“Mediterranea” në Tiranë rrëfen Mesdheun përmes imazheve satelitore! Pjesë e kremtimeve për Tiranën si kryeqytet i kulturës

Mediterranea. Vizionet e një deti të lashtë dhe kompleks” titullohet ekspozita e çelur mbrëmjen e kësaj të mërkure në galerinë “Gocat” në Tiranë, si pjesë e aktiviteteve për “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Ekspozita, sjellë nga Ministria e Jashtme e Italisë, nën kujdesin e ambasadës italiane në Tiranë dhe Bashkisë së Kryeqytetit, e kuruar nga Viviana Panaçia, paraqet në një itinerar inovativ dhe unik historinë, bukurinë, popujt dhe mitet e Mesdheut, një rajon me vlera të mëdha historike, sot me një vlerë të shtuar për nga pikëpamja gjeografike, politike dhe ndërlidhshmëria. Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore, e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë kulture, arti dhe shkence, mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Pse jemi këtu sot? Duam të tregojmë tri gjëra: E para është Mesdheu! Një det që para së gjithash na ka lidhur e na ka dhënë shumë gjëra, mes tyre dhe dhimbje, por na ka mbajtur të bashkuar. Premtimi i dytë që duhet të bëjmë është kultura. Kultura është territori i dialogut dhe ajo që duhet të bëjmë sot është të respektojmë dialogun. Fjala kulturë vjen nga latinishtja dhe do të thotë të kultivosh. Por çfarë të kultivosh? Të kultivosh pikërisht dialogun në këtë kohë të vështirë. Por mbi të gjitha sot do të kremtojmë Tiranën se Tirana është zgjedhur kryeqytet i kulturës dhe dialogut për vitin 2025.”, - shprehet Marco Alberti, Ambasadori i Italisë në Shqipëri.

Vendet e Mesdheut janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes rrathëve të ndryshëm: feve, prejardhjes nga një kulturë e përbashkët greko-romane, por edhe nga mitet, historia dhe heronjtë “rrëfehen” në këtë ekspozitë, përmes imazheve satelitore nga lart, duke na ftuar të vizitojmë Mesdheun në gjithëpërfshirjen e tij.

“Është një ekspozitë që na përket të gjithëve se jemi pjesë të Mesdheut, si Italia, edhe Shqipëria. Siç e dimë, Mesdheu është djepi i kulturës dhe qytetërimeve evropiane dhe botërore. Do të keni mundësi të shikoni imazhet satelitore që shfaqen për herë të parë, do të njiheni me bimësinë, do të shikojmë harta të vjetra të Mesdheut. Do të shikojmë çdo gjë që na lidh. Kjo ekspozitë ka si qëllim të nxjerrë në pah lidhjet mes vendeve mesdhetare.”, - thotë Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

“Mediterranea” synon të përfaqësojë Mare Nostrum në të gjithë kompleksitetin e tij, duke përfshirë dobësitë që e kërcënojnë atë sot, përmes rrëfimit të historisë së tij me imazhe satelitore të pa shfaqura më parë, foto, video dhe instalacione site-specific  me ndikim të jashtëzakonshëm vizual dhe emocional. Imazhet satelitore dërgojnë nga hapësira vizione të qyteteve dhe porteve, udhëkryqeve tregtare, por edhe të kontaminimeve pjellore kulturore, të brigjeve të pasura me kultura simbolike të “Mesdheut” (ulliri, fiku, hardhia).

Së fundi, ekspozita synon të përfaqësojë gjendjen aktuale të Mesdheut duke ofruar të dhëna dhe imazhe që tregojnë shenjat e pagabueshme të ndryshimit të vazhdueshëm klimatik, nga reduktimi i reshjeve deri tek valët e të nxehtit, të karakterizuara nga periudha të gjata thatësire, të alternuara me ngjarje ekstreme të motit, deri tek ndryshimet e habitateve detare.

Historia dhe bashkëkohësia e Mesdheut na kujtojnë rëndësinë e këtij rajoni të jashtëzakonshëm për të ardhmen tonë dhe urgjencën për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive me zgjidhje të përbashkëta sfidave të ndryshme të kohëve të sotme. Para Tiranës, ekspozita “Mediterranea” ka qenë në Sevilje të Spanjës, ndërsa më pas do të prezantohet në Romë.

B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mbappe-Bellingham, Real Madrid përmbys Leganesin në derbin e vogël dhe ndjek Barçën

VIDEO/ Mbappe-Bellingham, Real Madrid përmbys Leganesin në derbin e vogël dhe ndjek Barçën