Meribona

Meribona

Kreshta ishte një qytezë e vogël minatorësh, me rreth 3-4 mijë banorë, të ardhur, kryesisht, nga zonat përreth, por kishte edhe nga shumë rrethe të vendit, një qytezë, e ndërtuar në vitet e komunizmit, plot gjallëri, ku autobusi i minatorëve dhe centaurët e mëdhenj të ngarkuar me krom, nuk pushonin gjatë gjithë ditës. Mensa e madhe e punëtoreve qëndronte gjithnjë e hapur, kurse zërat e fëmijëve të shkollës, i jepnin qytezës një hijeshi  të veçantë...

Ky ishte imazhi i Kreshtës, që Iselti e ruante prej më se 15 vitesh, që nga dasma e tij, kur qe për herë të fundit. Më parë ai vinte shpesh tek e fejuara e tij, por pasi u martuan, pas zhvillimeve të reja demokratike, familja e saj u shpërngul në Tiranë, kurse atje mbetën shumë të afërm të saj. Më vonë filluan "rrëmujat" e demokracisë dhe ata të dy nuk u bënë mukajet të riktheheshin në vendlindjen e saj.

Dhe ja, papritur e pakujtuar u nisën me karavelen e tij në atë rrugë të vështirë mes malesh, që Iselti dikur e bënte me shumë qejf, jo thjesht se shkonte tek e fejuara, por edhe pse atij i pëlqenin udhëtimet. Ishte mësuar me to, që kur ishte student, kur siguronte  ndonjë shërbim nga gazeta "Drita" apo "Zëri i Rinise" për të bërë  reportazhe, të cilat ai i kishte fort për zemër, sepse ato, jo vetëm e bënin të njohur si gazetar, por edhe i siguronin ca lekë, të cilat ai i kishte po aq për zemër..

Kjo ishte hera e parë që ai e bënte atë rrugë si shofer, sepse gjithmonë pati udhëtuar me autobusin e linjës, madje qe miqësuar edhe me shoferin e saj, një burrë i shkurtër e flokërëne, dhe shumë i muhabetit.

Kur mbërritën tek Guri i Bardhë dhe panë një lokal buzë rruge, Iselti, uli shpejtësinë dhe iu kthye Lizës, që e kishte qepur gojën dhe, gati, po e zinte gjumi 

-Si thua për një kafe këtu?

Liza sikur u përmend dhe pa e zgjatur, i tha "mirë", sepse donte t’i dilte gjumi.

-Nga iu kemi?- i pyeti burri që iu solli kafet.

-Unë nga këto anë jam, -iu përgjigj pa u menduar Liza, -kurse ky është burri im. Jo nuk është që këtej, jo. - tundi kokën , në shenjë mohimi, sikur nuk donte t’ia zgjaste muhabetin, sepse e dinte që njerëzit e këtyre anëve janë shumë të afruar dhe të pyesin pa të keq.

-Sa e mirë qenka rruga! -murmuriti me vete Iselti  që e dinte se ishte bërë rruga e re, e cila shkonte deri në Dibër të Madhe. E pati dëgjuar nga i ati i Lizës, i cili vinte shpesh në Kreshtë, tek i vëllai i tij, por edhe tek të tjerët që nuk donin të shpërnguleshin nga Kreshta edhe pse në vitet e para të demokracisë, shumë kreshtarë, e lanë qytezën e dashur, për t’u afruar në zonat e buta, ose në kryeqytet, apo në Durrës, buzë detit e gjetkë.

Kur iu afruan Qafës se Buallit, Iselti e uli shpejtësinë se rruga ishte e frikshme.

-Nuk të kam pyetur, pse i ka ngelur ky emër?-iu drejtua Lizës.

-E ku e di unë, mor burrë, -tundi kokën Liza, që e kish përpirë malli i vendit ku pati kaluar fëmijërinë, rininë dhe që bërë nuse.

Kur mbërritën në Kreshtë, qyteza e dikurshme as që dukej gjëkundi: një qendër e re, shtëpi të reja, mensa e dikurshme qe bërë restorant (me sa dukej i kishte dalë i zoti i tokës), kurse shkolla kish mbetur si para 15 vjetësh dhe fëmijë kishte më pak.

Ende pa e ndaluar Punton e tij, dëgjoi zërin e Lizës që i tha: “-Mbaje!” dhe hapi derën me të shpejtë dhe ashtu brofi në këmbë,si të kishte zbuluar Amerikën, e thirri me sa fuqi pati:

-Bona!- dhe u lëshua me vrap drejt një gruaje, pak a shumë e moshës se saj, me flokë të gjata kaçurrelë, të zeza. 

U përqafuan aq shumë me mall, pllaq-plluq, duke u puthur, siç bëjnë zakonisht gratë, sa Iseltit i bëri përshtypje.

Pastaj të dyja erdhën drejt tij, që dukej se Liza po e sillte për dore, për t'ia prezantuar atij shoqen e saj të veçantë.

-Kjo është Meribona-i tha të shoqit, me një lloj ngazëllimi, sikur t’i thoshte "kjo është Tanusha e famshme " e Nekrasovit, e cila e pati frymëzuar dikur, në rininë e tij të hershme, dhe ai ia recitonte ndonjërës, që donte ta "rregullonte".

-A je mirë?-dëgjoi zërin e saj të vrazhde,t’i drejtohej atij.

-Mirë... Po ti? -i tha instinktivisht Iselti, të cilit nuk i bëri ndonjë përshtypje të veçantë, kjo grua, me të cilën Liza u argalis 4-5 minuta me ato pllaq-plluqet e tyre.

-Moj po kush është kjo Meribonë, për të cilën s'më ke folur ndonjëherë? -iu kthye të shoqes, Iselti, pa i hequr sytë nga shoqja e saj, që në fakt, ishte shumë e bukur, veçse një bukuri e egër, si një dhi mali.

-Eh...ta dish t’i se kush është kjo Meribonë, dmth të dish historinë e saj. Jam e sigurtë se do ta lësh atë skenarin që ke nisur, pa e mbaruar dhe do të merresh me të.

-Ashtu?-iu përgjigj me qesëndi, Iselti, por sytë ia nguli shoqes misterioze, sikur të zbulonte, historinë e saj, në disa të dhjeta të sekondës.

-Po,po..e them me bindje këtë,- e ndërroi tonin, Liza, duke u bërë me serioze, si për t’i dhënë muhabetit një rëndësi të veçantë.

Po, çuditërisht, edhe Iselti ndërroi pamjen dhe të tre, për një çast, u panë në sy, në të njëjtën kohe..

Meribona dukej një grua me buzëqeshje të shuar, me sytë e zinj, si dy kokrra ullinj të pjekur mirë, veçanërisht flokët e gjatë e të dendura kaçurrele, të kapura në mes, e bënin të dukej si një arushë mali që ka zbritur në fushë… Kishte një vështrim të thellë shpues, sikur donte të përcillte tek të tjerët dramën e saj të kaluar, me të cilën Iselti do të njihej shpejt. Kjo edhe për shkak të profesionit të tij si skenarist, por me shumë për faktin se ajo ishte natyrë ekspresive. 

Iselti dukej se kish humbur brenda vështrimit të së porsaardhurës, sa, për një çast, Liza u ndje në siklet, jo për çështje xhelozie, se ajo e njihte mirë burrin e vet, por se ç’pati një ndjesi të veçantë në ato çaste që vetëm gratë e kanë.

-Hej këtu, ku je?-i bëri me shenjë si ta kujtonte se ishte e pranishme edhe ajo.

-Më fal, si e kishe emrin, Meribona?- sikur u përmend Iselti.

-Po- u përgjigj shkurt e porsaardhura.

-Emër i rrallë, s'e kam dëgjuar ndonjëherë.

-I rrallë është, -nisi të tregonte, ndërkohë që Iselti s'e kish vënë re se ishin ulur në ish-mensën e dikurshme të minatorëve dhe u përmend veç kur i erdhi kamarieri për të marrë porosinë..

