Meksi: Censusi, të dhëna
të paparashikuara

Meksi: Censusi, të dhëna<br />të paparashikuara
TIRANE- Gjatë këtij viti është folur shumë për censusin. Rezultatet e tij në llogaritjen e popullsisë habitën jo pak shqiptarë. Mospërputhja e fakteve të sjella me prognozat e bëra ka ngjallur diskutime edhe në gjirin e specialistëve. Prof. Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dha këtë intervistë lidhur me çështjen
Çfarë synohet me anë të censusit të popullsisë dhe banesave?
Në Shqipëri censusi i parë i takon vitit 1923. Procesi i regjistrimit do të thotë të lesh një mesazh në gjeneratat e ardhme, duke u treguar atyre si jetonin të parët e tyre. Nëpërmjet regjistrimit të popullsisë dhe banesave synohet një llogaritje e saktë e popullsisë së një vendi në një datë të caktuar, për të përcaktuar gjendjen numerike dhe shpërndarjen territoriale të popullsisë sipas karakteristikave gjini, moshë, gjendje civile, profesion, etj të saj. Ky proces është shtylla kurrizore e statistikave sociale kombëtare dhe lokale. Ato përbëjnë një burim të pasur të dhënash për analiza të thella mbi dukuritë demografike që shpien në formulimin dhe vlerësimin e politikave të ndryshme për vendimmarrjen në sektorë të ndryshëm.
Informacioni që merret nga statistikat e censusit nuk mundësohet nga burim tjetër. Një nga qëllimet e censusit është edhe bërja e prognozave të sakta për popullsinë sipas grupmoshave, me synim zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë.

Në këndvështrimin tuaj, si eksperte e statistikave, si i gjykoni rezultatet e censusit, me një vlerësim global?
Sigurisht, u befasova me numrin e popullsisë prej 283.1741 vetësh që rezulton nga censusi, duke reflektuar një rënie gati dramatike të popullsisë kundrejt regjistrimit të vitit 2001, prej 7,7%, madje 11.1% kundrejt atij të vitit 1989. Ndërsa në periudhën 1969-1989 ka pasur një rritje popullsie prej 1.114.262 vetësh ose rreth 15%, në periudhën tjetër 1989-2011 rezulton një rënie e popullsisë prej 350.676 vetësh. Kjo është krejtësisht e paparashikuar nga projeksionet e popullsisë të bëra nga INSTAT-i.
Në thelb, këto të dhëna shprehin modelin që ka karakterizuar zhvillimin ekonomik e social këto 20 vjetët e fundit, të mbështetur në emigracionin spontan dhe tejet masiv për arsye që mbizotërohen nga nevoja për mbijetesë. Ky model emigracioni ka qenë edhe burimi kryesor i të ardhurave dhe ka karakterizuar zhvillimin tonë të deritanishëm.
Të dhënat e paparashikuara të këtij censusi, në fakt përbëjnë një çështje thelbësore nga më të rëndësishmet, ekonomike dhe sociale, që kërkojnë reflektim shumë serioz. Po ndalem vetëm në një aspekt. Sipas projeksionit të popullsisë për 2010-ën, botim i INSTAT-it në nentor 1996, popullsia duhej të rezultonte tani midis shifrave 3.6-3.9 milionë banorë. Diferenca e madhe midis popullsise faktike 2.8 milionë që rezultoi nga censusi, me atë të projektuar prej 3.6 milionësh (sipas variantit më të ulët), flet për një shkallë shumë të lartë gabimi në parashikim. Çfarë pasojash do të kenë mbi politikat këto ndryshime shumë të mëdha demografike? Si do të reflektohet kjo situatë mbi pensionet dhe sigurimet shoqërore? Këto janë çështje që duhet të trajtohen urgjentisht. Sido që të arsyetosh, kjo është një këmbanë alarmi.
Në rast se këtu kemi të bëjmë me një model të flakjes së banorëve të vet nga një shoqëri, është momenti t'i jepet fund kësaj situate

Çfarë ndryshimesh bien më shumë në sy, krahas uljes së ndjeshme të popullsisë?
Të dhënat e plota dalin pas shtatorit të vitit tjetër. Por, më ngacmoi fakti se numri i meshkujve del në total më i madh se ai i femrave. Ligjësitë demografike të vendeve të zhvilluara flasin për një numër më të madh të popullsisë femërore kundrejt asaj mashkullore, raport të cilin Shqipëria e arriti 10 vjet më parë. Të dhënat na çojnë tani në situatën e para viteve '90. Një përgjigje e shpejtë dhe pa analizë faktorësh të çon në konkluzionin se kujdesi i shoqërisë për femrat është përkeqësuar kundrejt 10 viteve më parë, deri edhe për ndërhyrje në shtatëzani kur fëmija nuk është mashkull, shqetësim ky i ngritur nga shumë drejtime kohët e fundit.

Drejtoresha e INSTAT-it filloi të japë shpjegime pse ishte pakësuar popullsia. Mendoni se INSTAT-i duhet të shprehet për arsyet, sapo mbaroi censusi?
Pa një analizë të thellë dhe shkencore të faktorëve demografikë ekonomikë dhe socialë, ku të përfshihen kapacitetet më të mira të vendit, nuk mund të shpjegohet lehtë kjo dukuri dhe pasojat e saj në vitet e ardhme. Dhe kjo bëhet e mundur vetëm pasi të botohen të dhënat e plota përfundimtare. Ndërkaq, nisur nga projeksionet e veta, edhe INSTAT-i mendoj se nuk ka qëne i pregatitur për këtë pakësim të popullsisë që rezulton nga censusi. Çdo përgjigje në këto kushte është hipotetike.
(Intervista u botua sot ne Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Miratohet propozimi/ Jo vetëm në listën e fiksuar, respektim i kuotës gjinore edhe në garën e hapur! Rirenditja e listës pas votës, 1 në 3 fitues të jetë grua

Miratohet propozimi/ Jo vetëm në listën e fiksuar, respektim i kuotës gjinore edhe në garën e hapur! Rirenditja e listës pas votës, 1 në 3 fitues të jetë grua