Edi Rama padyshim që do të përbënte një skandal real në një vend perëndimor, me qëndrimin qortues ndaj një institucioni të drejtësisë si SPAK. Edhe pse ai është kryeministri më i përmbajtur në historinë e 30 viteve në reagimin ndaj drejtësisë, duke mos komentuar vendime gjykatash edhe për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, nuk është se ka të drejt ti soset durimi një ditë dhe të shpërthej. Një nga dënimet e të qenit pushteti i parë është dhe të durosh pushtet e tjera. Sidomos ato për të cilat ke kontribuar vet.

Dhe në këtë pikë jam dakord me reagimin e SPAK që thotë se ne reagojmë kryesisht mbi dosjet e ofruara dhe faktet që i çojnë drejtësisë. Me disa përjashtime të vogla jo për çështje shumë të ndjeshme, të gjithë ministrat e Edi Ramës dhe vet Edi Rama e kanë konsideruar si punë të bezdisshme denoncimin me fakte të paraardhësve të tyre. Nën parimin se nuk është mirë të denoncosh paraardhësit, thuajse nuk ka asnjë denoncim serioz për çështjet më të bujshme korruptive të administratës Berishës ndërkohë që familja Berisha vazhdon pastron paratë në sytë e të gjithëve, me mediat e tyre, me bizneset e paverifikuara që presin fatura sikur shesin boronica dhe brekë të shtrenjta në bllok. Administrata e Edi Ramës është gardiane e tyre, gjë që nuk do ndodhte qoftë dhe për arsye primitive në kohën e Berishës.

Por SPAK ka dy standarde në këtë qëndrim. Ka standardin me te cilin reagon ndaj retorikës së çmendur të Ilir Metës dhe Sali Berishës në rastin Dvorani dhe standard tjetër ndaj bashkëpunëtorëve të Edi Ramës dhe vet deklaratave të tij.

Adrian Dvorani u fut nën hetim jo vetëm pa asnjë fakt, por vetëm se SPAK ishte i kompleksuar nga retorika e Sali Berishës dhe Ilir Metës kundër tij.

Sali Berishën e kuptoj. Vëllai i Adrian Dvoranit është një nga 26 të vrarët në Gërdec në biznesin e maskuar të djalit të Sali Berishës që mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi rreth 350 të tjerë. Dhe në logjiken primitive të Sali Berishës tani ai është në gjak me fisin Dvorani dhe mendon se nëse Dvorani qëndron në sistemin e drejtësisë do marr gjakun e vëllait. Dvorani është një gjyqtar shembullor dhe natyrisht që nuk ka ato kritere, por armiqtë e drejtësisë në Shqipëri kanë kriteret e tyre.

Nga ana tjetër ai ka qenë gjyqtarë në pakicë kundër shfajësimit të Ilir Metës në çështjen e përgjimit bërë publike nga ish Ministri i tij Dritan Prifti. Pra thjesht ai është një armik personal i Sali Berishës dhe Ilir Metës, për shkak të detyrës dhe jo për shkak të ndonjë gjesti të tij personal. Me kriteret e tyre ata e kanë klasifikuar si armik të rrezikshëm që duhet hequr qafe. Edhe pse SHBA e kanë shpallur një nga 12 kampionët e drejtësisë në botë, Ilir Meta dhe Sali Berisha e kanë masakruar në ligjërimin e tyre publik, dhe për fat të keq SPAK është vënë në veprim jo për shkak të ndojë fakti por për shkak të sulmeve të tyre.

Pra SPAK ka dëshmuar totalisht mungesë profesionalizmi dhe komplekse inferioriteti ndaj dy politikanëve të rëndësishëm në vend por të afishuar si armiq të Reformës në Drejtësi.

Dhe përderisa SPAK e ka demonstruar këtë standard Edi Rama ka të drejt të përdor ndaj tyre të njëjtën gjuhë për tu vënë në lëvizje. Nëse ata nuk vihen vet në lëvizje nga faktet që dalin në publik apo që njihen publikisht, le të vihen nga gjuha kritike dhe sulmet ndaj tyre siç janë vënë në rastin Dvorani. Ata nuk mund të jenë krenar dhe profesionist kur flet Edi Rama dhe me “bisht në shalë” kur flet Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ata duhet të vendosin standardin e tyre në raport me drejtësinë dhe standardin që kanë vendosur deri tani është se kush i sulmon i hapin rrugë dhe kush sillet korrekt siç sillet shumica i trajtojnë “profesionalisht”. 

Ndaj sot kur Edi Rama me standardin e një shoqërie perëndimore e ka tejkaluar të drejtën e tij, SPAK sikur të ishte sjellë deri më sot si një institucion i pavarur kishte të drejt të reagonte. Por nuk është sjellë si i tillë. Ndaj më mirë të kishin heshtur. Të paktën të ruanin standardin që kanë krijuar vet.