Mero Baze: Tri arritjet e mëdha të Reformës në Drejtësi

Mero Baze: Tri arritjet e mëdha të Reformës në Drejtësi

Më 21 korrik të vitit 2016, në mesnatë Kuvendi i Shqipërisë votoi me 140 vota dokumentin më të rëndësishëm të politikës shqiptare së paku pas Kushtetutës së vitit 1998.

Reforma në Drejtësi e mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, ndoqi një kalvar të gjatë deri në miratimin saj, për shkak të dyshimeve të besueshme që Sali Berisha dhe Ilir Meta kishin nga efekti i saj.

Në muajtë e fundit para miratimit ajo u ndesh me vendosmërinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës për ta bllokuar atë, dhe po të mos ishte ndërhyrja brutale e SHBA, duke e konsideruar reformën si “interes strategjik të politikës amerikane”, ajo nuk do të kishte mundur kurrë të kalonte në Parlament.

Po cilat janë efektet e Reformës në Drejtësi pesë vite më vonë?

Efekti i parë i Reformës në Drejtësi është politik. Pas miratimit “të dhunshëm” të saj, klasa politike shqiptare u nda menjëherë në dy kampe, në një kamp pro peformës dhe në një kundër saj.

Reforma në Drejtësi diktoi spastrimet e para të Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike. Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Jozefina Topalli etj, që u rreshtuan pro reformës, ishin të përjashtuarit e parë të saj në zgjedhjet e 2017.

Plani i kampit anti reformë ishte fitorja në zgjedhjet e 2017 dhe përdorimi i reformës si instrument politik i pushtetit ë ri. Për këtë u organizua çadra elektorale e vitit 2017 dhe kërcënimi për bojkot të zgjedhjeve, “në emër të Reformës në Drejtësi”, ngërç që u zgjidh nga pazari personal mes Edi Ramës e Lulzim Bashës, të cilit Rama i krijoi ndjesinë e marrjes së pushtetit duke i dhuruar mbi gjysmën e Qeverisë.

Pas humbjes së 2017, kampi anti reformë ndërmori lëvizjen më radikale në historinë e politikës shqiptare prej vitit 1990. Ata vendosën të bojkotojnë zgjedhjet lokale dhe Parlamentin në vitin 2019, me shpresë se pushteti do të dorëzohej në tavolinë, në një kohë kur institucionet e Reformës në Drejtësi nuk ishin plotësuar.

Sali Berisha, i cili në vitin 2017 kishte dhënë pëlqimin për ngritjen e Komisioneve te Vetingut, në minutat e fundit ofroi kompromis për emra konkretë, duke dërguar aty besnikë të tij me formim banal, vetëm për të diskredituar vetingun. Sot disa prej tyre jane nen hetim.

Viti 2019 ishte vendimtar për ngritjen Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, KLP dhe KLGJ, Këshillit të Emërimeve ne Drejtesi, KED) etj, dhe një revolucion politik do të ishte shpëtim.

Falë vendosmërisë së SHBA dhe Bashkimit Evropian dhe qetësisë me të cilën shumica në pushtet menaxhoi situatën, bojkoti ngeli thjesht bojkot. Opozita doli nga gjithë institucionet qendrore dhe vendore duke kaluar në gjendje natyrale parapolitike.

Shpresa e saj se do dëmtonte pushtetin e Edi Ramës u shkërmoq. I gjithë operacioni rezultoi një favor për Edi Ramën, i cili mori falë këtyre lëvizjeve dhe mandatin e tij të tretë, duke i garantuar kampit pro reformë, mbështetje politike.

Efekti i dytë i reformës është pa diskutim vetingu. Nga aq sa po shikohet, thuajse gjithë gjyqtarët dhe prokurorët po dalin nga sistemi për shkak të sitës së hollë të vetingut, i cili shpesh është i padrejtë dhe i paarsyeshëm, por për shkak të standardit që është vendosur, ai është kthyer në një spastrues të madh të sistemit.

Kjo ka krijuar dhe krizën e re të plotësimit të vendeve bosh në sistem, dhe është një nga problemet reale me të cilat po ndeshet zbatimi i reformës.

Ky proces zbuloi po ashtu një defekt të reformës, që ka të bëjë me pritshmërinë që institucionet e reja të kishin në dispozicion qindra kandidatura, ndërkohë që burimet njerëzore janë të kufizuara, nga kriteret që ka vendosur vet reforma.

Pra ka një kontradiktë mes nevojës për shumë të punësuar dhe kritereve që pengojnë shumë profesionistë të drejtësisë të kandidojnë. Ky ngërç vazhdon ende, duke lëvizur më ngadalë, por me siguri.

Efekti i tretë i reformës, është ndëshkimi, i cili sapo ka filluar.

Funksionimi i SPAK dhe Gjykatës Speciale Antikorrupsion ka dhënë efektet e para, me dosjet që janë hapur dhe që kanë çuar pas hekurave dhjetëra zyrtarë publik, të përfshirë në probleme ligjore me tenderimet apo biznese te lidhur me trafikun e drogës.

Dosjet deri tani duket se nuk janë një përzgjedhje e SPAK, por një procedurë e zakonshme, ndërkohë që publiku ka një pritshmëri të rritur, pasi kërkon të hapen dosjet që kanë qenë objekt debatesh politike dhe publike në këto vite, si ato me karakter politik kriminal si 21 Janari apo Gërdeci, apo dhe debatet e reja pas vitit 2013, për disa ligje speciale apo PPP.

Edhe pse ende nuk e dimë se si do të përfundojnë çështjet e nisura në Gjykatën Speciale, e sigurtë është se fillimi i ndëshkueshmërisë ka ngjallur frikë dhe ka stepur ata që kanë pasur korrupsionin si plan biznesi në politikë.

Pesë vite më pas, Reforma në Drejtësi ka ndryshuar shumë gjëra në Shqipëri. Ajo ka ndryshuar gjuhën politike në raport me drejtësinë, ka diferencuar politikisht partitë brenda vetes në raport me drejtësinë, ka spastruar sistemin dhe ka filluar t’i japë fund pandëshkueshmërisë në vend.

Është një ndikim që është shtrirë në çdo segment të shoqërisë shqiptare dhe që do të diktojë kursin politik të Shqipërisë dhe për një kohë të gjatë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja