Në Shqipëri po ndërtohet më shumë se në vitin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton për 782 leje të reja të miratuara nga pushteti vendor në gjashtëmujorin e parë të vitit gati 28% më shumë se vjet, kur 61 bashkitë e vendit kishin miratuar në total 610 leje ndërtimi.

Rritja e numrit të lejeve është shoqëruar edhe me zgjerim të sipërfaqes së re të ndërtimit. Lejet e miratuara zënë rreth 684 mijë metra katrorë, nga 613 mijë metra katrorë një vit më parë.

Por pavarësisht rritjes së numrit të lejeve dhe sipërfaqes, vlera e përafërt e ndërtimeve të reja ka shënuar rënie. Në janar–qershor 2026, u përllogaritën 30.2 miliardë lekë, nga 32.2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një ulje prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 6.2%.

Pra, gjashtëmujori i parë i 2026 tregon më shumë leje dhe më shumë sipërfaqe ndërtimi, por një vlerë më të ulët të investimeve të parashikuara

Ky raport i INSTAT nuk ka të përfshira lejet e ndërtimit që japin institucionet e tjera si KKT, për kullat e mëdha apo për resortet, që kanë sipërfaqe më të madhe ndërtimore por dhe vlerë më të lartë investimi.

Ndërtimet e reja janë burimi kryesor i të ardhurave për pushtetin vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjysma e parë e viti u mbyll me 18.3 miliardë lekë të ardhura nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’, me rritje prej 12.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025.

Bashkia e Tiranës është në krye me vlerën më të madhe të të ardhurave nga kjo taksë me 12.4 miliardë lekë në 6 muaj, ndjekur nga Bashkia Himarë me 1.2 miliardë lekë, më pas është Durrësi me 841 milionë dhe më tej Kavaja me 620 milionë lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

LEJET E MIRATUARA NGA BASHKITË
Janar- Qershor 2025         610
Janar- Qershor 2026         782
Diferenca                        +172
SIPËRFAQJA E LEJEVE TË REJA
Janar- Qershor 2025         613 mijë metër²
Janar- Qershor 2026         684 mijë metër²
Diferenca                          +71 mijë metër²
VLERA E PËRAFËRT E NDËRTIMEVE TË REJA
Janar- Qershor 2025         32.2 mld lekë
Janar- Qershor 2026         30.2 mld lekë
Diferenca                             -2 mld lekë
Tabela nr.1: Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (në mijë lekë)
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja
Realizimi 6M 2026
Realizimi 6M 2025
Rritja
6M 2026-6M 2025
Bashkia Tiranë
12,467,490
2,696,517
9,770,973
Bashkia Himarë
1,211,035
301,680
909,355
Bashkia Sarandë
477,903
70,671
407,232
Bashkia Durrës
841,338
532,741
308,597
Bashkia Shkodër
327,470
20,163
307,307
Bashkia Lezhë
230,636
41,824
188,812
Bashkia Kavajë
620,046
452,584
167,462
Total pushteti vendor
18,342,610
6,142,446
12,200,164

Burimi: Drejtoria e Financave Vendore, Ministria e Financave (2026)