Mediat, shtetet evropiane duhet
të ofrojnë qasje në informacion

E themeluar prej kohësh dhe e njohur gjerësisht, e drejta për qasje në informacion reduktohet ashpër në shumë shtete evropiane për shkak të zbatimit të mangët të ligjeve ekzistuese. Në rast se u ka ikur, sivjet u shënua përvjetori i 250 të ligjit të parë të transparencës që u miratua në Suedi në 1766. Në pamje të parë, duket sikur kemi shumë arsye për të festuar në Evropë – secili shtet në këtë kontinent (përveç Qipros e Luksemburgut që kanë projektligje) tani ka ligj të transparencës që u jep qytetarëve të drejtë për qasje në informacione që mbahen nga qeveria.

Shtimi i hovshëm i ligjeve të transparencës gjatë dekadave të fundit nuk do të thotë që është trend modern – është e rëndësishme që të kujtojmë se është e drejtë themelore e njeriut që njihet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe nga organe e gjykata tjera ndërkombëtare, si Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut dhe Komiteti i OKB për të Drejta të Njeriut.

Qasja në informacion është gjithashtu e drejtë e dobishme meqë ndihmon me lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe në llogaridhënie nga ana e zyrtarëve publik, si dhe për të luftuar korrupsionin, për t’i mbrojtur liritë civile dhe për të garantuar liri të shprehjes. Në të njejtën kohë është edhe e drejtë për të gjithë e edhe mjet thelbësor që i mundëson gazetarëve e organizatave të shoqërisë civile që t’i kryejnë funksionet e tyre si rojtarë publik, si pjesë e një shoqërie demokratike.

Edhe pse është arritur shumë, dhe është për t’u festuar në këtë përvjetor, është e rëndësishme që shtetet evropiane të mos bëhen të vetëkënaqura, e të mos mbesin mbrapa në garantimin e kësaj të drejte themelore të njeriut, në ligj e në praktikë. Reformat e fundit në ligje të transparencës në Itali dhe Greqi, për shembull, duhet të mirëpriten, por prap tregojnë se ka shumë punë për t’u bërë deri te arritja e standardeve ndërkombëtare.

Së fundmi në fakt Serbia e dorëzoi titullin e shtetit me ligjin më kualitativ në botë për qasje në informacion; Meksika tani është e para në Renditjen Botërore të së Drejtës për Informacion (DPI) (që i rendit strukturat ligjore për qasje në informacion sipas kualitetit) pas reformave të fundit në ligjin e transparencës atje.

Vetëm dy shtete tjera evropiane (Sllovenia dhe Kroacia) janë të renditura në top dhjetëshen botërore, dhe kur shohim vetëm brenda Evropës, ato ndiqen nga afër prej shteteve tjera të Ballkanit, që në përgjithësi kanë struktura më të fuqishme ligjore për qasje në informacion në krahasim me fqinjët e Evropës Perendimore.

Është e rëndësishme që të kujtojmë megjithatë se disa shtete evropiane me ligje më të vjetra e më të dobëta janë më transparente në shumë mënyra se ato me struktura ligjore më moderne e më të fuqishme. Për shembull Suedia dhe Finlanda – të dyja kanë ligje më të vjetra e më të dobëta se Azerbaixhani, por pa dyshim janë më transparente se ky shtet kaukazian i pasur me naftë. Kjo nuk e zhvleftëson faktin që përveç Qipros dhe Luksemburgut, që ende nuk kanë ligje të transparencës, edhe Austria, Lihtenshtajni e Gjermania duhet t’i rishqyrtojnë strukturat aktuale të transparencës, pasi aktualisht qëndrojnë dobët, në dhjetëshën e fundit të Renditjes DPI.

Ndonëse krahasimi i shteteve me njëra tjetrën është ushtrim i dobishëm, dhe dëshmon të jetë i vlefshëm për të inkurajuar reforma pozitive nga ligjvënësit, është e rëndësishme që ta pyesim vetën: A mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre në praktikë qytetarët? A mund të marrin informata për të cilat kanë nevojë nga organet publike në mënyrë që të marrin pjesë në procese të vendimmarrjes, të kërkojnë llogari nga zyrtarët publik, ose të mësojnë se si e pse po merren vendimet që merren?
 
