KURBIN - Një vit më parë djali i tij 28-vjeçar do të merrte jetën e dy vëllezërve në një lokal në qendër të Laçit, sot plumbat e hakmarrjes kthehen ndaj babait. 73-vjeçari David Piroli u ekzekutua me armë këtë mëngjes në oborrin e tij në fshatin Zhej të Kurbinit nga persona ende të paidentifikuar. Ai mbeti fillimisht i plagosur rëndë nga plumbat, por nuk mundi t'i mbijetojë plagëve dhe humbi jetën rrugës për në spital.

Plumbat që goditën të moshuarin duket se kanë lidhje me një vrasje të dyfishtë të kryer nga djali i tij, Altin Piroli një vit më parë. Kjo është edhe pista e parë për policinë, një hakmarrje e pastër.

Dyshohet se autorët e kanë ruajtur prej ditësh të moshuarin dhe sot në mëngjes ata e qëlluan për vdekje. Ndoshta edhe orari i vrasjes së 73-vjeçarit nuk është rastësi. Dy vëllezërit Andrea dhe Endri Cara u ekzekutuan nga djali i David Pirolit, Altin Piroli, mëngjesin e datës 4 mars 2014 në ambientet e lokalit të tyre, pranë stacionit të furgonave në Laç.

Policia e Laçit deklaron se po punon për të zbardhur mekanizmin e vrasjes dhe për të identifikuar dhe arrestuar autorët e këtij krimi.
 
Por cila është historia e Altin Pirolit?


Djali 28-vjeçar i Davidit, Altin Piroli mëngjesin e 4 marsit të 2014-ës vrau me breshëri arme dy vëllezërit Andrea dhe Endri Cara, 27 dhe 30 vjeç dhe plagosi dy kalimtarë të rastësishëm nga të shtënat në mënyrë të pakontrolluar jashtë lokalit.
 
Andrea Cara dhe Endri Cara
Andrea dhe Endri Cara

Dy vëllezërit, shokë me Pirolin, ishin pronarë të lokalit ku u ekzekutuan. Sipas dëshmive të asaj kohe, Piroli pretendonte se vëllezërit Cara e pengonin në rrugën e Perëndisë dhe se e tallnin dhe e shanin.  
 
“Në njërën dorë kisha librin e shenjtë të myslimanëve dhe në dorën tjetër mbaja Biblën. Mua më ka sjellë Zoti që të ndjek rrugën e perëndisë”, - ishin fjalët që Piroli do të thoshte para hetuesve që e morën në pyetje 1 vit më parë.
 
Sipas policisë Piroli rezulton të ketë probleme mendore. Megjithatë këto probleme duket se e çonin 28-vjeçarin drejt përdorimit të armës. Edhe vite më parë ai kishte plagosur djalin 13-vjeçar të xhaxhait të tij, vepër penale për të cilën kishte vuajtur dënimin me 1 vit në burgun e Shën Kollin. Kur e kreu këtë krim, Piroli tha se donte të tregonte se “ja si bëhet vrasja”.

Pas kësaj ngjarjeje, Pirolin e mbyllin në Psikiatri. Në 2006-ës, si doli nga Psikiatria me një vendim për mjekim në kushte shtëpie.
 
Policia tha në atë kokë se Piroli kishte bërë një listë me emrat e personave që do të ekzekutonte mes tyre prokuror e gjykatës, por organi i akuzës tha se letra me listën nuk është gjetur.