-Ja e shikon këtë bar-restorant, ku jemi ulur tani? Këtu, dikur ka qenë mensë e punëtorëve të minierës dhe shef kuzhine ishte im atë, e thërrisnin Konti, sepse ishte mjeshtër i kuzhinës. Vinin nga të gjitha anët dhe hanin në këtë mensë.

Këtu unë vija shpesh, kur isha e vogël, me një tenxhere për të marre fasule të gatuara nga im atë. Ishim njëmbëdhjetë fëmijë. Jemi rritur me vuajtje, s'kishim të hanim. Kurse ajo atje tej është shkolla, ku unë me Lizën tënde, kemi mbaruar tetëvjeçaren..

Lizës po i shkëlqenin sytë nga një ndjenjë e çuditshme, malli e dhimbjeje të përziera bashkë, sidomos kur shoqja shqiptoi fjalët “me Lizën tënde”. Pas shumë vitesh po rikthehej në vendlindjen e saj dhe po takonte një shoqe të fëmijërisë për të cilën, në ato kohëra rrëmujash kishte dëgjuar t’i kishin ndodhur disa fatkeqësi njëra pas tjetrës, histori, që i kishte dëgjuar, nga njerëz të tjerë, por pa mundur ta takonte shoqen e saj, qoftë sa për ta ngushëlluar, sepse koha, largësia, me ndryshimet e sistemit, bënë të vetën.

Tani do të mund të dëgjonte nga goja e saj, se ç’i kishte bërë vaki, kur akoma s’i kishte mbushur të njëzetat.

Meribona nisi të tregonte..

Iselti ia kishte ngulur sytë, si të parandiente se vërtet, nga të treguarit e saj, ai do të ndryshonte të gjithë drejtimin dhe rrjedhën e punës së tij, madje edhe vetë jeta e tij do të pësonte një ndryshim të thellë.

-Qe kur kemi mbaruar klasën e tetë s'jemi parë më, apo jo Bonë? -e ndërpreu Liza.

-Jo vërtet, deri sot, sa vite kanë kalu!

-Edhe?- ua preu bisedën shoqeve, Iselti, i mbërthyer nga një valë padurimi, sa edhe kafja e porositur në tavolinë po ftohej.

-Sapo mbarova tetëvjeçaren, kur ti shkove në gjimnaz, unë fillova punë në fabrikë. Atje punonin edhe dy motrat e mia, më të mëdhoja se unë.

E folura, në dialektin dibran, e bënte edhe me interesante historinë e saj.

-Isha me e vogla e fabrikës. Në punë më donin, por edhe me ngacmonin djemtë e rinj. “-Erdhi Murra”, -thoshin.

-Po pse të thoshin Murre?- e ndërpreu Iselti.

Bona vuri buzën në gaz dhe shtoi:

-Unë kam lindur në një fshat këtu afër, që quhet Muher dhe kur linda, shoqet e veta i thoshin mamit tim, me shaka, se gocën ta kanë ndërruar në maternitet, se s'ngjan me asnjë nga fëmijët e tjerë. Isha e katërta, nga fëmijët dhe vërtet nuk ngjaja me asnjë nga motrat, por as me prindërit e mi, vija zeshkane dhe ne dibronët femrës zeshkane i themi Murre dhe kështu mua më ngeli ky emër edhe sot e kësaj dite. Në fillim kujtoja se me thërrisnin ashtu për shkak të fshatit, ku linda, por me vonë e kuptova arsyen e vërtetë të këtij emri.

Në fabrike një djalë m’u qep keq. Nuk më linte rehat. Më priste, më përcillte për në shpi. Ishte shumë i sjellshëm, por unë isha akoma fëmijë, nuk dija ç’ishte as burri, as dashuria.

Një ditë me pa vëllai me të, kur po më përcillte për në shpi. U zunë keq të dy. Unë ika me vrap për në shpi, por atë ditë mami më rrahu keq, kur i tregoi vëllai se më kishte pa me një djalë. Ajo ditë ndryshoi gjithë jetën time dhe më detyroi të marr rrugën e kurbetit.

-E pse, ç'të keqe bëre ti, pse të pa me një djalë? -rrudhi vetullat Iselti, që as e konceptonte dot se bota e tij, lindur e rritur në Durrës, të ndryshonte aq shumë nga ajo e Meribonës, për të cilën që tani filloi të ndjente respekt e keqardhje, njëkohësisht. 

-Shif  ky?-bëri me dorë nga Iselti dhe iu drejtua shoqes së saj.

-Oshtë Dibër këtu, or pallosh, nuk oshtë Tironë. Këtu njerëzit janë 100 vjet mbrapa.

-Pallosh më the?! - i plasi gazi Iseltit, që e kuptoi se ajo fitoi një kofidencialitet me të, pa e kuptuar as vetë, që kjo grua ishte aq natyrale, sa nuk ia merrje dot për keq, edhe kur fliste larë e palarë.

-Po pra, se këtu ishte turp i madh, po të të shihnin me një çun, se thoshin kjo gocë don burrë.

-E ç'ndodhi më pas?-u bë kurioz Iselti.

-Që nga ajo ditë, katër-pesë muaj rresht, sherr për note në shpi, më rrifshin mami dhe vëllai. O sa herë kom shku me sy të nximë në punë, unë? Po ma shumë se syun, ma nxinë jetën.

-Trego, a je me barrë me atë?-s'më linte rehat mami. Atë pak gëzim, që të jep shtëpia jote, ku ke të afërmit e tu, e gjeja vetëm tek motra e madhe e sidomos tek babi. Ata më qëndronin afër... Shtëpia mìu bë ferr.

-Po ai djali ç’bënte, ç’ndodhi më vonë me të?-ndërhyri Iselti, 

-Ai djali shqetësohej, më jepte besim, por në shtëpinë time nuk vinte dot, se nuk e donin. “-Do marrësh atë fshatar?!, më thoshin.

-Po tani ku ndodhet ai?

-Tani ai është në Londër, po mban djalin tim dhe të vetin... Ti qenke pallosh krejt, më duket, -e ndryshoi zërin. -Oshtë burri im, pra, a s'po merr vesh ti?-dhe vështroi nga Liza, që kishte mbetur si e ngrirë, me fytyrën të mbështetur në dy pëllëmbët e duarve, sepse ishte hera e parë, pas 15-16 vjetësh të dëgjonte shoqen të fliste, në atë farë feje, me të cilën qenë mësuar të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, kur ishin të vegjël.

-Aha, shiko, shiko, dmth me të u martove?

-Po ç’u martova, ika me të, -e treti zërin.

-U rrëmbeve?

-Pooo, a s'po kupto ti?-kush më martonte mu, as 15 vjeçe.

-Kur e pashë se në shpi, vëllai dhe mami ma nxinë jetën, një ditë i thashë Besit (kështu ma quajnë burrin) se në qoftë ti më do me të vërtetë, hajde të ikim, se s’un rri mo këtu. Ai, po qe gati dhe ikëm.

-E ku shkuat?

-Një javë shkuam në Ceroj, një fshat, nja dy orë prej këtu, ke motra e Besit, aty më bonë nuse. Unë isha kalamo, nuk dija ç'ishte martesa, por mendojsha se do shpëtoj nga sherri i shpisë time. Po nuk e imagjinojsha se po ikja nga shiu dhe po bija në breshër.

-Pse  në breshër, nuk të priten mirë ke shtëpia e burrit?- u vërejt në surrat Iselti?

-Hiç mirë, kujtojshin se Besi më solli në shpi, ngaqë kisha ngelë me barrë.

-Mjaft më, -i vuri dorën përpara fytyrës Iselti, që u mërzit vërtet dhe u ngrit në këmbë për të ikur.

U ulen për një kafe dhe kishin kaluar me shumë se dy orë, pa e kuptuar se ishte koha e drekës dhe ai po ndjente uri.

-Tek kush ke ardhur këtu?, - e pyeti Liza.

-Në Ceroj, ke motra e Besit. Ajo ishte e martuar dhe jetonte larg shtëpisë së prindërve të tij. Ajo me pati parë edhe më parë dhe ishte ajo që këmbënguli të më bënin nuse.

Iselti, bëri një gjest me dorë, për të thënë, se duhej të uleshin më tej, ku ishte për të ngrënë.

-Po sot do t’jua jap unë drekën, -vuri veton Bona. -Ja këtu ke ky restorant që ka qenë mensa dhe shtëpia e babit tim, se ai më shumë këtu e kalonte kohën.

Liza bëri një shenjë pohimi me kokë, pastaj iu kthye të shoqit;

-Si thua ti?

Iselti ndihej si i mpirë.

Meribona, me karakterin e saj rebel dhe vulgaritetin e saj të natyrshëm, e kish tërhequr aq shumë, saqë harroi se qëllimi i ardhjes së tyre në Kreshtë ishte, jo thjeshtë t’i bënin një vizitë xhaxhait të Lizës, por që ai të largohej nga Tirana e zhurmshme për të mundur të përqendrohej sadopak në skenarin e tij. Mirëpo tani po mendonte ndryshe. Kjo “murre” iu duk vërtet si një personazh i veçantë, se atij i qe bërë zakon, sa herë takonte ndonjë të panjohur, në kokën e vet bluante se ç'gjë të veçantë ka ky apo ajo, sepse ai njerëzit i shihte si personazhe filmash.

-Mirë, me kusht që të ndërrojmë temë, -iu drejtua Meribonës.

-Domethënë se të paskam çà veshët me historinë e jetës time-, i tha si me kunj ajo.

-Përkundrazi, me tërhoqi shumë dhe prandaj dua të përqendrohem e të takohemi prapë nesër. në do të qëndrojmë disa ditë këtu, po ti?

-Edhe dy ditë. E mbarova detyrën time në Shqipëri. Duhet të kthehem në Londër, se jam duke pritë vendimin e zyrës së emigracionit për të marrë shtetësinë.

Ndërkohë zunë një tavolinë në qoshe të sallës, edhe pse brenda kishte vetëm dy-tre tavolina të zëna,me njerëz. Bona me Lizën porositën mish me bamje, kurse Iselti, i mësuar me kuzhinë italiane, i tha se në fillim donte tortelini me ragù, por kamerieri, që ishte nga këto ane, as e kishte haberin se ç’donte të thoshte ajo lloj gjelle, ndaj ngriti supet, si për t’i thënë "nuk e kemi këtë që kërkon ti" dhe atëherë Iselti i tha: “Mirë, më sill çfarë të duash, ja si këto të dyja" dhe u kthye nga Meribona:

-Pse, çfarë detyre kishe në Shqipëri, që e mbarove kaq shpejt?

- Shkova në Bruçaj, po t’i s'e din ku bjen Bruçaj, s'ke faj.

-Ke njeri atje?

-Po, kam zemrën time, të varrosur tre herë, atje në kodrinën e Brucajt...- dhe dy pika loti i rrëshqitën në faqe.

-Çfarë thua moj vajzë, se s'po të kuptoj?

-Bonës i kanë vdekur tre djem të vegjël, në të njëjtën moshë, pesë muajsh, nga shkaqe që as ajo vetë, nuk e mori vesh se pse. -ndërhyri Liza, në vend të shoqes së saj.

Iselti lëvizi nga vendi, paksa i tronditur. Vështroi të shoqen, pastaj Meribonën, që fjala i kishte mbetur në grykë, si një moshkall, pastaj i përqendroi sytë në një cep të sallës së restorantit dhe nuk dinte se çfarë të pyeste apo si ta thyente heshtjen.

-Flasim nesër, pra, -e theu heshtjen Liza, pasi për një moment, të tre u bukosën, sikur ua taposi kush gojën dhe harruan se tavolina qe mbushur, po asnjeri s’po fillonte të hante.

Pastaj të tre, filluan të hanin në heshtje, dhe asnjeri nuk po e thyente atë, sikur secili të mendonte në mënyrën e vet, por qe, sigurisht lidhej me historinë që po tregonte kjo grua e porsanjohur, e cila fitoi në koshiencën e tij atë, që ai e thoshte shpeshherë, kur takonte ndonjë të panjohur, dmth "statusin" e personazhit. Sepse jo kushdo mund të quhej "personazh", pasi, për të qenë i tillë, duhej të kishe cilësi, që vetëm ai i vlerësonte në rradaken e vet, kur i thoshte, si me të qeshur "je personazh filmi, për besë".

Dhe kjo "murre" ishte vërtet e tillë. Këtë Iselti e mësoi shpejt, sapo qe njohur me të, me natyrën e saj rebele dhe, herë-herë, vulgare, por që i kishte aq shumë hijeshi  kur fliste. 

Ishte spontane. I thoshte fjalët ashtu siç i vinin, pa u menduar se përpara kishte një të njohur apo dikë, me të cilin sa qe takuar, apo nëse ishte ky një fshatar apo një ministër .  Çuditërisht, "i panjohuri" ambientohej shpejt me të.

Kur pasdite shkuan për vizitë tek xhaxhai i Lizës, një burrë i shtruar, me të cilin Iselti qe takuar shpesh, se ai vinte gjithnjë në Tirane tek vëllai i vet, që banonte në fshat, në afërsi të kryeqytetit, mendja i rrinte tek personazhi i saponjohur.

Ç’kishte ndodhur me të? Ajo tha se në Angli kishte kërkuar azil, por akoma nuk e kishte marrë përgjigjen. Atëherë si kishte mundur të vinte në Shqipëri, kur një gjë e tillë ishte e pamundur, sipas ligjit? Ç’ishte kjo detyre, që mbaroi kaq shpejt dhe tani do të kthehej, atje ku e priste jo vetëm Besi me të birin 4-vjeçar, por edhe Neda, negrina e shëndoshë e Home Office-s, që i kishte lenë takim për plotësim dokumentesh të azilit. 

Çfarë misteresh fshihte kjo grua, që aq papritur fitoi tek ai një status të veçantë?

Dhe kjo gjendje e turbullt e tij i ra në sy edhe Lizës.

-A të thashë, mor burrë, se Meribona është personazh filmash serialë?

Iselti si pohoi me kokë, nxori nga çanta e tij fletoren e trashë, ku ishte skenari i historisë tragjike të vajzës së ish-anëtarit të Byrosë Politike, ndërtuar sipas një ngjarjeje të vërtetë, e botuar në gazetën “Republika” dhe filloi të korrigjonte dialogët që i kishte lënë të cunguar një natë më parë në Tiranë... Por ishte krejtësisht e pamundur. Drama e Meribonës e kishte pushtuar të gjithin dhe ai mezi priste të nesërmen, që e patën lënë të takoheshin tek ish-mensa, ku dikur pati qenë shef kuzhine i ati i saj. Pas drekës, ai bashkë me Lizën e patën shoqëruar atë deri tek kunata në Ceroj, ku ishte rezidenca e saj e këtyre ditëve. Fshati ishte rreth gjysmë ore me makinë, por gjatë rrugës të tre, pothuajse, nuk patën folur më gjatë. 

Kur pasdite vonë në të errur, u rikthyen në Kreshtë, te xhaxhai i Lizës, Iselti nuk ndihej mirë dhe kjo u ra në sy edhe njerëzve të shtëpisë. Ata e pritën shumë mirë, se ai vinte “në të parë” tek ata, pas 15-16 vjetësh, që kur qe martuar. Ai sillej shumë mirë me njerëzit e të shoqes, por këtë herë nuk ishte i qetë.

Vonë, nga lodhja e të menduarit, e kaploi gjumi.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës