Saimir Pirgu ishte 22 vjeç kur Claudio Abbado e thirri atë në Ferrara për një audicion. “Në mes të aries, ai më ndërpreu: “Mirë, djali do të vijë të këndojë me mua”. Roli i Ferrandos në “Così fan tutte” ishte i tij. Një shqiptar në rolin e një shqiptari. Sepse Pirgu, sot një nga tenorët më të kërkuar në botë, vjen nga Elbasani, në qendër të Shqipërisë. Vinte nga një vend i varfër, nga një familje edhe më e varfër. “Komunizmi ende ekzistonte, asgjë nuk dihej për atë që po ndodhte jashtë kufirit. Por një ditë në radio u transmetua koncerti “Tre Tenorët”. Isha ende një djalë i vogël, dhe ngela i magjepsur. I thashë nënës se edhe unë do të kisha dashur të këndoja ashtu.”
Ishte e vështirë të besohej një gjë e tillë në kohën kur mendohej a do të kishte bukë në tavolinë.
“Por, veç shumë anëve të errëta të regjimit, kishte një të mirë, shteti kishte programe të organizuara muzikore nëpër shkolla. Në moshën 6-vjeçare unë kisha në dorë një violinë, studiova me të për vite me radhë, por asnjëherë nuk ndalova së kënduari. Këndoaj këngë popullore, festash e dasmash. Askush nuk më nxiste të bëja diçka të tillë, por e mira qe se as nuk më pengonte. Familja gjithmonë më ka mbështetur dhe kur isha 18 vjeç, unë vendosa të vija në Itali për të ndjekur mësimet në Konservatorin e Balzanos,prindërit kishin mbledhur për mua të gjitha kursimet e tyre. Dhe atë pak gjë që kishte ngelur në shtëpi ma dhanë mua.”, rrëfen Pirgu.
Saimir nuk e harroi këtë. Që të qëndroje në Balzano duhej punoje, dhe ai filloi punë në kuzhinën e një restoranti. “Kam bërë punë të rëndomta të të gjitha llojeve. Por isha me fat që unë mund të studioja dhe të punoja. Dhe, të takoja një mësues si Vito Maria Brunetti, që ishte i aftë të shquante zërin tim”, rrëfen Pirgu. Ndërkohë, një mësues i vyer aq sa ishte Pavaroti, që ndodhej në fundjavë në Merano, i kërkoi të dëgjonte disa nga studentët e tij. Dhe Pirgu e gjeti veten të këndonte përpara idhullit të tij të fëmijërisë. Ishte një mrekulli. “Pas disa ditësh më merr në telefon dhe më fton t’i bashkohem, më propozoi të studiojë me të. Me Lucianon kam jetuar momentet më të bukura të jetës, më tregoi sekretet e profesionit, u bëmë miq. Duhet të fluturosh lart, më thoshte, mos u tërhiq. Ishte i thjeshtë dhe inteligjent. Të vetmet herë që e pashë të nervozuar kishte të bënte me ushqimin, e kishim tepëruar me pastat. Nëse nuk ha mirë, nuk mund të këndosh mirë, më përsëriste shpesh. Kur dëgjoi për audicionet e Abbado-s më tha: Je duke hyrë nga dera kryesore, por bëj kujdes që të mos dalësh nga dritarja”,
Sfida kaloi. Pirgu dinte sesi të ëndërronte, por duke u mëbshtetur fort me këmbët në tokë. “Abbado ishte i jashtëzakonshëm me mua. E vetmja vështirësi ishte se ai donte t’i drejtoheshe me ti. Unë e thërrisja Claudio. Nëse më shpëtonte fjala “maestro”, ai më përgjigjej me ironi “Po ekselencë”. Me të kam kënduar Requiemin e Verdit në Salzburg dhe më vonë në Cikago Requiem e Mozart. Unë jam ateist, por kur arrita tek “Agnus Dei”, nisa të besoj. Nëse ekziston Zoti, ai ekziston në muzikë”.
Të shtunën (dje) Saimir Pirgu çeli si protagonist sezonin në Parma me Ballon me maska të Verdit. “Një opera për dashurinë, jam shumë i lumtur që të marr rolin e Ricardos që e kam kënduar në Tel Aviv me Zibin Mehta”. Por këtë herë e këndoj në vendin e Verdit. Ëndrra vazhdon. “Në Itali kam gjetur miqësi, të ndihmosh të tjerët është në natyrën tuaj. Kam jetuar shumë vite si ekstrakomunitar, pa u ndeshur me racizmin. Nuk e mendoj as sot. Italianët nuk do linin askënd në det.”, rrëfen Pirgu.
(Përktheu dhe përshtati Dhurata Hamzai)