Gjatë kësaj periudhe, sasi të konsiderueshme nafte shkonin drejt serbëve të Bosnjës, nga portet shqiptare dhe më pas në rrugë tokësore nëpërmjet Malit të Zi, ndonëse autoritetet ndërkombëtare kishin vendosur embargo. Në mënyrë specifike, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të administratës amerikane dhe zyra e zëvendëspresidentit Al-Gore kanë trajtuar pikërisht masat që duhen marrë për të forcuar embargon, kryesisht në zbatimin e saj. Qeveria shqiptare është cilësuar në një dokument që ka hartuar zyra e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, si me mungesë vullneti për të zbatuar masat që kërkohen për bllokimin e kalimit të naftës drejt serbëve.
Shqetësimi amerikan për furnizimin me naftë, armë dhe mallra të tjera të serbëve është përmbledhur në një dokument, që u është dërguar edhe disa deputetëve të një komisioni të Kongresit. Memorandumi nënvizon dy përpjekje kryesore për të “izoluar” serbët e Bosnjes. Në njërën anë, drejtuesit e lartë të administratës amerikane të Presidentit Klinton kanë identifikuar atë që cilësohet si “mbyllja e derës së pasme”. Ky kanal furnizimi për serbët kalonte nëpërmjet Kroacisë. Ndërsa, në anën tjetër, është identifikuar si problematike “kontrolli i dërgesave shqiptare me naftë”. Pikërisht, për sa i përket problemit shqiptar, qeveria amerikane angazhohet të ushtrojë presion ndaj Tiranës zyrtare, të udhëhequr nga Presidenti Berisha dhe kryeministri Meksi, për zbatimin e masave bllokuese.
Në mënyrë të detajuar, Memorandumi identifikon edhe lëvizjet që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, duke përfshirë mbylljen e pikave të karburanteve pranë kufirit dhe mbylljen e disa pikave të kalimit të kufirit. Administrata amerikane dhe grupet ndërkombëtare të zbatimit të embargos kanë kërkuar nga Shqipëria edhe shtimin e pranisë së policisë dhe ushtrisë në pikat kritike ku zhvillohet kontrabanda, veçanërisht në Liqenin e Shkodrës. Megjithatë dokumenti amerikan, i trajtuar si “sekret” për shumë vite, shpreh shqetësimin për mungesën e vullnetit të qeverisë së Tiranës për të luftuar kontrabandën e naftës drejt serbëve të Bosnjes.
Qeveria e Presidentit të kohës, Sali Berisha, është akuzuar disa herë për dërgimin e naftës në ndihmë të serbëve, teksa ekzistonte një embargo ndërkombëtare dhe kishte raporte domethënëse për masakra ndaj civilëve të pafajshëm. Megjithatë për shumë vjet, shteti shqiptar, jo vetëm nuk bëri asgjë për të bllokuar kontrabandën e naftës, por nuk munguan të dhënat edhe për një përfshirje të tij në këtë transport të paligjshëm, në ndihmë të makinerisë serbe në Bosnje.
Kërkesat e amerikanëve për bllokimin e kontrabandës
Zyra e zëvendëspresidentit
Uashington
25 prill 1995
Memorandum për anëtarët e Komitetit të Deputetëve
Subjekt: Çështja e forcimit të sanksioneve
Drejtuesit ranë dakord më 28 mars të shtojnë përpjekjet për kontrollin e lëvizjes së mallrave drejt serbëve të Bosnjes nëpërmjet territorit kroat (“duke mbyllur derën e pasme”) dhe për kufizimin e naftës së kontrabanduar në Serbi dhe Mal të Zi nëpërmjet Shqipërisë. Materiali bashkëngjitur nënvizon hapat për t’u zbatuar. Sandy Berger ka kërkuar që Taskë Forca e Sanksioneve, në koordinim me stafin e NSC dhe departamentet e agjencitë përkatëse, të nisë zbatimin e këtyre hapave jo më vonë se 27 prill 1995, nëse nuk do të kishte kundërshtime nga deputetët.
Leon Fuerth
Asistent i zëvendëspresidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Bashkëngjitur
1 – Mbyllja e derës së pasme
2 – Kontrolli i dërgesave shqiptare me naftë
Subjekti: Pakësimi i kontrabandës së naftës nëpërmjet Shqipërisë
Veprimet e propozuara për të marrë masat e mëposhtme për të pakësuar sasinë e naftës që kontrabandohet në Republikën e ish-Jugosllavisë nëpërmjet Shqipërisë:
- Mbështetja e përpjekjeve të SAMCOMM për të forcuar sistemin e paraverifikimit të naftës.
- Nxitja e qeverisë shqiptare për të përmirësuar masat zbatuese.
- Nxitja e qeverive italiane dhe greke për të vendosur kontroll më të madh ndaj kompanive vendore që eksportojnë naftë drejt Shqipërisë.
- Kërkimi i një zgjerimi të misionit të Adriatik NATO/ËEU Forca Shumëkombëshe e Interceptimit për të përfshirë kapjen e anijeve të paautorizuara jashtë porteve shqiptare.
Përmbledhje: Mbyllja e portit të Barit i dha fund aksesit direkt të Republikës ish-Jugosllave në dërgesat e naftës në Adriatik. Megjithatë, sasi domethënëse të naftës importohen aktualisht nëpërmjet porteve të Shqipërisë në Adriatik dhe transportohen nëpërmjet tokës në Malin e Zi.
Shqipërisë i mungon vullneti politik dhe aftësia zbatuese për ta ndaluar këtë trafik. SAMCOMM dhe qeveria shqiptare kanë nisur zbatimin e një sistemi paraverifikimi të naftës, që synon të ndalojë importet, me përjashtim të atyre të destinuara për përdorues fundorë të ligjshëm. Megjithatë, sistemi ka patur sukses të kufizuar. Në vijim të problemeve me procesin e licencimit në Shqipëri, qeveritë greke dhe italiane, kompanitë e të cilave janë burim i pjesës më të madhe të dërgesave, i kanë dhënë sistemit vetëm një mbështetje të vakët dhe kanë bërë pak ose aspak për të siguruar që firmat e tyre po i respektojnë rregulloret e sanksioneve.
Diskutimet: Hapa të koordinuar diplomatik dhe operacional janë të nevojshëm për të pakësuar sasinë e naftës që tranziton nga Shqipëria në Malin e Zi:
1 – Qeveria amerikane (USG) duhet të ofrojë mbështetje diplomatike (shiko hapat 2 dhe 3 më poshtë) dhe asistencë teknike për të mbështetur përpjekjet e SAMCOMM për të rijetësuar sistemin e paraverifikimit të naftës.
2 – Qeveria amerikane (me mbështetjen e BE-së, nëse ajo mund të sigurohet) duhet të nxisë Shqipërinë të përmirësojë masat zbatuese, duke përfshirë mbylljen e pikave të karburanteve pranë kufirit, mbylljen e disa pikave të kalimit të kufirit, përmirësimin e zbatimit të sistemit të paraverifikimit dhe rritjen e pranisë së policisë dhe ushtrisë në pikat kritike – veçanërisht në Liqenin e Shkodrës. Veç kësaj, Taskë Forca amerikane për Sanksionet ndaj Serbisë është e përgatitur të japë fonde mbështetëse për sanksionet ekzistuese për të siguruar asistencë teknike dhe trajnim me zyrtarët shqiptarë të doganave.
3 - Qeveria amerikane duhet të protestojë pranë qeverive italiane dhe greke për të bashkëpunuar më plotësisht me sistemin e paraverifikimit të naftës, të sigurojë që firmat nën juridiksionin e tyre të respektojnë rregulloret e sanksioneve dhe të marrin masa ligjore kundër firmave, që gjenden se janë në thyerje të embargos.
4 – MIF duhet të zgjerojë operacionet për të përfshirë ndalimin e anijeve të naftës që të mbërrijnë në portet shqiptare, pa patur më parë një qartësim nga sistemi i paraverifikimit të naftës. Qeveria amerikane duhet të kërkojë një ndryshim në misionin e MIF, nëpërmjet autoriteteve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane duhet të punojë me koordinatorin ndërkombëtar të sanksioneve të BE-OSBE (Napolitano) dhe SAMCOMM për të siguruar mbështetjen europiane për këtë ndryshim.
Për të zbatuar këto hapa, Taskë Forca për Sanksionet do të punojë me JCS për të siguruar modifikimin e operacioneve të MIF.
Deputetëve ju kërkohet të mbështesin përpjekjet e nënvizuara për këtë çështje.
Si ngjitej nafta, nga portet drejt Shkodrës
Për shkak të luftrave ballkanike të fillim-viteve ’90, ai që kishte mbetur nga shteti me 6 republika i Jugosllavisë, u vendos nën embargo. Qeveria e Beogradit, nën varësinë e së cilës kishin mbetur edhe Mali i Zi e Kosova, cilësohej përgjegjëse për makinerinë e luftës në Ballkan. Serbët e kishin të pamundur të shfrytëzonin portet që kontrollonin në Adriatik, për shkak të embargos, ndaj dërgesat me naftë kalonin në territorin shqiptar. Ato shkarkoheshin në portet shqiptare dhe më pas në rrugë tokësore “ngjiteshin” në veri drejt zonës së Shkodrës. Kalimi i kufirit nuk përbënte një problem, për sa kohë në këtë trafik ishte e përfshirë edhe qeveria e Tiranës.
Bulatoviç: Kishim marrëveshje me Tiranën
Ish-presidenti malazez, Momir Bulatoviç, në një libër me kujtime “Rregullat e heshtjes”, ka pranuar se ka ekzistuar një marrëveshje mes tij dhe presidentit shqiptar, Sali Berisha, për shkeljen e embargos së vendosur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ai flet për një marrëveshje verbale, nga e cila u përfituan shuma të mëdha të financiare, si për Shqipërinë e Malin e Zi, ashtu edhe për qytetarët. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga kryeministri malazez Milo Gjukanoviç, në një intervistë të dhënë pak vite më parë për mediat televizive shqiptare. Gjukanoviç ka theksuar se karburanti është blerë shtrenjtë, por ka patur edhe mirëkuptim me fqinjët.
Dade: Berisha, armë në Srebrenicë
Kryetarja e Komisionit parlamentar të Politikës së jashtme, Arta Dade, gjatë diskutimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për kontrollin e lëndëve narkotike pak javë më parë, akuzoi ish-kryeministrin Berisha se ka dërguar edhe armë në ndihmë të serbëve të Bosnje-Hercegovinës. “Sa për përfaqësuesit e opozitës, do të dëshiroja që të jenë në anën tonë, pasi na kanë lënë trashëgim një gur të rëndë në kokë. Do na ndihmonin. Duhet filluar nga ata që bënë krimin, që nga Gërdeci, që nga presidenti dhe kryeministri në vitet ‘97. Edhe armët e Srebrenicës, ka prova e fakte që u morën nga Shqipëria, dhe pas kësaj qëndron ishkryeministri”, akuzoi Dade.
Berisha: Embargo u thye për të ndihmuar Kosovën e Malin e Zi
Pas 11 vitesh, Sali Berisha ka pranuar publikisht se ka shkelur embargon e naftës të OKB-së, vendosur ndaj ish-Jugosllavisë, për të ndihmuar Kosovën dhe Malin e Zi. Gjate një konference për shtyp në vitin 2006, kreut të atëhershëm të qeverisë i’u drejtua një pyetje në lidhje me një deklaratë të ish- Presidentit të Malit të Zi, i cili në kujtimet e tij është shprehur për një lloj marrëveshjeje të heshtur me Berishës për thyerjen e embargos së naftës në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Nëse i riktheheni viteteve ’92-’96 do të gjeni në mënyrë të përsëritur deklaratat e mia, ku unë nuk jam dakord me embargon e vendosur ndaj Kosovës dhe Malit të Zi. Këtë e kam shprehur publikisht dhe nuk e kam fshehur.
Unë nuk isha dakord, sepse Serbia furnizohej anije pas anijeje nga Danubi dhe, ndërsa këto vende i linte në acar, në Beograd nuk mungonte asgjë. Kjo ishte e vërteta e qëndrimit tim. Këtë qendrim unë e kam shprehur publikisht dhe për një qëndrim, që unë e kam shprehur publikisht në atë kohë, unë kam qenë i sinqertë”, është shprehur Berisha. Ai ka hedhur poshtë ekzistencën e një marrëveshjeje. “Nuk them se nuk ka patur mospëlqime ndaj qëndrimit të Shqipërisë, por në total Organizata e Kombeve të Bashkuara që mbikqyrte embargon arriti në përfundimin se 96 për qind e të gjitha ngarkesave me naftë e karburante të dërguara në Serbi ishin nga vende të tjera dhe vetëm 4 për qind i përkisnin asaj që rridhte nga Shqipëria.
Nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje, por një qëndrim i qartë i imi për këtë“, ka thënë Berisha. Sipas tij, thyerja e kësaj embargoje kishte si qëllim vetëm ndihmën ndaj Malit të Zi dhe Kosovës. “Jam përpjekur të ndihmoj këto dy vende, por sa kanë përfituar ato nuk ishte puna ime, sepse nuk e kontrolloja unë territorin e tyre, as të Kosovës dhe as të Malit të Zi. E rëndësishme është që ajo është bërë jashtë çdo lloj interesi të njëanshëm të Shqipërisë. Nuk më dukej e drejtë që ata merrnin çdo natë anije nga Danubi, ndërsa këto mbeteshin pa ngrohje“, tha Berisha.
Marrë nga "Shekulli"
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)