Gjykata e Posaçme ka dënuar 3 prej të akuzuarve të grupit prej 6 personash, që dyshohet se merrnin ryshfet kundrejt premtimeve se mund të ushtronin ndikim të funksionarët e drejtësisë për të ndryshuar masat e sigurisë.
Përpos ish-shefit të Krimeve në Tiranë, Erjon Danit, SPAK dërgoi për gjykim në 28 tetor 2025 Sokol Mashën, Musa Gjikolën, Emiljano (Millan) Roçin, Klodjan Muçën dhe Vilson Roçin.
Ndërkohë ditën e sotme, GJKKO ka dënuar tre prej të pandehurve të cilët janë Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi.
Gjikola u shpall fajtor për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, nga të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 1 vit.
Erion Dani u shpall fajtor për të njëjtën vepër penale si Gjikola në 2 episode dhe u dënua me 3 vite burg, nga të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 2 vite.
Ndërkohë edhe Vilson Roçi është shpallur fajtor për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, nga të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 1 vit.
Po ashtu GJKKO bën të ditur se llogaritja e dënimit për këta të pandehur fillon nga momenti i arrestimit të tyre më datë 11.07.2025.
Njoftimi i GJKKO:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale me nr. 177/1 procedimi të vitit 2025, ndaj të pandehurve Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, me vendimin nr. 9, datë 05.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Musa Gjikola për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim (për episodin 1), parashikuar nga neni 245/1, pg. 1 dhe 25 i Kodit Penal (sipas formulimit të dispozitës para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Musa Gjikola i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit burgim.
3. Llogaritja e dënimit për të pandehurin Musa Gjikola fillon nga momenti i arrestimit të tij më datë 11.07.2025, dhe dënimi me burgim do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erjon Dani për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (për episodin 1), parashikuar nga neni 245/1, pg. 2 i Kodit Penal (sipas formulimit të dispozitës para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erjon Dani për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (për episodin 2), parashikuar nga neni 245/1, pg. 2 i Kodit Penal (sipas formulimit të dispozitës para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erjon Dani, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti objekt akuze nuk përbën vepër penale.
7. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Erjon Dani dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vite burgim.
8. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Erjon Dani i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
9. Llogaritja e dënimit për të pandehurin Erjon Dani fillon nga momenti i arrestimit të tij më datë 11.07.2025 dhe dënimi me burgim do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
10. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vilson Roçi për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim (për episodin 2), parashikuar nga neni 245/1, pg. 1 dhe 25 i Kodit Penal (sipas formulimit të dispozitës para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
11. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vilson Roçi për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim (për episodin 3), parashikuar nga neni 245/1, pg. 1 dhe 25 i Kodit Penal (sipas formulimit të dispozitës para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
12. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Vilson Roçi dënohet me një dënim të vetëm prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
13. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Vilson Roçi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit burgim.
14. Llogaritja e dënimit për të pandehurin Vilson Roçi fillon nga momenti i arrestimit të tij më datë 11.07.2025, dhe dënimi me burgim do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
15. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K.Pr.Penale, i ngarkohen të pandehurve të cilët deklarohen fajtorë me këtë vendim, në mënyrë solidare.
16. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
17. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Tiranë, më datë 05.02.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Komente