Ndalohet qasja
Hulumtimet e fundit nga Access Info Europe dhe organizatat partnere të tyre kanë gjetur një mungesë serioze të transparencës sa i përket përpjekjeve të qytetarëve për të mësuar se si merren vendimet nga qeveritë në Evropë.

Hulumtimet në lidhje me proceset e vendimmarrjes gjetën se 60 përqind e informatave kyçe të vendimmarrjes nuk janë në dispozicion për publikun evropian. Nuk ka informata të mjaftueshme në bazë proaktive, dhe nuk ipen informata të mjaftueshme kur kërkohen nëpërmjet ligjeve kombëtare, pavarësisht lejimit teorik të qasjes në informacion nga strukturat ligjore evropiane, sa i përket proceseve të vendimmarrjes, si protokolet ose dokumentet e dorëzuara prej lobistëve.

Nuk u mungon transparenca vetëm rasteve të profilit të lartë si negociatat e TTIP ose marrëveshjet e tregtisë së lirë. Hetimet tona kanë treguar që është gati e pamundur që të merren informata prej ligjvënësve në Evropë, dhe në nivel kombëtar për procese teknike të lobimit si etiketimi i ushqimit (në këtë rast, nga industria e sheqerit në Spanjë dhe BE), për shkak të aplikimit të përjashtimeve në qasje, ose për shkak se informatat thjeshtë nuk janë të ruajtura e kështu janë të humbura ose të paregjistruara.

Kur nuk janë në dispozicion për publikun informatat kyçe në lidhje me politikë dhe legjislacion, pengohet pjesëmarrja publikee si dhe ekzaminimi kritik i proceseve të vendimmarrjes.

Rasti i etiketimit të ushqimit nuk është shembull i izoluar – na u mohua qasja në gjysmën e informatave që i kërkuam nëpër 12 jurisdiksione evropiane si pjesë e hulumtimeve tona, në shumë raste duke abuzuar përdorimin e përjashtimeve të caktuara, si mbrojtja e privatësisë së qeverisë dhe zyrtarëve publik, ose thejshtë për shkak se këto informata kyçe nuk ekzistonin.

Gjetëm raste pozitive të qasjes në protokolle, korrespondenca dhe/ose dokumente të dorëzuara prej lobistëve si pjesë e hulumtimit tonë – në Irlandë na dhanë 2.5 MB të të dhënave të ndërveprimeve me industrinë e duhanit, dhe në Mbretërinë e Bashkuar morrëm shënime të shkruara me dorë nga zyrtarët britanez në takime në Bruksel për rishqyrtimin e rregulalve të transparencës në Bashkimin Evropian.

Por duhet ende punë.

Qeveritë përgjatë Evropës duhet ta marrin seriozisht detyrën e dokumentimit të informatave që lidhen me procese të vendimmarrjes; duhet ta ngushtojnë aplikimin e përjashtimeve në qasje dhe ta kenë parasysh interesin thelbësor publik për të pranuar informata të plota (ose të pjesshme). Publikimi proaktiv i informatave në lidhje me proceset e vendimmarrjes është shumë i rëndësishëm, siç është edhe nevoja për ta reduktuar kohën që aktualisht duhet për të arritur deri te informatat e kërkuara.

Për fund, është ende e rëndësishme që shtetet evropiane t’i adresojnë kufizimet e strukturave aktuale ligjore, e t’i përputhin me standarde evropiane e ndërkombëtare, si Konventa e Këshillit të Evropës për Qasje në Dokumente Zyrtare, që është nënshkruar e ratifikuar vetëm nga nëntë prej 47 anëtarëve të Këshillit.

I janë dashur 250 vite Evropës, prej kur u bë ligji i parë i transparencës, për të përparuar deri këtu ku jemi tani, sa i përket të drejtës për qasje në informacion. Kjo e bënë shumë të rëndësishme që qeveritë të garantojnë që e drejta për qasje në informacion mund të ushtrohet jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.
 
*) Andreas Pavlou është hulumtues në Access Info Europe, OJQ për të drejtat e njeriut e bazuar në Madrid dhe e përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e së drejtës së qasjes në informacion.

KE

*)Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian









Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri