Mentor Quku, Një studiues
i identifi kuar me objektin

Mentor Quku, Një studiues<br />i identifi kuar me objektin
Si paradoks domethënës, jeta dhe vepra e studiuesit dhe objektit të tij kanë ardhur duke u identifikuar me njëra-tjetrën. Në të dy rastet na zbulohet një jetë plot pasion, përkushtim, ëndrra, dyshime, korrektësi, humanizëm, reflektim, vullnet, ndershmëri, konsekuencë dhe përballje me të vërtetën.

Të gjitha këto cilësi, e të tjera si këto, që e nderojnë profilin e një kërkuesi e studiuesi të albanologjisë në përgjithësi dhe mjedologjisë në veçanti, do t’i gjejmë në veprën kërkimore- shkencore të studiuesit Mentor Quku. Ia vlen ta theksojmë këtë, kur kemi rastin e një studiuesi që edhe pse gjithë jetën e vet u gjet jashtë institucioneve të llojit, arriti të vinte përpara opinionit me një vepër 10 vëllimëshe për jetën dhe veprën e njërës prej figurave më të shënuara të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi, Ndre Mjedës.

Megjithatë, nuk ka vlerë pyetja se si do të qëndronte puna nëse do të ekzistonin disa rrethana më komode për punë shkencore, pasi “gjuha” e një vepre konkrete nuk i lë vend “gjuhës” së luksit hipotetik, duke ia humbur kuptimin asaj qasjeje. Argumenti: përgatitja në këtë mënyrë e dhjetë vëllimeve të mjedologjisë, si dhe vetëbotimi i tyre, flasin për një vetëdije të qartë autoriale ndaj objektit. Pengesat e luftës klasore bënë të kundërtën e asaj që synonin: nxitën dëshirën për ndershmëri, konsekuencë dhe moskthim prapa. Sot mund të shohim se lidhja me figurën e Ndre Mjedës për studiuesin e saj u bë vetë fati.

Kjo punë prej disa dekadash larg institucioneve të llojit ka përcaktuar edhe metodikën vetjake në bazë të parimit: kërkesë dhe sintezë. Gjithçka që është thënë e bërë për Mjedën, gjithçka që sjellin dokumentet e njohura apo pak të njohura, gëlon në këtë trajtesë mijërafaqëshe. Mentor Quku thotë vetë diku: “Kam punuar me retrospektivë e perspektivë, jam kthyer e rikthyer, kam bërë debate, kam kundërshtuar e argumentuar, kam dhënë versione të reja, kam pranuar gabime që vetë i kam bërë në librat e mëparshëm, pasi mund të kem gjetur një dokument që ka hedhur poshtë hipotezë që kam ngritur një herë”.

Ose: “Për dukuri të ndryshme, pasi kam dhënë mendimet e të tjerëve, jap mendimin tim ose kundërshtoj mendimet që janë shprehur. Më pas ia lë atë lexuesit. Në këtë mënyrë krijoj një raport me lexuesit dhe studiuesit e ardhshëm. Hap shumë dilema e ndërkohë mbyll shumë të tjera”.

Në këto vetëpërcaktime është dhënë kodi i zbërthimit të kësaj vepre 10 vëllimëshe ku, besoj, duhet të bëhet fjalë për diku te pesëmijë faqe. Ia vlen ta theksojmë këtë, sepse kërkime me kode të tjera mund të na lënë prapa derës: nuk mund të kërkojmë prej autorit atë çfarë nuk ka dashur të bëjë.

Forma e ndjekur nga studiuesi ka nxjerrë një rezultat fatlum për mjedologët e ardhshëm: janë shkurtuar shumë rrugët për t’iu qasur njërës prej figurave kyçe të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Pra kjo lidhje identifikuese e studiuesit me  objektin e vet, u shndërrua në një fat për komunitetin kërkimor-shkencor në një moment historik kur flitet aq shumë për Rishkrimin, si kërkesë kombëtare, sociale apo të menduarit bashkëkohor që edhe në Shqipëri, në thelb, po identifikohet gjithnjë e më shumë me postmodernitetin.

Në këtë kuadër vlen të veçohet ndihmesa që përfitohet nga kontribute të tilla si Bibliografia e veprave të Mjedës, që nga gjysma e dytë e shekulli XIX e deri në mijëvjeçarin e ri, apo Bibliografia e botimeve mbi të. Siç edhe është vënë re nga vëzhguesit e vëmendshëm të kësaj bibliografie, në rastin e parë, me gjithë rrjedhën kronologjike, kemi tejkalim të konceptit tradicional të bibliografisë, sepse shtohen saktësimet, komentimet, referimet, plotësimet, vlerësimet e rishikimet – në pikëpamje filologjike, tekstologjike dhe shkencore. Në rastin e dytë kemi rend alfabetik të autorëve që janë marrë me Mjedën, të shoqëruara vazhdimisht, tashmë siç nuk mund të kuptohet ndryshe, me komente nga ana e përgatitësit.

Në këtë vështrim të shpejtë, do të doja të veçoja si kryesore dy gjëra.
Së pari: kërkesën për të shkuar te autografet apo botimet fillimore.

Vepra e Mjedës është botuar me gabime, shpesh të pafalshme, sidomos kur ato kanë mbajtur mbi kopertinë sigla të rëndësishme, të institucioneve shkencore apo arsimore të dorës së parë. Në këtë rast, mundësia e shumëfishimit në vazhdimësi të gabimeve ka rezultuar shumë e madhe. Mentor Quku e ka evidentuar shumicën e këtyre rasteve. Me studimet e fundit ekziston mundësia për ta nisur këtë punë filologjike-tekstologjike nga fillimi.

Së dyti: do të veçoja mbajtjen gjallë, deri në rinisje, të diskutimit për poetikën mjedjane, historikisht me shumë kundërthënie, duke i përzier edhe një herë përcaktimet e debatet, për të ardhur deri në kontribute me përfundime vetjake, ku i mëshohet një poetike individuale, për të nxjerrë në pah formimin e thellë letrar, kulturor dhe filozofik të poetit të madh, shumë të rëndësishëm, të traditës sonë.

Përfundimi i këtij diskutimi le të shërbejë për të kujtuar se studiuesi është identifikuar me objektin e vet: shumëkujt, Mjeda do t’i kujtojë Mentor Qukun dhe Mentor Quku Mjedën. Koha do ta thotë fjalën për shumë gjëra që nuk mund t’i përmbledhë një vështrim i shkurtër. Kjo vepër ka ambicien për të qenë një pikë e referueshme mjedologjike për shumë e shumë kohë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Sot në Esencë në Report Tv, Andi Tepelena: 2 korrik 1990, ja si hymë në Ambasadën Italiane

Sot në Esencë në Report Tv, Andi Tepelena: 2 korrik 1990, ja si hymë në Ambasadën Italiane