Meksikë, votuesit pritet të zgjedhin për herë të parë një grua në krye të vendit

Meksikë, votuesit pritet të zgjedhin për herë të parë një grua në krye të vendit

Xóchitl Gálvez dhe Claudia Sheinbaum

Në zgjedhjet e së dielës, meksikanët ka të ngjarë të zgjedhin për here të parë në historinë e vendit një presidente grua, mes një ish-akademikeje që premton të çojë përpara politikat populiste të udhëheqësit aktual dhe një ish senatoreje dhe sipërmarrëse në fushën e teknologjisë që zotohet të vazhdojë luftën kundër kartelëve vdekjeprurës të drogës.

Gati 100 milionë votues janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për të zëvendësuar presidentin në largim, Andrés Manuel López Obrador. Votuesit do të zgjedhin gjithashtu guvernatorët në nëntë nga 32 shtetet e vendit, do të zgjedhin kandidatët për të dyja dhomat e Kongresit, mijëra kryetarë bashkie dhe drejtues të tjerë lokalë, në procesin më të madh zgjedhor në vend, të shënuar nga dhuna.

Zgjedhjet shihen gjerësisht si një referendum për zotin López Obrador, një populist që ka zgjeruar programet sociale, por në masë të madhe nuk arriti të pakësojë dhunën e karteleve të drogës në Meksikë. Kushtetuta e Meksikës e ndalon rizgjedhjen e presidentit.

Pjesëmarrja u duk të ishte e lartë në kryeqytet ku u panë radhë të gjata votuesish, që në hapje të qendrave të votimit.

Partia Morena e zotit López Obrador shpreson të fitojë reth 2/3 në Kongres, shumica e nevojshme për rishikimin e Kushtetutës dhe për të shkrirë agjencitë mbikqyrëse, që sipas kësaj force politike janë të pafuqishme dhe të kota. Opozita argumenton se një masë e tillë do të rrezikonte institucionet demokratike të Meksikës.

Kandidatet kryesore janë gra dhe njëra prej tyre pritet të jetë presidentja e parë e Meksikës. Një kandidat i tretë nga një parti më e vogël, Jorge Álvarez Máynez, është shumë pas në garë.

Kryebashkiakja e kryeqytetit, Claudia Sheinbaum po kandidon nën siglën e partisë Morena. Zonja Sheinbaum, e cila kryeson garën, ka premtuar të vazhdojë të gjitha politikat e zotit López Obrador, duke përfshirë një pension për të moshuarit dhe një plan në të cilin parashikohet pagesa për të rinjtë praktikantë.

Kandidatja e opozitës, Xóchitl Gálvez, arriti që nga shitja e ushqimeve në rrugë në qytetin e saj të varfër të ngrinte kompanitë e saj të teknologjisë. Ajo kandidon me një koalicion partish opozitare të mëdha. Zonja Gálvez u largua nga Senati vitin e kaluar duke u përqëndruar tek kritikat ndaj vendimit të Presidentit López Obrador për të shmangur përballjen me kartelet e drogës përmes politikës së tij "përqafime jo plumba". Ajo është zotuar se do të luftojë kriminelët në mënyrë më agresive.

Dhuna e vazhdueshme e karteleve dhe ekonomia janë shqetësimet kryesore të votuesve meksikanë.

Rreth 675,000 meksikanë që jetojnë jashtë vendit janë të regjistruar për të votuar, por në të kaluarën vetëm një përqindje e vogël ka marrë pjesë. Votimi nuk është i detyrueshëm në Meksikë dhe pjesëmarrja e përgjithshme ishte rreth 60% në zgjedhjet e fundit./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!