Mero Baze: Pse po dështojnë 'primaret' e Foltores?

Mero Baze: Pse po dështojnë 'primaret' e Foltores?

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha

Kriza e vet kandidimit brenda “Primareve” të Foltores ka detyruar Sali Berishën të shtyjë afatin e zhvillimit të tyre dhe të ndryshojë rregullat gjatë lojës, ku përveç atyre që vetkandidohen, të ketë dhe propozime nga strukturat.

Detyrimi për të shtyrë afatin erdhi fillimisht pas dështimit për t’u paraqitur kandidatura në garë.

Përveç Tiranës, ku dy- tre kandidatë potencialë u vetshpallën pasi duan të “vënë shishen e qumështit në radhë” për karrierë brenda PD, për shkak të rëndësisë që ka gara në Tiranë për karrierën politike, në rrethe te tjera thuajse nuk pati asnjë lëvizje. Ka qytete të tëra që nuk ka ndërmend askush të garojë.

Duke parë krizën, Berisha hodhi hapin e dytë. Ai rekomandoi që përveç atyre që vetofrohen në garë, të ketë dhe propozime nga strukturat.

Kjo e bëri tërësisht qesharak konceptin e primareve, pasi primaret bëhen pikërisht për të shmangur propozimet e strukturave dhe për të nxjerrë individë që vetofrohen për garë.

Po përse dështoi procesi pa nisur ende?

Arsyeja kryesore është se anëtarësia që mbështet Berishën, tanimë është më e bindur se pjesa tjetër e shoqërisë, se me të nuk fitojnë dot, por janë aty për mungesë alternative.

Nëse i hedh një sy gjeografisë së dështimit të “primareve”, shikon se në qytetet ku ka më shumë shpresë për fitore, ka kandidatë, siç është Tropoja, Kamza apo ndonjë bashki tjetër nga Veriu.

Në qytetet e mëdha ku është beteja kryesore si Elbasani, Korça, Durrësi, Lushnja, Fieri dhe Vlora më në jug, ka kandidatë jo politikë, që duan të promovojnë veten, por nuk ka asnjë interes real për garën, pasi secili prej tyre e shikon veten të humbur. Në Jug pothuajse nuk ka ndërmend të lodhet njeri as për primare.

Bindja e mbështetëseve të Berishës tek problemi i Berishës si kryetar, duket që është më e fortë se e ka menduar dhe vet Berisha. Ata janë me të për shkak të mënyrës që ai përdori për ta bërë fakt të kryer copëtimin e PD dhe për t’i vënë para alternatives, ose me mua, ose s’ka fare PD.

Në këtë kontekst, mbështetësit e Berishës duken më shumë si njerëz që duan të shpëtojnë PD nga Berisha, se sa si mbështetës të Berishës.

Fakti që ai nuk ka arritur të frymëzojë askënd për betejë, duket që gjithë mbështetësit tij, e kanë parë deri tani luftën e tij, si luftë për hall të tij dhe nuk po bëhen pjesë e betejës.

Nga ana tjetër, një faktor i fortë që ka ndikuar në “prerjen e gjunjëve” të “primareve”, është qëndrimi i qartë dhe i vendosur i PD zyrtare drejtuar nga Alibeaj, e cila i dha fund farsës së bisedimeve me Berishën dhe deklaroi se do të hyjnë në zgjedhje me kandidatët e tyre, duke mos përjashtuar mundësinë që në ndonjë rreth të bëjnë aleancë mes kandidatëve.

Ai vendim e bëri të pashpresë garën e primareve dhe zbuloi falsitetin dhe formalitetin me të cilën ato po kryhen, duke i emëruar dhe kandidatët në garë, dhe duke përcaktuar dhe fituesin pa nisur gara.

Është një rezultat logjik i një procesi i cili u përpoq të zbukuronte një garë e cila kishte vdekur prej kohësh, në një parti, ku vetëm për votë të lirë nuk mund të flasësh. Dhe si çdo kufomë që mbahet e balsamosur, po hape kapakun dhe u përpoqe ta zbukurosh, të ngel në dorë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?