Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet institucionalisht ish-bashkëpunëtorit të tij Sali Berisha, pasi ky i fundit zhvilloi Kuvendin më 11 dhjetor në stadiumin “Air Albania”. Fundjava nuk ka qenë aspak ditë pushimi për selinë blu. Mbrëmjen e së shtunës, kreu i PD-së Lulzim Basha thirri menjëherë kryesinë e PD-së për të diskutuar dhe propozuar shkarkimin e anëtarëve të kryesisë që ishin të pranishëm në Kuvendin e thirrur nga Berisha. Basha propozoi që 11 kryetarët e degëve dhe sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso dhe Ledina Mandia të shkarkoheshin bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, pasi marrin pjesë në një organizim tjetër politik.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, burimet konfirmuan” se kreu i PD-së ka ironizuar numrat dixhitalë të anëtarëve të Kuvendit që shtoheshin në ekranin e stadiumi,t duke e cilësuar si “meme botërore”. Ndërkohë më tej, gjatë diskutimit ka pasur edhe zëra, të cilët kërkonin të ishin më të moderuar në veprimet e tyre. Nënkryetari Alfred Rushaj mësohet se ka propozuar që të mos procedohet me shkarkime dhe përjashtime. Por, shumica e anëtarëve të kryesisë të pranishëm e kanë cilësuar të papranueshme që njerëz mbi të cilët është investuar besim të marrin pjesë në Kuvendin e Berishës. Ndërkohë, sipas Jemin Gjanës, sjellja e ish-Kryeministrit, Sali Berisha, është njësoj si në ’97-ën. Por, mbledhjet në selinë blu vijuan me radhë. Pas kryesisë, ditën e djeshme Basha mblodhi edhe Këshillin Kombëtar.
Mesazhi i kryedemokratit ka qenë i njëjtë se Berisha po përdor demokratët për interesat personale. Ndërsa më aktivë kanë qenë anëtarët e Këshillit Kombëtar, ku një prej tyre, Julian Beqiri, ka kërkuar të punohet me demokratët që kanë marrë pjesë në “Foltore” që t’i rimarrin sërish. Por, duke mos lënë mënjanë shtresën gri. Më pas, Këshilli Kombëtar votoi edhe propozimet për shkarkimet. Sakaq, në një mbledhje tjetër rreth 30 minuta, kreu i PD-së ka porositur Grupin Parlamentar dhe kryetarët e degëve që gjatë gjithë kësaj jave të jenë në terren për të folur me demokratët dhe për t’u përgatitur për Kuvendin e 18 dhjetorit që sipas Bashës, do të bëjë dallimin mes politikës së 9 shtatorit dhe frymës së re pas 9 shtatori,t kur edhe ishte vendimi për pezullimin e Berishës pasi u shpall “non grata”.
DEBATI I PLOTE ME DYER TE MBYLLURA
Lulzim Basha: Këtë mbledhje e thirrëm për shkak të situatës në të cilën ndodhemi. Në fakt, ndryshe nga sa u propagandua nuk është se pati mbështetje të madhe. Ka filluar të përdoret si “meme botërore” si fluturojnë numrat e delegatëve në ekranin dixhital. Nga 2 mijë në 4900 për 30 minuta. “Meme botërore” që e kanë zili edhe inxhinierët më të mirë elektronikë në botë. Është lëvizje antiamerikane. Sali Berisha nuk ka hallin e demokratëve, por hallin e tij. Për ne është i rëndësishëm interesi i demokratëve. Kreshnik
Kreshnik Çollaku: Në informacionet e mia, do shpallen “non grata” edhe të tjerë. Ishte një lëvizje antiamerikane. Neve nuk ia zgjidhim hallet.
Ervin Salianji: E papranueshme që drejtues të lartë dhe deputetë të PD-së janë në një takim ku sulmohen përfaqësuesit e SHBA-së, nga ambasadorja te zoti Escobar. Nuk duhet të lëmë marrëzinë të marrë dhenë. Sot, u tentua krijimi i një partie që kërkon elektorat antiamerikan, nuk duhet lejuar. Ne jemi në anën e duhur të historisë, jemi në anën e drejtë duke mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe demokratëve, asnjë parti nuk fiton dot pa partneritetin me SHBA-në, nuk duhet keqpërdorur dëshpërimi i drejtë që dha situata pas 25 prillit.
Lulzim Basha: Drejtuesit politikë do t’i ndryshojmë më 19 dhjetor, bashkë me kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar.
Gazment Bardhi: Në duhet të shkarkojmë 4 sekretarët, të cilët kanë marrë pjesë në aktivitetin e së shtunës. Ervin Minarolli ka 3 muaj që nuk është paraqitur në zyrë. Madje nuk ka marrë as zyrën në dorëzim.
Jemin Gjana: Në momentin që filloi ai “Foltoren”, ne duhet të ishim në bazë. Nuk mund të mbledhim kryesinë për të shkarkuar vetëm kryetarët e degëve, ndërkohë që anëtarë të kryesisë janë në një ngjarje tjetër politike. Ata që kanë qenë atje janë vetëpërjashtuar nga PD-ja. Duhet të ikin nga kryesia jonë. Për koincidencë, 27 anëtarë ka pasur edhe “grupi i shkatërrimit” i Sali Berishës në ’97. PD-ja është legale dhe ne duhet ta mbajmë fortë, sepse këto histori jam përballur me këto. Dhe ne duhet të komunikojmë me degët tona e me strukturat tona. Nënkryetarët dhe sekretarët duhet të jenë në bazë. Kur është Basha në Shkodër, nënkryetarët duhet të jenë me bazën në Gjirokastër. Duhet të durojmë kritikat e anëtarësisë dhe vetëm kështu mund të fitojmë. Nëse kryesia del më 11 kryetarë, duhet të shkarkojmë edhe anëtarët e kryesisë.
Grida Duma: Në këto tre muaj, dilema kryesore ka qenë: a do duhej apo jo, që ne t’i përgjigjeshim me të njëjtën gjuhë asaj që po i bën ai grupim i “Foltores”, Partisë Demokratike. Kemi pasur kujdesin të mos e bëjmë, për të shpëtuar sa më shumë nga ruajtja e madhësisë së Partisë. Por sonte, pasi pamë një maskaradë “Foltore”, ku pjesa më e pavotuar nga shqiptarët iu hakërrye kujtdo me gjoja kërcënime dhe shkarkime dhe manipuloi masivisht demokratët e vërtetë, duhet të jeni të qartë që nuk ka më dilema! Ai grupim atje ka organizuar mbledhjen dhe galvanizimin e antiamerikanizmit, antiperëndimit, rrugë e cila është revanshiste dhe “dumbabiste” që e çon jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe Shqipërinë në një terr historik. Për ata që nuk dinë, jemi apo jo shumicë, boll me hamendësime, merrini shifrat e votave dhe lexojini dhe do të shihni qartë kush është shumicë.
Dhe kryetar, këtë e kam me ty personalisht, kjo parti ka ditur të na e tregojë të vërtetën kur e keni lënë edhe një fije frymë të ekzistojë vota e lirë, por rrallë e keni dëgjuar. Ndërkohë që partia dhe madje dhe shqiptarët i hoqën me votë që në 2013-ën, shumë figura ju i vendosët në vende të pamerituara, megjithëse çdo fakt fliste ndryshe. Vendosët në krye të qarqeve dhe në krye të drejtimeve njerëz që iu kthyen në barrë më të rinjve dhe atyre që ishin më të votuar dhe më të besuar nga shqiptarët. E bëtë këtë për të mbajtur një bashkim jo të drejtë. Partia udhëhiqet me drejtësi, jo me miqësi. Dhe sepse kjo do jetë rruga, do të fitojë. Sot, duhet të kuptojmë një gjë të thjeshtë fare: jemi shumica dhe e provuar. Atje janë mbledhur dy plate stadiumi dhe të tjerat u mbuluan, pas shumë lekësh të shpenzuara pas shumë presionesh dhe ka mundësi që shumica të mos jenë as demokratë. Përndryshe nuk do të kishin ndaluar gazetarët dhe kamerat, përndryshe nuk do të bënin gafën e asaj makinës së skanimit që kalonte numrin me qindra në një sekondë. Deshën ta përdorin si gjoja transparencë dhe ranë brenda se u pa manipulimi live.
Në atë “Foltoren” e madhe të sotme ishin të gjithë njerëzit që kanë pasur pushtet deri në 2013-ën, të cilët u ndëshkuan nga shqiptarët. Në atë “Foltore”, grupi i sh-pushtetarëve dhe të kërcënuarve ka harxhuar çdo gjë për të sjellë njerëz dhe sollën aq pak. Dhe që sollën aq pak e vërteton mbushja e kutive prej tyre vetë, duke masakruar ofenduar shkelur demokratët e vërtetë. Për këtë, iu drejtohem të gjithëve të kuptojnë që ky i sotmi nuk është një moment historik vetëm për Partinë Demokratike, është një moment që Partia Demokratike i detyrohet Shqipërisë. Ne duhet të ndalojmë hap pas hapi, duke nisur me një rezolutë të jashtëzakonshme të parë të miratuar nga Këshilli, krijimin e një grupimi antiperëndimor që po manipulon demokratët me intrigë dhe gënjeshtër. Është detyrë dhe mision kombëtar, duke e ditur që e kemi forcën dhe maxhorancën të mos lëmë më askënd të mashtrojë njerëz e demokratët masivisht. Këshilli Kombëtar të mblidhet urgjent dhe të marrim vendime e të qartësojmë demokratët.
Alfred Rushaj: Atje ka pasur njerëz, atje ka pasur demokratë. Unë nuk jam për shkarkime dhe përjashtime.
Flutura Açka: Berisha po e përdor vetëm me negociatat e veta. Fjalia e tij e fundit ishte “ju lutem më hiqni ‘non grata’-n”. Duhet të bëjmë një Kuvend të madh. Duhet të aktivizohemi. Duhet të kemi një Kuvend me mesazhe të forta.
Orjola Pampuri: Ata që janë në “Foltore” na kanë linçuar neve. Ne i kemi dhënë poste dhe ata na janë përgjigjur duke na sulmuar.
Gereta Bardeli: Duhet të jemi në bazë dhe duhet të jemi me qytetarët. Sot, ka ikur Voltana Ademi, duhet të marrim një qëndrim ndaj saj.
Endri Hasa: Nuk duhet t’i shkojmë çështjeve anash e anash. Duhet me marrim vendime të forta. Italianët kanë një shprehje, sepse unë kam jetuar për disa vite atje: “Demit duhet t’i pritet koka”. Edhe neve duhet ta fillojmë nga lart për të vazhduar poshtë. Ata na linçonin ata na shanin dhe ne duhet të rrinim. Kjo gjë duhet të marrë fund. Nëse kjo kryesi nuk merr vendimet e duhura, atëherë ne i braktisim demokratët dhe i lemë demokratët vetëm. Ata i kanë shantazhuar me çdo lloj metode për interesa personale të dikujt. I kanë përdor demokratët mish për top dhe ndërkohë që ne ia kemi kthyer me pambuk.
Jemin Gjana: Ne duhet që të shkojmë në bazë. Duhet të takohemi me demokratët. Ky nuk mund ta bëjë më keq se në ‘97-ën. Në ‘97 ne kemi dalë me automatik dhe e kemi mbrojtur PD-në e jo tani. Partia Demokratike është legjitime dhe ne duhet ta mbrojmë. Ne duhet të bëjmë më shumë takime. Kur Lulzim Basha është në takime në Shkodër, nënkryetarët duhet të jenë të shpërndarë në zona të tjera. Ne duhet të ndryshojmë qasjen. Ne duhet të pranojmë kritikat dhe të bisedojmë me ta.
Julian Beqiri: Ne duhet të bëjmë përpjekje që të rikthejmë edhe demokratët, të cilët janë në “Foltoren” e Berishës. Por njëkohësisht, duhet të insistojmë shumë për të thirrur edhe elitën. Votuesit gri. Të marrim edhe pjesën gri. Sot, elita e shoqërisë nuk afrohet te kjo parti, sepse shikon njerëzit me dy gishta që shajnë njëri-tjetrin.
Lulzim Basha: Ne do të bëjmë çmos që të afrojmë të përndjekurit dhe ish-pronarët.
Roland Bejko: Neve na dhembi të gjithëve kur Berisha u shpall nga SHBA-ja “non grata”. Por, ai duhet të largohet tani, sepse e di rëndësinë e vendimit dhe madhështinë e SHBA-së. Porosia e Bashës me deputetët dhe kryetarët e degëve Lulzim Basha: Këtë javë nuk do ketë axhendë parlamentare. Do jeni të gjithë të shpërndarë në zona për të përgatitur. Kuvendi do zhvillohet te Pallati i Kongreseve. Do ketë një qasje krejt ndryshe nga të bërit politikë. Do marrim intelektualë. Ndajmë politikën e pas 9 shtatorit./Panorama