TIRANË- Mund të ishte shndërruar në një tragjedi të përmasave të mëdha, por fatmirësisht nuk ndodhi! Një autobus ka marrë flakë në ecje, duke u shkrumbuar totalisht! 13 pasagjerë kanë shpëtuar mrekullisht. Ka qenë shoferi E.J. i cili ka konstatuar tymin në pjesën e pasme të autobusit, e për pasojë ka ndaluar mjetin dhe ka hapur dyert për të zbritur pasagjerët.

 Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00,​ në Paskuqan dhe shkak ka qenë një defekt teknik në pjesën e motorit.  Report Tv sjell video nga momenti kur autobusi është në flakë. Një shtëllungë e madhe tymi u përhap në ajër, teksa zjarrfikëset kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Nga autobusi i shkrumbuar, siç mund të shihet ajo çfarë ka mbetur është vetëm skeleti.

"Më datë 06.08.2020, rreth orës 13:00,​ në Paskuqan si pasojë e një difekti teknik në pjesën e motorrit ka marrë flakë në ecje mjeti autobus me drejtues shtetasin E.J. Nga zjarri nuk ka njerëz të lënduar, ka vetëm dëmë materiale. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", njoftuar policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Djegia e autobusit në Paskuqan/ Dëshmitarja: morën flakë dhe kabllot! Kishim frikë se vinte deri te dyqanet

Një zonjë në Paskuqan ka rrëfyer momentin kur autobusi është përfshirë nga flakët. Ajo është shprehur se zjarri ka qenë i përmasave të mëdha, aq sa morën flakë edhe kabllot e dritave.

"Ishin 13, unë isha këtu kam dyqanin këtu dhe në atë momente që mori flakë dolën njerëzit se e pa shoferi dhe hapur dyer. PastaJ gjithsekush ikën se do mbronin veten e vet se kishin frikë mos kishte ndonjë bombol autobusi. Për momentin zjarrfikësja vonoi se përndryshe nuk do të kishte aq probleme. Mbaroi gjithçka. Kishim frikë se mos na merrnin dyqanet, se morën edhe kabllot e dritave", tregon ajo.