Përpjekja e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i caktuar vetë pagat e tyre dhe trajtimi i Thesarit si një sportel që ekzekuton çdo shifër të shkruar në një listëpagesë nga vetë përfituesit janë tregues të mungesës së thellë të respektit që kanë për ligjin gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë. Bllokimi nga Thesari i Shtetit i pagave të vetëcaktuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë është reagimi i parë normal institucional ndaj një akti anormal dhe antiligjor.
Thesari administron paratë publike dhe mund të paguajë vetëm detyrime të mbështetura në ligj, në buxhet dhe në aktet që prodhojnë pasoja financiare sipas Kushtetutës.
Në Shqipëri, pagat e funksionarëve publikë caktohen me ligj. Ato nuk mund të lindin nga llogaritë, interpretimet dhe dëshirat e atyre që do t’i përfitojnë.
KLGJ-ja dhe KLP-ja nuk kanë të drejtë të krijojnë një skemë të re pagash. Ato mund të administrojnë sistemin e drejtësisë, por nuk mund të zëvendësojnë Kuvendin, të ndryshojnë ligjin dhe pastaj t’i dërgojnë shtetit faturën për ta paguar.
Gjyqtarët përpiqen ta paraqesin vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një çek të bardhë, mbi të cilin mund të shkruajnë vetë shumën që duan. Por Gjykata Kushtetuese nuk miraton ligje pagash. Ajo mund të shfuqizojë një normë, të konstatojë një cenim kushtetues dhe t’i kërkojë Kuvendit ta korrigjojë atë. Nuk mund të kthehet në zyrë llogaritjeje pagash dhe aq më pak t’ua delegojë këtë kompetencë përfituesve të vendimit.
Mosveprimi i Kuvendit brenda një afati nuk ia transferon pushtetin ligjvënës KLGJ-së dhe KLP-së. Kushtetuta nuk parashikon që, kur Kuvendi vonohet, ligjet mund t’i miratojnë ata që kanë interes të drejtpërdrejtë financiar prej tyre.
Nëse pranohet ky arsyetim, atëherë çdo institucion që mendon se paguhet më pak mund të hartojë një tabelë të re, ta quajë “zbatim të Kushtetutës” dhe t’ia dërgojë Thesarit. Policia mund t’i caktojë vetë pagat policisë, ushtria ushtarakëve, deputetët vetes dhe administrata çdo nëpunësi. Në fund, nuk do të kishim më buxhet shteti, por një garë institucionesh për të marrë sa më shumë nga paratë publike.
Edhe vetë sjellja e Gjykatës Kushtetuese rrëzon propagandën e magjistratëve. Sipas të dhënave të bëra publike, ajo i ka depozituar listëpagesat me pagat e mëparshme dhe i ka marrë ato pa rritjen e pretenduar. Pra, institucioni që ka dhënë vendimin nuk e ka trajtuar arsyetimin e vet si një skemë të re pagash, drejtpërdrejt të ekzekutueshme nga Thesari.
Ndërkohë, dy prokurori, ato të Dibrës dhe Kukësit, kanë arritur t’i marrin pagat e rritura përpara se Thesari të bllokonte ekzekutimin. Ato kanë bërë një gabim administrativ që duhet kontrolluar dhe korrigjuar. Pagesa e kaluar gabimisht në dy degë të Thesarit është thjesht gabim dhe jo ligj i ri.
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ankohen tani se bllokimi cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e drejtësisë.
Në të vërtetë, pavarësia e drejtësisë nuk nënkupton sovranitet financiar. Të jesh i pavarur në dhënien e drejtësisë nuk do të thotë të kesh të drejtën të caktosh pagën tënde dhe t’ia imponosh atë buxhetit të shtetit.
