Mes bindjes dhe rebelimit të përjetshëm
fakte të panjohura në 4 letra të reja

Mes bindjes dhe rebelimit të përjetshëm<br />fakte të panjohura në 4 letra të reja
Në grupin e dokumentave të zbuluar kohët e fundit në arkivin e Jezuitëve, Gallarate, Itali gjinden edhe katër letra prej të cilave dallohet një letër autografe e Ndre Mjedës, shkruar në latinisht drejtuar një eprori të tij në provincën Venete të Shoqërisë së Jezuitëve. Është Mjeda i pagëzuar 17 vjet më parë në Shkodër, i cili pasi ka bërë tre vite shkollore në manastiret e Porto Re’s( Croaci), Chateau des Alleux( France), El Puig (Spanjë), Porta Coelit( Spanjë) për tu rikthyer përsëri në Porto Re.

Studenti Ndre Mjeda kërkon me anë të kësaj letre, nënshkruar në Porto Re, me 21 nëntor 1883 ti jepet leje simbas kushtetutës për të bërë tre kushtet: të bindjes së përjetshme, të dlirësisë dhe të varfërisë duke u pranuar kështu në Shoqërinë e Jezuitëve. Të bën përshtypje fakti që Mjeda posa ka hyrë në platformën e Rilindjes Kombëtare. Megjithëse në moshë shumë të re 18 vjeç, në vitin 1884 ai harton poezinë “Vllavrasësi”. Përkthimi ësht një përshtatje nga poeti i madh romantik italian Capparozzo. Me këtë rast Mjeda bëhet autori më i ri në tërë historinë e Rilindjes që hyri me një autoritet të plotë në botën e letrave shqipe.

Përmes një fabule të njohur, si dhe të vendosjes së ngjarjes në ekstremin jugor të Shqipërisë, në krahinën e Prevezës ai  problemin e integritetit kombëtar dhe atë të vllavrasjes:
O ju lugje të Prevezës!
Këtu mue zemra po m’vajton;
Te ju hana me dritë t’rrezes
Shtigjt udhtarit ia kallxon.

Mjeda edhe më vonë do të zgjedhë këtë qytet me 8000 banorë, si një nga qytetet kryesore të Shqipërisë që përfshihej nga vilajeti i Janinës, në një kohë kur qyteti i Durrësit kishte vetëm 4500 banorë, Vlora 5000 banorë. Në vilajetin e Janinës ose më mirë të themi krahinën e Camërisë përfshiheshin edhe qytete si: Parga, Margeriti, Filati, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Himara dhe Tepelena. Krahina e Camërisë ishte pjesë integrale e Shqipërisë dhe djaloshi shkodran nuk mund ta linte jashtë vëmëndjes këtë krahinë jetike për kombin tonë.

Ajo iu aneksua nga shteti grek me vendimet e konferencës së ambasadorëve. Tek odeja “Meyerling” ai do të shkruajë për Camërinë shqiptare:
N’brigje t’Camrijes sonë
Ju bje barive n’mriza
Gjamen qi ban Eliza
Era jugore.

Mjeda me anë të kësaj letre shpreh gjithë devocionin e tij të jashtëzakonshëm për t’u përfshirë në Shoqërinë e Jezuitëve, duke shprehur bindjen e tij ndaj kushtetutës së saj. Tri letrat e tjera janë të Gjeneralit të Pergjithshëm të Shoqërisë së Jezuitëve. Letra e parë e gjeneralit flet për një letërkëmbim të tij më Provincialin Atë Domenico Pasi, nga Fiesole me 13 gusht 1894. Në të vërtetë letra i drejtohet studentit të vitit të katërt të Teologjisë Andrea Mjeda, në Gorizia, che i paraprin letrës së Provincialit Cattaneo, Venedik 8 dhjetor 1895. Në kohën kur Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve shkruan letrën në 13 Gusht 1894, në manastirin e Gorizies ka ndodhur një rebelim nga poeti shqiptar Andrea Mjeda.

Me sa duket Mjeda është dënuar për këtë veprim dhe është detyruar të kërkojë ndjesë. Letra e gjeneralit karakterizohet nga një ton atëror, këshillimor. Nga letra mësojme se Mjeda është dorëzuar tek Këshilli i Moderatorëve, tek të cilët e këshillon Mjedën të ketë besim të plotë. Sepse në këtë mënyrë ai do të mund të largojë gabimet e tij duke i hyë rrugës së priftërisë me dinjitet dhe sinqeritet. Ai e këshillon të kërkojë Atin e tij Provincial që është edhe kujdestari i Mjedës, i cili së bashku me moderatorët do ta udhëheqë drejt Hyjit dhe do të ketë me bollek hire qiellore.

