Ajo që ka ndodhur me Sali Berishën në Strasburg nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, po qe se Berishës nuk do t’i duhej të gënjente medoemos demokratët se ai është një personalitet i pranuar nga ndërkombëtarët. E rënda është se ai dëshmoi më shumë se çdo kundërshtar i tij se jo vetëm që është një udhëheqës i superizoluar, por edhe një udhëheqës banal.
Albana Vokshi, si anëtare e rregullt e delegacionit, mund të fliste në seancë ndoshta më mirë se Berisha brenda minutazhit që i takon, por natyrisht jo jashtë teme. Dhe kjo do t’i kishte prishur PD-së më pak punë sesa i prishi Berisha.
E gjithë ajo skenë banale e Sali Berishës, që përveçse hyn pa ftesë në sallë, përveçse e lënë të flasë vetëm një minutë dhe ia ndërpresin fjalën, dhe pastaj ai e vetëregjistron fjalimin duke folur me vete për të gënjyer demokratët këtu, bëhet vetëm që ai t’u mbushë mendjen demokratëve të PD-së se nuk është një udhëheqës i izoluar nga Perëndimi.
Kjo është një gënjeshtër me kosto të lartë, pasi përveçse e nxjerr veten një njeri banal, ua forcon demokratëve dëshpërimin se ata nuk i pranon njeri me Sali Berishën në krye.
Shumë herë më mirë do të ishin ndier që në vend të tij të fliste Albana, që i takonte vendi në mbledhje, dhe pastaj mund të gënjenin këtu çfarë të donin.
Nga ana tjetër, ajo skenë në Strasburg është një leksion i fortë për parlamentarizmin në Shqipëri, ku tribuna e Kuvendit zaptohet me dhunë dhe Sali Berisha prish rregullisht çdo seancë plenare, shoqëruar nga badigardët e tij që paguhen si deputetë. Ai nuk respekton kurrë minutazhin e caktuar dhe maksimumi që merr si vërejtje është ndonjë psherëtimë e Niko Peleshit që i thotë: “të të vijë rëndë të të vijë”.
Në fakt, me këtë gjest e bëri një të mirë, pasi tani ai standardi i sallës parlamentare të Strasburgut, që ia ndërprenë fjalën si qen i rrahur, duhet të jetë standard i sallës së parlamentit shqiptar, ku më shumë ndizen fishekzjarrë e molotovë sesa mbahen fjalime.
I njëjti person, i gjendur para një gruaje që drejtonte seancën në Strasburg, u detyrua të mbyllte gojën dhe ta regjistronte fjalimin te dera e WC-së për të gënjyer demokratët në Tiranë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe këtu, me ndryshimin që s’ka nevojë ta regjistrojë para WC-së së parlamentit, por e mban para kamerave që e presin jashtë.
Në një farë mënyre, ajo që i ndodhi Berishës është të kërkosh të vësh vetulla dhe të nxjerrësh sytë. Ai donte t’u tregonte demokratëve se skandalin që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë do ta çonte në Strasburg, por në fakt, me atë që i ndodhi, tani duhet detyruar që standardin e asaj që ndodhi në Strasburg ta sjellë në sallën e Kuvendit në Tiranë, ku duhet t’i tregohet vendi që i takon, aty ku rri ngrehur mes Tritanit dhe Flamurit./TemA
Komente












