Shumica e aktorëve politikë dhe natyrisht masave popullore në rrjetet sociale janë vënë në kërkim të kasafortës së Niko Peleshit, ku ruhet USB-ja që ka brenda dosjen hetimore ndaj zonjës Balluku, pasi SPAK e ka shpallur atë sekret hetimor. Pra e ka shpallur SPAK si të tillë, jo Kuvendi, as Niko, as Ulsiu.

Në fakt kjo nuk i bën përshtypje askujt, pasi tanimë jemi mësuar që kemi një traditë të konsoliduar që dosjet shfaqen njëherë në publik, pastaj shkojnë në gjykatë, Kuvend apo tek avokatët. Është një traditë e krijuar nga zyra e marrëdhënieve me publikun e SPAK për të filluar gjyqet popullore para gjyqit të vërtetë. Dhe është një realitet i pranuar që kështu duhet të ndodhë.Ky është i vetmi standard që SPAK ka vendosur në punën e tij për të cilin biem dakord të gjithë.

Ndaj dhe kur SPAK e shpall një dosje sekret hetimor, askush nuk e merr seriozisht, pasi e dinë që SPAK nuk të thotë asgjë nëse e boton. SPAK e ka shpallur sekret hetimor dosjen “Toyota Yaris”, pasi aty implikohen edhe prokurorët e SPAK-ut, por kjo nuk e ka penguar Sali Berishën ta lexojë nga një faqe sa herë që shkon në SPAK apo del prej SPAK-ut. Nuk ka ndonjë masë nga SPAK për këtë. Në thuajse 100 për qind të rasteve, çdo dosje ka dalë njëherë në media, pastaj ka shkuar në gjykatë. SPAK nuk ka reaguar.

Edhe në rastin Balluku është e njëjta gjë. SPAK e ka shpallur sekret hetimor, por kjo nuk e ka penguar median të botojë pjesë nga dosja duke përdorur të njëjtët fundo-rina në media që përdorin gjithmonë. I gjithë ky ngulmim mbarëkombëtar që Niko t’ia dorëzojë popullit USB-në është çështje tre-katër ditësh. Tani deputetët e komisionit e morën dosjen dhe do të fillojë të bjerë vala e parë e ngulmimit, pasi do ta shumfishojnë dhe shpërndajnë sa të munden. Pastaj do ta marrin edhe avokatët. Do ta bëjnë edhe ata. Kështu që brenda dy javësh a pak më shumë, kur dosja të shkojë në Gjykatë, i gjithë populli do ta ketë lexuar disa herë, shoqëruar me komentet dhe fantazitë përkatëse.

Nuk do t’u ngelet gjë pa lexuar. Do lexoni çdo faqe e germë. Nuk po u fsheh as Nikua, as Parlamenti, por procedura e shpalljes sekret hetimor. Dhe sekret hetimor tek ne është diçka që shpallet jo për t’u ruajtur sekreti, por për t’u shtuar kureshtja. Dhe kjo ia ka arritur.

Dhe meqë ra fjala, para tre ditësh Prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë u çua për shkarkim në Parlament për rrjedhje të një sekreti hetimor dhe u detyrua të dorëhiqet një orë para fillimit të seancës. Ai është rasti i qartë se si një pushtet i pavarur si drejtësia varet nga ligji nëse e shkel. SPAK e bën rregullisht atë për të cilën kolegu i tyre në Shkup u shkarkua dy ditë më parë. Dhe kur vendos ta shpallë një dosje vetë sekret hetimor, po vetë e nxjerr i pari në publik, t’u nxjerrë frikën të tjerëve.

Ndaj mos e quani debat këtë ngulmimin për të pasur që sot USB-në dhe që sot të digjen mijëra faqe në shtyp. Është thjesht çështje e kulturës që ka sanksionuar SPAK në gjithë veprimtarinë e tij me gjyqet popullore. Është arritja më e spikatur e Reformës në Drejtësi.

Vetëm kur dikush të ndëshkohet për këtë praktikë nga Prokuroria, do të kuptojmë se ligji është i barabartë për të gjithë, siç ka qenë qejf të thonë këta prokurorët, duke mos pasur parasysh veten e tyre./Tema