Letra e dytë e Gjeneralit të Përgjithshëm të Jezuitëve është një letër këmbim me Provincialin e Provincës Venete në Modena, Itali. Ai e njofton Friedl-in se nuk dyshon që drejtuesit e Provincës Venete e kanë përjashtuar Padër Andrea Mjedën për shkak të gabimeve të tij të mëdha, si edhe për vërtetësinë e tyre. Duke marrë parasysh dhe nenin IV të Dekretit “Auctis admodum” ( Rritje e konsiderueshme të gabimeve) Gjenerali i Përgjithshëm njofton se ka një arsye më shume për të përjashtuar nga shoqëria priftin në fjalë. Kjo letër nuk ka datë por duhet t’i takojnë fundit të vitit 1898.
Edhe letra e tretë që Gjenerali i dërgon Atë Domenico Pacit Provincial nga Roma, me 30 nëntor 1911 ka lidhje me Ndre Mjedën.

Gjenerali në këtë letër mban një qëndrim përbuzës ndaj Ndre Mjedës duke e quajtur me përbuzje “një farë prifti”. Ky prift mbasi kishte qëndruar në Shoqërinë Jezuite për 18 vite, ishte përjashtuar në vitin 1898 dhe tani bënte përsëri kërkesë për ripranim. Aty mësojmë se Mjeda ishte në kundërshtim me drejtuesit, por Provinciali duke pasur frikë se mos ofendohej i vëllai i tij, Emzot Lazër Mjeda Arqipeshkëv i Shkodrës, mik i madh i Jezuitëve, në se do të mohonte hyrjen në Shoqëri, kërkoi që ky mohim të mos kuptohej se vinte nga ana e tij. Përvec të tjerave mësojme se në përgjigjen negative që mori Mjeda në ripranim, kishin ndikuar edhe Dekretet e reja të Papëve, që ishin të rënda për ato që bënin kërkesa për ripranim. Që këndej mësojmë se nuk kishte asnjë mundësi që Dom Ndre Mjeda të mirëpritej megjithë famën e tij të madhe dhe sjelljet e tij të mira.

Nga këto katër letra mësojmë se Mjeda e kaloi gjithë jetën e tij mes bindjes së përjetshme dhe rebelimit të vazhdueshëm. Në aspektin e bindjes sa herë që ai u akuzua përdori disa forma si justifikimin, alibinë, rrëfimin dhe deri protestën. Ndërkohë karakteri i tij i ashpër bëri që ai herë pas here të rebelohej në mënyrë të vazhdueshme.

Përvec rasteve që zbulohen nga dokumentat që vijnë nga arkivi i Gallarates, ne po kujtojme edhe katër raste të tjera si: 1) Kujtojmë rebelimin e Mjedës ndaj alfabetit që përdornin Jezuitët në shtypshkrojën e Congregacionit të popujve në Rome, apo shtypshkronjën e Të Papërlyemes në Shkodër. 2) Kujtojmë hartimin nga Mjeda të poezive atdhetare, me përmbajtje të theksuar kombëtare që nuk kishte se si të mos përplaseshin me statusin dhe me disiplinën e brendshme të Shoqërisë së Jezuitëve. 3) Tek Shahiri Elierz botoi në vitin 1888 këngën folklorike me përmbajtje të theksuar kombëtare. Kurse në studimet shqiptare vëllimi i VI-të të Gustav Mejerit, Vjenë 1897, botoi “ Këngë historike, trimërie, mirditore”. Mjeda luftoi me pendë dhe me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj dhe katedrave të vendit.
 
Letra 1
 
Arkivi i Jezuiteve, provinca Venete Gallarate
 
(Është letër e Ndre Mjedës, e shkruar me rastin e ditelindjes së tij, drejtuar një kleriku të lartë të panjoftur. Me 21 Nëntor 1883. Nga seminari i Portu regio, në kapelën e Shën Ignatii.)
 
Hyjit te Gjithëpushtetshëm dhe të amëshuar,
 
unë Andrea Mjeda për gjithë sa thashë dhe shumë i padenjë për cdo vend, në pranine tuaj hyjnore, i devotshëm nga keqardhja dhe mëshira e pafund dhe i gatshëm për tju shërbyer kudo me dëshirë, unë i bëj kushtin Virgjëreshës Mari të shenjtë dhe kujdesit tuaj qiellor të gjithësishëm, të madhështisë suaj Hyjnore, varfërisë, dëlirësisë, bindjes së përjetshmë, në Shoqërinë e Jezuitëve: premtoj që të më merrni mua në Shoqëri për të kaluar në jetën e përjetshme, duke u bindur sipas kushtetutes së kësaj shoqërie. Pra prej mirësisë suaj të madhe dhe mëshirës së gjakut aq shumë tëheqës të Jezukrishtit në mënyrë që të mund të dënjoni të pranoni këtë flijim në emër të ëmbëlsisë, dhe në mënyrë që mund të më jepni hiret e bollshme.
 
Portu regio, në kapelën San Ignatti me 21 nëntor 1883
 
Andreas Mjedja
 
...................................................................
 
Arkivi i Jezuiteve, provinca Venete Gallarate
 
 
( Letra është e hartuar nga Atë Gjenerali i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezuitëve në Fiesole, 13 Gusht 1894, drejtuar studentit Andrea Mjeda në Gorizia. Kjo letër i drejtohet Atë Provincialit te Provincës Venete Domenico Paci SJ.)
 
Kam shqyrtuar me kujdes ndjenjat tuaja të përuljes dhe të nënshtrimit për shkak të dënimeve të drejta për të cilat ti do të dorëzohesh tek Këshilli i Moderatorëve të juaj, i gatshëm me zemër të drejtë. Me këtë rast do të shihet vullneti i sinqertë dhe i fortë i yti për të ndaluar logjikën e jetës suaj edhe për më shume ditët që vijnë, për të qenë në përputhje me normën e shenjtë, që ne dëshirojmë te kjo formë e shprehur për të filluar detyrën e lartë të priftërisë.

Vepro dhe sillu me të njëjtën përulje dhe nënshtrim, nëpërmes të cilit ti u tregove i gatshëm këto ditët e fundit, dhe që të mund të shërbesh me të njëjtin shpirt me të cilin Shoqëria e Jezuitëve të ka mësuar, kështu që të mund të bëheni sa më shumë i virtytshëm, që të mund të kthehesh bir i denjë i saj, kështu që të mund të arrish tek kjo gjë me një mënyrë më të përcaktuar, i gatshëm. Në se ndonjëherë ju injorojnë difektet për të cilët ju po i hyni priftërisë duke ju ndaluar, ti kërko Atin provincial që është kujdestari yt në përvojtim, dhe kështu mund ti hapesh në mënyrë të sinqertë dhe të caktuar.

Në të vërtetë, kështu ndryshofsh me zell e dinjitet, të dalësh duke u lartësuar me nderime të shumta. Për Provincialin, gjërat e tjera shpirtërore, ai do të tregohet i gatshëm dhe i mirë. Të jesh i sigurtë në se do të udhëhiqeni nga udhëheqësit tuaj shpirtërorë, të cilët do t’i bëjnë një falenderim Hyjit dhe do të fitosh me bollek hire qiellore. Ty të bekoj dhe do të kem në mend kur të bëj lutjet e meshës.
.................................................................
Arkivi i Jezuiteve, provinca Venete Gallarate
 
 
(Është letra e Atë Gjeneralit të Përgjithshëm drejtuar provincialit të Provincës Venete, Atë Ricardo Friedl në Modena. Mungon data por ne mendojmë që është e fundvitit 1889.)
 
Nuk dyshoj për vërtetësinë e atyre që më keni thënë për Padre Andrea Mjedën, përpara qoftë edhe tani, lidhur me përjashtimin e tij nga Shoqëria e Jezuitëve, por sidomos tani mbas nenit IV të Dekretit “Auctis admodum” (Rritje të konsiderueshme të gabimeve). Për këtë arsye unë jam i plotëfuqishëm për të vendosur për priftin lidhur me këtë gjë.
.................................................................
 
Arkivi i Jezuiteve, provinca Venete Gallarate
 
(Është letër në latinisht që Atë Gjenerali i Përgjithshëm ia dërgon nga Roma me 30 nëntor 1911 Atë Domenico Pacit Provincial)
 
Letër e Atë Gjeneralit dërguar Atë Domenico Pacit Provincial. Rome 30 nëntor 1911.
 
Nga letrat e dërguara me datën 18 të këtij muaji nga RV i cili shkruante që njëfarë prifti Andrea Mjeda i shoqërisë Jezuite, pasi kishte qëndruar aty për 18 vite, ku ishte përjashtuar në vitin 1898, përsëri i bën kërkesë kësaj shoqërie për ripranim, por duke qënë në kundërshtim me drejtuesit e provincës, duke u ndalur në shkaqet për të cilat ka qenë i përjashtuar, duke pasur frikë reverendi që të mos ofendohej vëllai i tij, Arqipeshkvi i Shkodrës, mik i madh i joni, nëqoftëse do të mohonte hyrjen në shoqëri, kërkonte pra që ky mohim të mos kuptohej se vinte nga Reverendi.
Duke qënë kështu gjërat që permendin letrat dhe vec të tjerave janë edhe dekretet e tjera të Papëve, që janë të rënda për ato që bëjnë kërkesë për t’u ripranuar nuk mund t’i jepet asnjë mundësi për tu mirëpritur përsëri, megjithë sjelljet e tij të mira, të cilat i vërteton gjykimi i Reverendit dhe i Moderatorëve.
 
Bekoj RV(…..)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit