Vulgariteti i betejës së sotme fizike në Parlament është një betejë e dëshpëruar fizike, në vend që të ishte një betejë politike superiore ndaj pushtetit.Dëshpërimi që në fakt duhet të kapte shumicën në pushtet, ka kapur opozitën.
Mënyra se si tentonin disa figura qesharake të opozitës të dukeshin të fortë, të rrëmbenin flakadanë apo shishe uji kundër kolegëve të tyre deputetë, të krijonte idenë se opozitës i kishte ndodhur një gjëmë e madhe dhe donte hakmarrje te qeveria.
Në fakt gjëma i ka ndodhur qeverisë. Ajo ka tanimë në duart e drejtësisë qendrat më të forta të qeverisjes së saj dhe dy dikastere që janë motori i zhvillimit ekonomik të vendit: infrastrukturën, energjinë dhe AKSH-në, që është përgjegjëse për gjithë shërbimet digjitale që u ofrohen qytetarëve shqiptarë dhe që mund të bëjnë hapa pas.
Përveç kësaj që është dëm kolateral për qeverisjen, politikisht ka para drejtësisë thuajse gjithë figurat më të rëndësishme të pushtetit.
Në momente të tilla opozita feston dhe duket superiore në sytë e opinionit publik, dhe jo si repart taliban.
Arsyeja pse ata nuk ndihen të fituar është se betejën që duhet të bënin ata e ka bërë drejtësia, që ata e urrejnë. Opozitën praktikisht dhe politikisht e ka zëvendësuar SPAK. Udhëheqësi real i opozitës është Altin Dumani. Prokurorët e SPAK janë kryesia që duhet të kishte opozita.
Mjerisht për ta, ata janë të gjithë armiq pa arsye të tyre, pasi kryetari i partisë së tyre urren Altin Dumanin dhe “kryesinë” e tij për hallet e veta. Dhe sot ata nuk festojnë dot, po qajnë e ulërijnë duke djegur Parlamentin dhe duke i vënë flakën ndërtesës nga jashtë dhe brenda, a thua se shqiptarët edhe këtë flakën e fundit të Berishës presin që t’ia japin votën.
Ky është rasti kulmor që një opozitë e marrë peng nga kryetari nuk gëzon dot shanset që i jep drejtësia.
Shikoni sa i relaksuar është Agron Shehaj apo Arlind Qorri, dhe sa u shijon beteja e drejtësisë me pushtetin. Dhe janë në të drejtën e tyre ta shijojnë. Këta fatkeqë të PD-ës e kanë të ndaluar edhe të gëzojnë kur u arrestohen rivalët, vetëm se i ngelet hatri Berishës që po i arreston armiku i tij.
Dhe shkojnë bëjnë atë shfaqje vulgare në Kuvend që të sjellin zorrët në fyt, nëse je qytetar i zhgënjyer nga qeveria dhe vendos të mendohesh kë të votosh radhën tjetër.
Ai që premton revolucion, përmbysje, sakrifica sublime, injoron në fakt një bilanc të arritur pa asnjë sakrificë prej tij, por prej drejtësisë. Çdo opozitë që do të kishte këtë fat që ka kjo opozitë, do të dinte ta shfrytëzonte atë, duke korrur frytet e një beteje të dhuruar në tavolinë nga drejtësia.
Opozita e Sali Berishës më shumë është e tërbuar pse qeverinë po e masakron drejtësia, se sa nga fakti që partia e tij është degraduar dhe është bërë qesharake edhe në këto ditë të zeza të qeverisë.
Një opozitë e cila duhet t’i thurte himne Altin Dumanit dhe SPAK-ut, i vë zjarrin Parlamentit, që deputetët e vet të mos ndjehen të gëzuar me atë që ka bërë drejtësia, por të vazhdojnë betejën si kundër Edi Ramës ashtu edhe kundër drejtësisë. Derisa të binden të gjithë që PD nuk i duhet askujt veç Berishës.
Komente











