Islami është fe monoteiste e mbështetur në dy fondamente bazë të saj: Kur’anin-libër hyjnor, si dhe në porositë dhe praktikën e të dërguarit Muhammed a.s. Nisur nga fakti i thellësisë kuptimore dhe domethënieve shumëdimensionale që ka Kur’ani, ai nuk ishte dhe nuk është as sot një libër i thjeshtë, i cili mund të kuptohet, shkoqitet dhe interpretohet nga njerëz krejtësisht të rëndomtë, të cilët nuk janë njohës dhe studiues të tij.

Shpjegues i parë dhe i saktë i Kur’anit ishte Muhammedi a.s., i ngarkuar me misionin e pejgamberisë për të kumtuar mesazhin hyjnor tek masa njerëzore. Pas kalimit në amshim të Muhammedit a.s., përgjegjësinë e vazhdimit të shpjegimit dhe komentimit të Kur’anit e morën shokët e tij, të njohur në literaturën islame si “sahabët” dhe, pas tyre, shokët e shokëve të tyre “tabiinët”.

Në mungesë të mjeteve të shkrimit dhe evidentimit, i gjithë shpjegimi dhe analiza kur’anore, si dhe ajo e përgjithshme islame, për rreth gati dy shekujt e parë nga lindja e Islamit, ishin kryesisht të formës gojore.

Të dhënat historike, të cilat kanë përcjellë zinxhirin komentues të Kur’anit, tregojnë se një komentar i plotë i tij është shkruar rreth 270 vjet pas vdekjes së Muhammedit a.s nga Imami Muhamed bin Xherir et-Taberij, edhe pse më herët besohet se kanë ekzistuar komente parciale, si ai i Alij bin el-Medenij, të evidentuara në kuadër të librave të Hadithit, por jo edhe si një shkencë e veçantë.

Nga leximi i literaturës së hershme mbi ekzegjezën kur’anore, mund të konkludohet se Muhammedi a.s. nuk e ka komentuar gjithë tekstin e Kur`anit në të gjallë të tij. Urtësia dhe sekreti i një mosveprimi të tillë ndërlidhet me faktin evolutiv dhe statik të tij. Në Kur’an ka shumë vargje-ajete, që nuk lënë hapësirë të komentimit të jashtëm. Ato kryesisht janë të prera dhe dogmatike.

Pjesa tjetër, për të cilat ekzistojnë shpjegime të sakta pejgamberore, nuk mund të mbikomentohen nga të tjerët. Ndërsa pjesa, e cila lejon qasjen e jashtme e që besohet se është pjesa dërmuese e tekstit kur’anor, ishte dhe është gjithmonë në dispozicion të dijetarëve të kohës dhe qasjeve të reja.

Këtë realitet më se miri e dëshmon prezenca e larmishme e qindra komentarëve të Kur`anit në botën islame. Po të kishte vetëm një komentim të plotë të Kur`anit nga ana e Muhammedit a.s., atëherë nuk do të kishte mundësi dhe alternativë që ai të komentohet ndryshe, përveç komentimit të tij, sepse ndryshe, çdo shpjegim tjetër i ri, jashtë tij, do të konsiderohej i devijuar.

Kjo formë, po të ishte evidente, do të çonte në pasivizimin e të menduarit dhe thellimit të përsiatjes njerëzore rreth tekstit të tij, si dhe do të binte në kundërshtim të drejtpërdrejtë edhe me porositë e shumta tekstuale kur`anore, të cilat njeriun e thërrasin për të lexuar, studiuar dhe logjikuar mbi përmbajtjen dhe dimensionet kuptimore të tij.

Komentimet njerëzore jashtë Kur’anit dhe jashtë shpjegimeve pejgamberike nuk janë të shenjta e as nuk konsiderohen të pandryshueshme. Ato gjithmonë mund të jenë relative; të sakta dhe jo të sakta. Gjatë leximit dhe krahasimit të veprave të shkruara nga autorë të ndryshëm mbi analizën dhe interpretimin e Kur’anit përgjatë shekujve, ne hasim në qasje të ndryshme interpretuese si: tradicionale-konservative, racionale, filozofike, linguistike, letrare, mistike, politike e deri te ato bashkëkohore.

Ndërsa, në kuadër të përmbajtjes së tyre, gjejmë edhe frymën dhe ngjyrën e drejtimeve islame kryesore: sunite, shiite, pastaj atë të drejtimeve dhe shkollave të ndryshme juridike, si dhe të fraksioneve dhe sekteve islame, të lindura e të themeluara përgjatë periudhave të ndryshme kohore pas Muhammedit a.s.

Diversiteti dhe pluraliteti i mendimit islam, si dhe ndarja e autorëve në qëndrime të ndryshme mbi përmbajtjen e tekstit kur’anor, nuk kanë lindur për shkak të Kur`anit si mesazh hyjnor, por për shkak të shkallës, qasjes, këndvështrimit, rrethanave historike e gjeografike, si dhe nivelit perceptues të studiuesve të Kur`anit.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se qendrat islame në botën myslimane në përgjithësi nuk e kanë pasur një qasje krejtësisht të duhur ndaj këtij libri, sepse, deri në fillim të shekullit të 19-të, përkthimi i tekstit kur’anor në gjuhë të tjera është konsideruar si veprim i ndaluar, jo për diçka tjetër, por nga frika e zbehjes së shenjtërisë sè tij.

Prandaj, si rrjedhojë e kësaj, shumë pjesëtarë të botës myslimane, në mungesë të përkthimit, e kanë lexuar atë vetëm përmes tekstit të gjuhës arabe, duke mos e kuptuar edhe domethënien e tij. Kjo formë e leximit, e mbështetur vetëm mbi bazën e devotshmërisë dhe pasimit shpirtëror, padyshim ka shkaktuar dekadencë në kuptimin e saktë të mesazhit hyjnor.

Sot fatmirësisht kjo barrierë gjuhësore është tejkaluar, sepse përkthimi i Kur`anit është bërë gati në të gjitha gjuhët aktive të botës.
Si libër i besimit shpirtëror, i dyti në radhë në gjithë botën njerëzore, Kur’ani nuk mund të gjykohet si shkaktar i gjendjes së pafavorshme dhe destabilizuese që po mbretëron në mesin e shoqërive të sotme myslimane, siç ndoshta edhe mund të pretendojë dhe besojë dikush, por kryesisht si rezultat i mosperceptimit, kuptimit dhe qasjes jo të drejtë ndaj përmbajtjes dhe mesazhit thelbësor të tij.

Interpretimi i ngurtë, pasimi i verbër, pa analiza dhe krahasime, nënshtrimi i tij nën ndikimin e ideologëve dhe ideologjive të momentit dhe rrethanave të caktuara, si dhe të fanatizmave dhe adeteve të çoroditura, janë shkaktarët kryesorë të shtrembërimit të esencës, porosisë dhe mësimeve autentike të Kur’anit. Dera e interpretimit dhe analizës së re të tekstit kur’anor nuk ishte dhe nuk është e mbyllur as sot, mirëpo jo gjithsecili që nuk ka parapërgatitje profesionale dhe adekuate e gëzon një të drejtë të tillë.

Urteksti i Kur’anit është statik, por jo edhe mendimi mbi të!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)