Paga e gjyqtarit mbrohet nga Kushtetuta që të mos ulet arbitrarisht si mjet presioni politik, por ky nuk është një privilegj që mund të rritet po prej tyre në mënyrë të njëanshme. Paprekshmëria e pagës dhe vetëcaktimi i pagës janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Në këtë histori, më cinik është përdorimi si mburojë i administratës së gjykatave dhe prokurorive. Sanitarët, rojet, sekretaret dhe punonjësit e tjerë kanë mbetur pa paga, megjithëse nuk kanë asnjë lidhje me konfliktin për rritjen e pagave të magjistratëve. Ata po përdoren si pengje për t’i ushtruar presion Ministrisë së Financave që të pranojë të gjithë listëpagesën, bashkë me rritjen e paligjshme.
Thesari duhet t’i ndajë menjëherë këto dy çështje. Duhet të paguajë pa vonesë administratën dhe magjistratët sipas pagave ekzistuese të miratuara me ligj. Ndërsa diferencat e pretenduara duhet të mbeten të bllokuara deri në miratimin nga Kuvendi të një ligji të ri dhe në sigurimin e mbulimit përkatës buxhetor.
Kuvendi, nga ana tjetër, duhet të marrë përgjegjësinë e vet. Ai duhet të shqyrtojë dhe miratojë një formulë të re pagash, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe parimet e ndarjes së pushteteve, të barazisë dhe të administrimit të financave publike.
Gjyqtarët nuk kanë të drejtë të bëhen njëkohësisht paditës, gjykatës, ligjvënës, përllogaritës dhe përfitues të parave publike.
Prej vitesh, qytetarët presin në dyert e gjykatave për vendime që vonohen përtej çdo afati ligjor. Mijëra dosje mbeten të pagjykuara dhe askush nuk lejohet ta marrë vetë drejtësinë vetëm sepse gjykata nuk ka vepruar në kohë. Ata që ua nxijnë jetën miliona qytetarëve me vonesa të papërgjegjshme nuk mund të bëjnë vetëgjyqësi me paratë publike për hallin e tyre.
Bllokimi nga Thesari është mbrojtje e shtetit nga një precedent i rrezikshëm. Një pushtet që cakton vetë pagën, e interpreton vetë ligjin dhe urdhëron vetë pagesën nuk është më pushtet i pavarur.
Vërtet drejtësinë e re e kemi lënë jashtë çdo kontrolli politik dhe institucional për punën e saj, por kjo nuk do të thotë se mund të mbetet edhe jashtë çdo kontrolli financiar për pagat e saj./TemA
-
E drejte, Z. Baze, qe Gjykata Kushtetuese nuk miraton skema pagash. Por ketu mendoj se po lihet jashte nje element thelbesor i vendimit te saj dhe i pasojave juridike qe ai vendim sjell. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e dates 17.02.2026, nuk ka hartuar nje skeme te re pagash, por ka ushtruar kompetencen e saj kushtetuese duke shfuqizuar si te papajtueshme me Kushtetuten fjaline e pare te shkronjes “a” te nenit 1, si dhe piken 2 te nenit 2 te ligjit nr. 33/2023, date 25.05.2023, “Per nje ndryshim ne ligjin nr. 96/2016 Per statusin e gjyqtareve dhe prokuroreve ne Republiken e Shqiperise”, te ndryshuar. Me tej, Gjykata i ka kerkuar Kuvendit te miratoje ndryshimet ligjore te nevojshme, ne perputhje me arsyetimin e vendimit, brenda dates 31.07.2026. Madje vendimi percakton qarte se efektet e shfuqizimit hyjne ne fuqi diten e hyrjes ne fuqi te ndryshimeve ligjore dhe, ne cdo rast, jo me vone se data 31.07.2026. Dhe ketu lind pyetja kryesore: Cfare ndodh juridikisht kur Kuvendi nuk e zbaton vendimin e Gjykates Kushtetuese brenda afatit te percaktuar prej saj? Deri me 31.07.2026, Kuvendi nuk miratoi ndryshimet ligjore qe Gjykata Kushtetuese i kishte kerkuar. Per pasoje, nga data 01.08.2026 nuk mund te pretendohet se nje dispozite e shfuqizuar vazhdon te prodhoje efekte sikur te ishte ende ne fuqi. Pra, pyetja nuk eshte nese Gjykata Kushtetuese “miraton paga”. Sigurisht qe jo. Pyetja eshte shume me e thjeshte: A duhet te paguhet nje magjistrat mbi bazen e nje dispozite qe eshte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, apo mbi bazen e dispozitave ligjore qe jane aktualisht ne fuqi? Nese pas shfuqizimit te dispozites se re rikthehen ne zbatim pasojat juridike te kuadrit ligjor te meparshem, atehere kjo nuk do te thote se KLGJ apo KLP po “miratojne nje ligj te ri page”. Do te thote se po zbatohet kuadri ligjor qe rezulton i zbatueshem pas hyrjes ne fuqi te efekteve te vendimit te Gjykates Kushtetuese. Dhe ketu eshte edhe pergjegjesia e Kuvendit dhe e ekzekutivit. Nese ligjvenesi do te kishte miratuar brenda afatit ndryshimet e kerkuara nga Gjykata Kushtetuese, kjo situate nuk do te ekzistonte. Pra, nuk mund t’ua atribuojme magjistrateve pasojat e nje vakumi apo perplasjeje normative te krijuar nga mosveprimi i institucioneve qe kishin detyrimin kushtetues dhe ligjor per ta zgjidhur. Madje, do te ishte shume me problematike qe magjistratet te vazhdonin te paguheshin mbi bazen e nje dispozite qe tashme nuk ekziston juridikisht, vetem sepse dikujt nuk i pelqen pasoja financiare e zbatimit te vendimit te Gjykates Kushtetuese. Nese dikush pretendon se pagesat e kryera pas dates 01.08.2026 jane te paligjshme, atehere le te percaktoje konkretisht se cila dispozite ligjore ne fuqi i ndalon ato dhe cila eshte baza ligjore mbi te cilen duhet te llogariten pagat. Por nese sot Thesari refuzon te ekzekutoje urdherpagesat, pavaresisht se ato jane nxjerre mbi bazen e kuadrit ligjor qe konsiderohet i zbatueshem pas shfuqizimit, atehere kjo ceshtje duhet te verifikohet seriozisht. Sepse nje gje eshte debati politik apo opinioni personal mbi faktin nese magjistratet duhet te perfitojne me shume apo me pak page. Nje gje krejt tjeter eshte zbatimi i ligjit dhe i nje vendimi te Gjykates Kushtetuese. Nese ka pasur mosveprim nga funksionare te administrates publike, refuzim te pajustifikuar per ekzekutimin e urdherpagesave ose shkelje te detyrimeve funksionale, atehere duhet te hetohet nese kemi te bejme thjesht me nje mosmarreveshje administrative apo me nje pergjegjesi tjeter ligjore, perfshire edhe verifikimin e elementeve te mundshme te vepres penale te shperdorimit te detyres. Kjo, natyrisht, nuk mund te shpallet apriori, por duhet te jete objekt verifikimi nga organet kompetente nese ekzistojne indicie. Dhe ne fund, nuk duhet te harrojme nje parim themelor jemi nje vend kandidat per anetaresim ne Bashkimin Europian. Respektimi i shtetit te se drejtes nuk matet vetem kur vendimet e institucioneve na pelqejne. Ai matet sidomos kur nje vendim gjyqesor sjell pasoja qe mund te jene politikisht ose financiarisht te pakendshme. Prandaj, debati duhet te jete a po zbatohet vendimi i Gjykates Kushtetuese dhe cili eshte kuadri ligjor qe rezulton i zbatueshem pas dates 31.07.2026? Jo nese magjistratet duhet te paguhen sipas nje ligji qe tashme eshte shfuqizuar. Sepse ne nje shtet te se drejtes, askush nuk mund te zgjedhe se cilin ligj do te zbatoje sipas faktit nese pasoja financiare i pelqen apo jo.
Përgjigju










Komente
Komento