhen edhe përpjekje për të organizuar një takim më formal në zyrën e kryeministrit grek në Maximos Mansion.