Mendimi për qytetin, Tirana e
vjetër (Nuk) mbrohet nga shteti

Mendimi për qytetin, Tirana e<br />vjetër (Nuk) mbrohet nga shteti
Prej vitit 1837, ngrihet një ndërtesë dykatëshe, e njohur si Sarajet, dikur banesë e familjes Toptani, e cila ka drejtuar Tiranën. Vështirë të gjesh sot një ndërtesë kaq të vjetër në gjithë qytetin. Rrethuar me oborr të gjerë, shtëpia me mure të bardha ka arkitekturë osmane. Avllia me rrasa të mëdha guri shndrit si pasqyrë pas shiut; kati përdhes, që në mes ndahet nga porta kryesore, e gjerë dhe e lartë, ndahet sërish në skaje nga dy shkallë druri të errët, që të çojnë në katin e dytë; druri, në të gjithë vilën, është përdorur me mjeshtëri nga ustai, me një kujdes dhe art që sot nuk e gjen më; sallat kanë minderë të rehatshëm që të kujtojnë kohën e shkuar; dritaret e mëdha prej druri janë të pangakuara me zbukurime: i ndan vetëm një pëllëmbë apo dy nga njëra-tjetra, për të lejuar  depërtimin e plotë të dritës natyrale nga jashtë, sepse vila është ndërtuar përpara epokës së elektrifikimit.

Me kohën, Sarajet kanë pësuar ndryshime. Dera e lartë, dikur me hark, sot është katërkëndëshe. Një shkallë hyrëse është mbyllur me mur. Sidoqoftë, restauruesit janë përpjekur t’i qendrojnë besnikë origjinalit dhe vizitori nuk e ka të vështirë të nuhasë të vjetrën e të lexojë historinë. Sot, në zemrën historike të qytetit, kjo vilë qendron si një gur i çmuar midis pallateve të larta që kanë thyer pamjen dhe trashëgiminë e qendrës ku lindi Tirana dhe u ngrit shteti shqiptar. Gjer para një viti, Sarajet shërbenin si bar-restorant me kuzhinë tradicionale, një mënyrë për të ruajtur disi identitetin. Vizitorët më të shpeshtë ishin të huajt; frekuentoheshin më pak nga shqiptarët, ndoshta sepse nuk e njihnin, ndoshta sepse nuk u bënte përshtypje, ndoshta sepse u dukej se do ta kishin gjithnjë aty. Por Sarajeve tani u është vënë dryni dhe nga oborri me rrasa prej guri janë hequr karriget dhe tavolinat e barit.

Edhe një sy fare pak i vëmendshëm, do të vinte re se zona rreth Sarajeve ka humbur çdo shenjë nga e kaluara. Aty ku dikur ndodheshin varret madhështore të pasunarëve tiranas, janë ngulur disa godina tregtare. Ndërtesat e vjetra janë zhdukur dhe hapësira është ngushtuar prej pallateve të rënda e shumë të larta. I vetmi objekt që të kujton Tiranën e hershme është tyrbja e Kapllan pashës me tetë shtyllat e saj të gdhendura. Edhe pse mban pllakën “MONUMENT KULTURE; MBROHET NGA SHTETI”, tyrbja është lënë e fshehur në gropën e një pallati në ndërtim, mbuluar me teneqe, hekurishte e beton, bashkë me reliket, gurët e çdo shenjë tjetër arkeologjike, duke ruajtur nga gjithë ç’ka mbetur në zonë veç kioskat e berberhanes dhe këpucarit, të cilat vijojnë qetësisht punën, fitimtare ndaj tyrbes shekullore.

Gati përballë Sarajeve, koha nxin përditë muret e dritaret pa xhama të ish Hotel Kontinentalit, vendit, dikur të preferuar të Tiranës, që diplomati italian Pietro Kuaroni përshkruan në librin “Valixhja diplomatike”. Ky është hoteli që mblidhte ambasadorë e ministra, ku kanë bujtur njerëz si Faik Konica, por sot, vetëm gurët përqark portës së lartë dhe zbukurimet e dritareve kanë mbetur pa u shkulur prej vandalëve.

Në rrugicën ngjitur, ndodhen themelet e kalasë së vjetër të qytetit, të zbuluara disa vite më parë. Nuk dihet ç’po ndodh me to dhe nëse do t’i mbulojë ndonjë pallat i ri. T’ua ketë vënë syrin ndonjë ndërtues? Pranë ndodhen edhe vila të tjera të Toptanëve, por betoni është ngjitur pas mureve të gurta duke i kthyer në hotel, kinema, e klub nate. Të rinjtë kalojnë çdo fundjavë përmes portës së vjetër me hark prej druri për t’u dëfryer, pa e ditur, ndoshta, se aty ka lindur ky qytet e ky shtet, dhe se po shkelin mbi histori.

Akademia e Shkencave po pëson të njëjtin fat neglizhence, edhe ajo e lënë pas dore. Hyjnë e dalin aty profesorë dhe akademikë të shquar, por duket sikur të tjerëve nuk u bën përshtypje se edhe ajo është një nga gjërat e pakta të çmuara që na kanë mbetur nga e kaluara. Ndërtesa ka qenë parlament, kryeministri dhe pallat mbreti. Aty janë mbajtur fjalime, ka folur Noli, janë bërë debatet e para mes deputetëve, i është bërë atentat Zogut, por vetëm pak ditë më parë u shpall monument kulture i kategorisë së parë. Është gjë shumë e mirë, por a do të ndihmojë shpallja si monument ndaljen e sulmit që po i bëhet Tiranës, sepse edhe tyrbja e sipërpërmendur është monument, por shteti ka lejuar të rrethohet.

Heshtja që rrethon këto ndërtesa historike është shurdhuese. Luksi, shkëlqimi, dritat dhe ashensorët modernë po fitojnë mbi monumentet. Duket si çmenduri kolektive dhe nuk mund të mos jetë e qëllimshme. Nëse nuk është e qëllimshme, përse ndodh që historia groposet me vetëdije për t’u mbuluar nga disa ndërtesa falike? Si mund të degjenerojë një qytet për njëzet vjet?
 Kur të vijnë turistët e huaj, do t’u themi se këtu lindi qyteti, atje tutje kanë qenë vila të vjetra me shkallë guri, ku dhomat ishin të zbukuruara me qilima të punuar me dorë e shandanë të argjendtë. Do t’u themi se, në vend të këtyre çibanëve që rëndojnë dheun e Tiranës, duhet të përfytyrojnë varre me shtylla të gdhendura, xhami me harqe e minare të larta, puse uji. Do t’u themi se të gjitha janë flijuar si Rozafa për të mbajtur më këmbë qiellgërvishtëset varrgërvishtëse.

Qytetet janë pjesë e historisë. Tirana e vjetër, dikur e mbuluar me bar dhe pemë, u projektua nga arkitektët e urbanistët italianë për të qenë me rrugë të gjera e me ndërtime jo të larta. Ata kishin fusha të tëra në dispozicion, mund të ngrinin mbi to çfarë të donin, por shihni ç’sheshe e bulevarde ndërtuan! Disa prej ndërtesave tona më të bukura u ngritën prej atyre, që erdhën këtu me një imagjinatë të sinqertë për të bukurën. Nuk bëhet fjalë për të shpëtuar vetëm të bukurën që na ka mbetur, por, mbi të gjitha, historinë e kujtesën e vendit, ndonëse, kjo duket çdo ditë e më e vështirë, sepse, sepse vizionarëve nuk u ndihet zëri. Siç është shprehur edhe albanologu Robert Elsie, shqiptarët janë një popull memec, ata pretendojnë që kanë një histori të lashtë, por historia nuk është. Janë vetëm parrullat.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë