Mero Baze: Gjithë gjërat e turbullta rreth Vjosës si Park Kombëtar

Mero Baze: Gjithë gjërat e turbullta rreth Vjosës si Park Kombëtar

Një fushatë ndërkombëtare e sponsorizuar nga Patagonia, një kompani që promovon vlerat e natyrës dhe që ka përfshirë në fushatë dhe aktorin Leonardo Di Caprio, po jep disa rezultate. 
Sot qeveria shqiptare bashkë me ta, organizuan një Konferencë në të cilën përsëritën nevojën e shpalljes së luginës së Vjosës Park Kombëtar. 
Kjo fjali është dëgjuar disa herë dhe më parë. 

Të dy palët bëjnë sikur dëgjojnë njëra tjetrën, në fakt të dyja e dinë që  nuk është ashtu si e dëgjojmë.  Fushata ndërkombëtare për Vjosën, si një lum i egër në zemër të Evropës, që duhet ruajtur, ka si kusht kryesor, që rrjedha e ujit të mos pengohet. Pra zero hidrocentrale.  Qeveria kur e dëgjon këtë i numëron se sa leje ka pas ndërmend të jepnin qeveritë e mëparshme si i kanë anuluar këta, por e lënë të paqartë pyetjen kyçe, nëse do të ndërtohet apo jo hidrocentrali i Kalivaçit, i cili ka nisur punë nga viti 2001, me leje të dhëna nga viti 1996, dhe që ka ndryshuar tanimë dhe zhvilluesin. 

Nuk jam i sigurt se qeveria ka luksin të përballet me një arbitrazh të dytë për atë hidrocentral që është bërë si Guri i Sizifit, i cili nuk mbërrin kurrë në maj. Akoma më shumë e vështirëson vendimin  një krize energjetike botërore në horizont. 

Është e qarët që ky vendim nuk është marrë dhe qeveria nuk ka fuqi të jap një përgjigje për këtë. Sponsorizuesit e lëvizjes kundër digave në Vjosë, e kanë këtë kërkesë kryesore. Për ti kompensuar ata qeveria po flet përditë e më shumë për Vjosën si një Park Kombëtar. 

Parku kombëtar është një koncept më i zgjeruar i mbrojtjes së një territori, i cili nuk e pengon zhvillimin dhe investimet në zonë, që nuk bien ndesh me mjedisin. Nuk është pak nëse qeveria arrin ta bëj dhe këtë, por kjo nuk do vetëm deklarata por dhe shumë investime. 

Problemi kryesor që ka Lugina e Vjosës, një nga luginat më të bukura të lumenjve në Evropë, ku për 70 km lumi ecën mes maleve të jugut, është se ajo është një luginë e banuar dhe si e tillë nëse merr standardin e një Parku Kombëtar ka nevojë për investime të mëdha që të përshtat jetesën e banorëve brenda një parku kombëtar. 
Një lajm pozitiv është se Banka Botërore mund të ofroj një kredi 80 milion euro për sistemin e ujërave të zeza të gjithë fshatrave dhe qyteteve që nga Çarshova deri në Mifol, që të mos derdhen në Vjosë. Nëse projekti finalizohet është një hap i madh përpara. 

Më tej duhet që për çdo vendbanim buzë Vjosës nga Çarshova në Mifol, të ketë një disiplinim të çdo përroi apo lumi të vogël që derdhet në Vjosë për të ndalur mbetjet e hedhura përrenjve që derdhen në Vjosë. Kultura e hedhjes së plehrave në përrua në fshatrat shqiptarë është e lasht sa fshatrat tona. Duhet të ndryshojmë këtë. Në fshatin ku unë jetoj e kam bërë këtë betejë për vite të tëra, por ende disa, më shumë turp kanë ti hedhin plehrat në kosh, se sa në përrua. 

Vjosa është një lum që nëse mban dy ditë shi, mund të pesëfishoj prurjet por kur ujërat bien, ju të gjithë mund të shikoni një pamje të shëmtuar si në një lum indian. Qeset e plasmasit veshin pemët buzë lumit, kryesisht rrapinjë të vjetër, duke e bërë luginën, një shëmti kombëtare. 

Edukimi i banorëve të zonës është mision i pamundur pa investime konkrete për derdhjet e përrenjve në Vjosë dhe pa një politikë të ashpër të grumbullimit të mbetjeve në gjithë vendbanimet. 
Nga ana tjetër si një luginë e banuar Lugina e Vjosës ka nevojë dhe për një identitet urbanistik dhe investime identitare në fushën e agroturizmit. Dhe këtu duhen serish investime në infrastrukturën e qytet-fshatrave buzë Vjosës, që shpesh herë janë më të shëmtuara se çdo gjë e shëmtuar që mund të shikosh në Shqipëri. Ti mund të mahnitesh nga vargmalet që rrethojnë Vjosën, por jo nga ndërtimet e shëmtuara në anë të rrugëve, nga qytete kaotike  dhe nga fshatra dikur të bukur që po humbasin identitetin. 

Një masterplan për një identitet urbanistik të Luginës së Vjosës, bazuar në traditën historike por dhe e pasuruar me element modern, mund ta bënte Luginën një atraksion me vlerë kombëtare. 
Për ta bërë Vjosën Park Kombëtar duhet doemos ti japim asaj një identitet, jo vetëm si luginë e bukur që na e ka fal zoti, por si luginë qe e kemi merituar.  Aty jetojnë njerëz me të njëjtin standard kaotik si në gjithë Shqipërinë dhe kthimi i saj në një Park Kombëtar, nuk nënkupton shpopullimin dhe largimin e tyre për ta kthyer në muze natyror, por në një vend ku njerëzit bashkëjetojnë me natyrën pa shkatërruar njëri tjetrin. 

Angazhimi i qeverisë është paksa patetik në këtë rast. Është gjë e mirë që e merr këtë angazhim, por e di që është shumë e vështirë për tu realizuar. Do të duhen dekada të tëra që ajo të transformohet në një Park Kombëtar ku fshatrat buzë saj të kenë identitet të qenit miqësor me mjedisin dhe vendbanimet buzë Vjosës të jenë model i zhvillimit në përputhej me standardet e ruajtjes së natyrës dhe mos ndotjes mjedisit.  

Kjo mund të nxiste një industri të re turizmi që pastaj mund ta ndryshonte tërësisht historinë e saj, por para se ajo industri të guxoj të zhvillohet aty, duhen vendosur standardet dhe mbi të gjitha qartësia se çfarë do bëhet realisht me Vjosën.  Pretendimi për Vjosën në rrjedhje të lirë pa asnjë digë është një ide e bukur, që e bën lumin të veçant, por kjo tani është më shumë çështje juridike dhe financiare sesa politike. Politikisht janë të gjithë dakord, madje dhe Ilir Meta që ka dhënë lejen e hidrocentralit, që po flasim.  Por angazhimi i qeverisë për Park Kombëtar është angazhim madhor, i cili e tejkalon dëshirën vetëm për Vjosën si një lum pa digë. Nëse qeveria e ka seriozisht ajo duhet të shtroj rrugën për standardet e një territori kaq të gjerë si park Kombëtar dhe ti sanksionoj ato me ligje të rrepta, të pandryshueshme dhe me efekt afatgjatë, me qëllim që çdo qeveri më pas, të hedh nga një hap më tej në këtë rrugë. 

Dhe për këtë nuk ka nevojë shumë për sponsorë mediatik apo personazhe showbizzi, por për investitorë të mëdhenj, dhe institucione financiare të cilat duhet të standardizojnë bashkëjetesën e njerëzve qyteteve dhe fshatrave në një Park Kombëtar.   E di që shumë vet kur dëgjojnë Park Kombëtar kanë parasysh një territor të rrethuar ku ruhen pyjet përrenjtë dhe lumi, por Lugina e Vjosës nuk është ashtu. Nuk është Park ku mund të vizitoni ketra, kaproj, apo arinj, por një vend ku jetojnë mbi 100 mijë njerëz . Duhet të ruajmë Vjosën nga njerëzit dhe po ashtu duhet të garantojmë të ardhmen e njerëzve nga Vjosa. Dhe këto duhet të thuhen qartë qoftë, edhe kur kërkojmë një lum pa digë, qoftë kur premtojmë për Vjosën si park Kombëtar. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ermira: 13/06/2022 22:30

    Nuk me duket gje e keqe te ndertohet nje hidrocentral mbi lum. Eshte shume strategjik sepse jugu nuk ka burime energjie te shumta. Prandaj nuk e do edhe greku dhe lobon ne Amerike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë