Në vitin 1998, ndërkohë që vendi ishte pushtuar nga trazirat e shtatorit, një biznes në rrugën pranë Doganës së Tiranës kishte ulur qepenat dhe kishte shkruar me bojë blu: “Janë të nxëna. Jena qeqenë.” Ishte fjala për disa magazina në krahun përballë doganës, atje ku sot është mbikalimi.

Pas disa vitesh u kujtova për fotografinë ndërsa po kaloja aty dhe u bëra kurioz. Shkova pas dhe pashë që ishin disa magazina që shisnin mall. Pyeta kush ishte i zoti dhe e takova. E pyeta nëse kishte pasur probleme disa vite më parë, duke i treguar fotografinë ikonike, të cilën, mos gaboj, e solli në redaksi Lutfi Dervishi.

– Jo, – tha, – nuk patëm. E kam shkruar unë atë parullën, se na u sulën këta të Bathores të vidhnin dhe thashë t’i trembja. Në fakt, nuk na sulmuan për shkak të parullës që shkruam.

M’u kujtua sot kjo skenë, ndërsa shihja disa dyqane në Rrugën e Durrësit që kishin ulur qepenat dhe kishin lënë pusulla të tipit: “Jemi me ju, mos na digjni dyqanin.”

Nuk jam i sigurt sa janë me ata që po djegin e shkatërrojnë Tiranën, por është e sigurt se, me atë që kanë bërë, mund të shpëtojnë ndonjë dyqan.

Të tjerët, që nuk kanë mundur të vënë pusulla të tilla, po digjen. Dhjetëra seli bankash në Tiranë janë djegur, edhe pse sistemi bankar në Shqipëri është tërësisht privat dhe nuk ka lidhje me qeverinë. Dyqanet e shtrenjta të Tiranës, te Kullat Binjake dhe qendrat e biznesit, janë nën sulm. Zona e Bllokut është e rrethuar nga policia dhe është nën kontrollin e banditëve adoleshentë, të cilët ata që i përkëdhelin i quajnë studentë.

Avokatët e djegies së Tiranës arsyetojnë se dëmet nga djegia e bizneseve janë më të vogla se dëmet nga korrupsioni. Dhe kjo është një leje për të vazhduar djegien.

E kam parë disa herë këtë film në këtë vend dhe e di si përfundon. E kam parë me ngjarjet e vitit 1997. Kur kam botuar librin mbi ato ngjarje, “Viti ’97”, gati dhjetë vjet pas tyre, kam përshkruar me hollësi disa skena vandalizmi dhe dhune dhe kam pasur reagime të frikshme nga personazhet. Shumë nga ata që në atë kohë ishin trima të frikshëm dhe të hiqnin kokën për një fjalë, më janë përgjëruar, kur të ribotoja librin, t’ua hiqja emrin. U vinte turp nga ajo që kishin bërë.

Tani qindra fëmijë adoleshentë, gra me shami nga ato që falen pesë herë në ditë dhe që nuk dalin për kafe kurrë në Tiranë, janë në ballë të “xhihadit” për t’i treguar Tiranës se duhet të gjunjëzohet. Mijëra të pacipë të tjerë ngulin këmbë të frikësojnë intelektualët dhe zërat dinjitozë të Shqipërisë, duke u thënë: “Ti je kundër studentëve.”

Një kolege gazetare e Top Channel-it iu lut sot redaksisë të hiqnin një video ku ajo kërcënohej si gazetare, se shqetësoheshin njerëzit e shtëpisë së saj. Pra, ishte e frikësuar se mos merrej vesh që e kishin dhunuar si gazetare të Top Channel-it.

Kjo klimë frike mbi shtypin, mbi biznesin, mbi administratën dhe mbi gjithkënd që nuk është dakord me djegien e Tiranës është një fashizëm i ri, të cilit duhet t’i dalim përballë.

Nëse policia nuk ia del dot të respektojë të drejtat e njeriut dhe detyrën që ka për të siguruar bizneset, jetën normale të qytetarëve, të drejtat e shtypit dhe lirinë qytetare për të folur lirshëm, shoqëria duhet t’i gjejë mjetet e saj për t’u përballur, po me aq guxim sa këta banditë shkelin çdo liri të të tjerëve në emër të një kauze që fillon me heqjen e flamurit të Vatikanit, vazhdon me gra të mbuluara që nxjerrin studentë nga Universiteti i Shkodrës dhe me të rinj që mbulojnë fytyrën me flamuj të huaj për t’u fshehur pasi hedhin bomba molotov mbi godina bankash e biznesesh.

E kuptoj ligësinë e atyre që duan t’i quajnë studentë. Por duhet t’i quajnë studentë për çdo gjë që bëjnë. Nëse vërtet janë studentë, atëherë i ftoj që, kur shkruajnë për ta, të shkruajnë: “Studentët dogjën dhjetë banka”, “Studentët dogjën 50 biznese”, “Studentët rrahën kaq kalimtarë” dhe gjithçka tjetër që bëjnë bandat në rrugë.

Nuk mund të jenë studentë 40-vjeçarët me probleme mendore dhe adoleshentët e papërgjegjshëm vetëm kur i arreston policia, kurse kur djegin, dhunojnë e vrasin, qenkan protestues.

Dhuna në Tiranë e ka ndarë qytetarinë tiranase nga bandat në rrugë, pasi qyteti ka përvojë me ata që dalin për “ideale” në rrugë dhe përfundojnë duke hequr zvarrë kasaforta bankash e dyqanesh. Tirana i mban mend ende vitet 1997 dhe 1998.

Unë jam një nga ata që, gjatë krizës së vitit 1997, kam negociuar që opozita e atëhershme të takohej me Berishën dhe nuk jam partizan i luftës. Por këta që duan ta djegin Tiranën në emër të askujt nuk janë në rrugë për negociata, por për dhunë. Dhe dhuna nuk negociohet.

Ky është një skenar që e njohim të gjithë. Të gjithë këta që duan të na bëjnë të heshtim në emër të një kauze anonime, përgjegjësinë e së cilës nuk e merr përsipër askush, përveç Berishës që ka parimin “pas meje qameti”, duhet t’i dokumentojmë. Duhet të shkruajmë sot të gjithë emrat dhe çdo identitet tjetër të atyre që po djegin Tiranën. Duhet t’i shkruajmë emër për emër se kush janë dhe të mbeten në historinë e këtij qyteti.

Pas disa javësh, muajsh apo vitesh, ajo listë do të jetë malli më i kërkuar në këtë vend. Ata që duhet të turpërohen janë ata që po djegin dhe jo ata që po ngrenë zërin. Çdo përpjekje për të heshtur zërat që dalin kundër dhunës, për t’i frikësuar apo poshtëruar ata, është betejë e përkohshme. Na ka kërcënuar edhe Zani Çaushi më 1997, edhe bandat e vitit 1998, por heronjtë e revolucioneve të tilla përfundojnë ose në burg, ose kanaleve.

Ata që gëzojnë frytet e banditizmit të tyre marrin pushtetin dhe distancohen prej tyre. Prandaj kjo histori duhet dokumentuar sot. Policia duhet të publikojë çdo ditë, me komunikata shtypi dhe hollësi, emrat e plotë të tyre dhe se kush janë. Ata duhen botuar. Pas disa javësh apo muajsh do t’i keni të gjithë duke u lutur t’ua fshini emrat.

Me maska në fytyrë dhe bomba molotov në dorë bëhen të gjithë trima. Por Tirana do të jetojë edhe pas tyre. Tiranën nuk e mposht dot një tufë banditësh që pretendojnë se kaluan ylberin dhe u bënë nga flamingo në skifterë.

Ky kryeqytet ka parë edhe masakra në rrugë nga njerëz të importuar nga Kosova prej fashizmit, ka parë edhe masakra në rrugë nga komunistët në emër të internacionalizmit sovjetik, ka parë edhe përmbysje regjimi pa asnjë të vrarë. Këtu nuk jemi as përpara një përmbysjeje dhe as përpara një revolucioni. Jemi përpara një bande plaçkitësish që duan të gjunjëzojnë kryeqytetin, i cili nuk i pranon dot as si qytetarë.

Ata që duhet të frikësohen nuk janë qytetarët. Ata vërtet mund të vënë parulla të tipit: “Asht e nxanë. Jena qeqenë”, derisa të kalojë furtuna, por nuk do t’ua harrojnë kurrë fytyrat. As emrat.

Ata që duhet të frikësohen janë ata me maska në rrugë dhe, mbi të gjitha, ata që vënë fytyrën e tyre në media për t’u dalë zot./TemA