Në PD bëjnë ironi me një shprehje: “Fajin e ka Berisha”. Dhe pyetja retorike është: Pse, Berisha e ka fajin për korrupsionin e Ramës?
– Jo, Berisha nuk ka asnjë faj për inceneratorët qindra milionë euro, që u shpallën si histori suksesi e tani u deklaruan zyrtarisht të dështuar.
– Jo, Berisha nuk ka asnjë faj pse tuneli i Llogarasë sot kushton 130 milionë euro e pas një muaji kushton 190 milionë euro. Nuk ka faj as për milionat e IPARD-it që, nga fermerët, shkuan për vila. As për mungesën e ilaçeve në spitale, ndërsa dhjetëra milionë euro shkojnë për të “larë” gërshërët dhe bisturitë.
– Po, Berisha ka faj që, me gjithë këto skandale, e katandisi opozitën një grusht njerëzish në parlament e një grusht në bulevard.
– Po, Berisha ka faj që nuk e mund dot qeverinë me gjithë këto skandale dhe nuk largohet, duke tundur si flamur alibie manipulimin e zgjedhjeve, për të mos u dorëhequr.
E vërteta është se zgjedhjet nuk janë të lira, por Berisha refuzon të kërkojë edhe përgjegjësitë e tij në këto dështime.
Rama i bleu votat dhe u ngjiti nga një patronazhist nga pas votuesve, por Rama nuk i pengoi sot ata, me asnjë lloj mënyre, të dilnin në protestë.
Në këtë mjedis kaq toksik politik dhe historisë së skandaleve të korrupsionit, qytetarët duhej të dilnin masivisht në rrugë pas thirrjes së opozitës.
Po përse nuk dolën?
Sepse jemi popull dele – mendon shumë kush.
Pa dyshim, ka shumë dele mes nesh.
Por a nuk ka faj edhe çobani plak që u prin këtyre deleve dhe që i sjell vërdallë nëpër shkurre e nuk i çon dot te lëndina me bar dhe lule?
Protesta e sotme tregon përfundimisht se populli nuk të ndjek, nuk të mbështet, nuk ka besim.
Z. Berisha është një opozitar i shkëlqyer. Por Shqipërisë nuk i duhet një opozitë profesioniste, por i duhet një alternativë qeverisëse, që Rama të mos qëndrojë në pushtet 20 vjet. Dhe Berisha nuk është një alternativë, dhe këtë e tregoi edhe pjesëmarrja në protestë.
Këtu mbaron historia. Sa më shumë Berisha të kapet pas karriges së kryetarit të opozitës, aq më shumë shtohet barra e fajësisë së tij në atë që bën keq Rama.
Komente












Sejcili e njeh Siberine si vend te bukur por askush nuk e viziton ,e njejta eshte me Berishen kur sejcili e e din se eshte fajtor por asnji gjyqtare nuk e denon .
Përgjigju