Vizita disaorëshe në Shqipëri e Sekretares së Shtetit të SHBA, zonjës Hilari Klinton rezultoi ashtu siç ishte parashikuar: një ngjarje me rëndësi historike për shqiptarët, një moment deciziv për të përcaktuar drejtimet themelore të politikës shqiptare në vitet dhe dekadat e ardhshme. Si çdo vizitë tjetër e këtij rangu, edhe kjo e fundit pati brenda saj risi protokollare dhe sjelljeje, të cilat me simbolikën e tyre japin mesazhe të qarta politike për Shqipërinë e shqiptarët. Mesazhi i parë nga vizita e zonjës Klinton është se SHBA do të vazhdojnë të jenë aktive dhe prezente në Shqipëri dhe mbështetjen e saj ndërkombëtare.

 Thënia se “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera” do të kujtohet gjatë dhe me siguri, brezat e ardhshëm do ta kenë të theksuar edhe në tekstet shkollore, si një simbolikë kulmore për historinë tonë moderne. Ky deklarim adresohej në disa drejtime: tek qytetarët shqiptarë që duan e aspirojnë modelin amerikan të demokracisë, tek 100 vjetori i shtetit për të theksuar kohezionin tonë perëndimor, tek disa shtete të pjesës tjetër të botës që shpesh tentojnë të injektojnë një përkatësi dhe identitet të ndryshëm shqiptar në rendin e ri botëror, si dhe tek vetë politikanët vendimmarrës shqiptarë, të cilët shpesh, për interesa momenti, marrin vendime apo bëjnë akte të njëanshme politike në interes të partneriteteve të tjera, të kundërta me atë amerikan e perëndimor.

Mesazhi i dytë themelor në vizitën e zonjës Klinton ishte: SHBA nuk mbështet parti apo liderë të veçantë politikë në Shqipëri, ajo mbështet Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Për herë të parë që nga vizita e Presidentit Bush (2007) sekretaria amerikane arriti të bëjë pjesë të përbashkët të agjendës së saj të gjithë aktorët vendimmarrës politikë, ata që përfaqësohen në parlament dhe ata që më 2013 mund të sjellin ndryshime në sistemin partiak shqiptar. Të ftuarit e saj në parlament ishin personalitete politike e figura shtetërore me kontribute të veçantë në procesin demokratik apo raportet SHBA-Shqipëri, por shumica, të injoruar më parë nga protokolli zyrtar qeveritar dhe parlamentar, përfshirë edhe ai për festimet e 100 vjetorit të shtetit. Nuk pati konferencë për shtyp (praktikë e keqpërdorur shpesh gjatë tranzicionit nga politikanët tanë), pati kohë të njëjtë takimi me liderin e mazhorancës dhe atë të opozitës, nuk pati takime shtesë me drejtuesit e parlamentit apo MPJ, dhe as akte të tjera shtesë, si p.sh, në kuadër të memorialeve të ngritura natën në Tiranë apo takime në nivel lokal. Vizita ishte e nivelit të lartë, e merituar, agjenda shumë efektive dhe zgjedhja për të folur vetëm në parlament si organ përfaqësues i qytetarëve, - një mesazh i qartë distancimi nga çdo preferencë politike. Mesazhi i tretë i zonjës Klinton lidhet me sfidat e ardhshme të Shqipërisë. Sfidat në dy nivele: në atë afatshkurtër dhe afatgjatë. Në pjesën e parë ajo foli për nevojën e madhe të dialogut politik, tolerancës dhe gjithëpërfshirës në interes të Shqipërisë. Fjalia e saj se "ju vazhdoni të besoni tek vizioni juaj politik, por interesi partiak duhet të vihet mbrapa interesave kombëtare dhe kjo është detyra e udhëheqësve demokratikë" përbën thelbin e këtij mesazhi, kriterin që bën diferencën midis një politike parademokratike ballkanike dhe një lidership-i moral dhe udhëheqjes demokratike.
Këshilla e dytë thelbësore e saj lidhej me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Klinton kujtoi se ato nuk janë thjesht "zgjedhje" por janë sfidë "thelbësore për konsolidimin e demokracinë e përhershme". Klinton kërkoi zgjedhje të hapura dhe balancuara, test pozitiv që të provojmë se "demokracia dhe sistemi politik në Shqipëri funksionon", dhe që qytetarët të fitojnë besimin e lëkundur tek institucioni i zgjedhjeve. Pjesa e tretë e këshillës amerikane lidhej me shtetin e së drejtës, mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit. Klinton u ndal në nevojën e rregullit dhe zbatimit të ligjit, në nevojën për institucione të forta dhe sistem juridik të pavarur, në nevojën që qytetarët të kontrollojnë udhëheqësit e tyre politikë, dhe punë konsensuale për reformat. Ajo u ndal veças në sfidën e luftës ndaj korrupsionit, duke theksuar se ai korrupsioni "është një kancer që kërcënon shoqërinë. Ai mbron udhëheqësit që nuk kanë vlera morale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre".
Në një plan më rajonal sekretaria Klinton nxiti politikën dhe shtetin shqiptar të kenë një rol aktiv dialogu, partneriteti dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet fqinje, si dhe për të promovuar pjesë pozitive të modelit shqiptar, siç është toleranca fetare. Deklaratat e saj se Shqipëria ka potencialin për tu bërë një model jo vetëm për rajonin apo se SHBA dëshiron progres më të madhe ekonomik, cilësi më të lartë jetesë, etj, duke nënvizuar në çdo rast se SHBA ju asiston por vetë shqiptarët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për zgjidhjen e sfidave të tyre të ardhshme, të kuptojnë këshillin e Presidentit Bill Klinton në Prishtinë: ne fituam luftën, ju fitoni paqen". Edhe zonja Klinton përcolli mesazh të njëjtë: ne jemi pranë jush por ju vetë punoni për veten tuaj, për interesat madhorë të vendit tuaj, për Shqipërinë.
Me këto mesazhe dhe bilanc diplomatik vizita e zonjës Klinton u mbyll duke arritur ndofta pikën më kulmore të raportit të faktorit ndërkombëtar në 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Një dhuratë amerikane për 100 vjetorin, por edhe një vizion miqësor dhe largpamës amerikan për sfidat tona në 100 vitet e ardhshme. Me mbarimin e vizitës ne këtu bëjmë reagimet, vlerësimet dhe bilancet. Nuk munguan as dje, nuk do mungojnë as sot, as në javët e ardhshme dhe me siguri as në fushatën e ardhshme elektorale. Sepse dje palët kryesore politike reaguan direkt (deklarata zyrtare) apo indirekt (burime pro palëve, media pro tyre apo rrjete sociale) duke përsëritur sëmundjet e përhershme të politikës tonë; - pafuqitë e sjelljes qytetare, të përgjegjshme dhe vizionare. Ato shprehën të njëjtat qëndrime si edhe më parë, vrapuan pas frazave të veçuara e preferenciale në fjalim, duke nënkuptuar të gjitha përgjegjësitë tek pala tjetër, - pra duke mos dëgjuar, mësuar dhe reflektuar asgjë nga vizita, takimet dhe mesazhet e sekretares Klinton.
Kjo është ajo që nuk duhej të ndodhte. Përkundrazi. Prej politikës pritet e kundërta, reflektimi dhe një fazë e re ndryshimi sjelljeje, veprimi dhe rezultati. Një sinjal skeptik në vendin e shqiponjave, ku në pragvizitë po grindeshim për dy festime paralele të pavarësisë, dhe ku pas vizitës nuk ka asnjë garanci se palët nuk e kanë 24 mendjen vetëm aty ku buron fuqia e tyre; - tek pazaret dhe skenarët e përfitimit maksimal zgjedhor, pra në pafuqinë qytetare dhe civile për të votuar, për të bërë zgjedhje dhe marrë vendimet më të mira, për të pasur institucione të forta e liderë të zakonshëm politikë, pra udhëheqje demokratike dhe demokraci funksionale.
Dje në fjalët e saj zonja Klinton vazhdimisht theksoi: "besoj, shpresoj, duhet"…dhe ky lloj komunikimi u drejtohet qytetarëve, shoqërisë dhe politikanëve, - të parëve për tu qëndruar pranë dhe për ti nxitur, të dytëve për tu kujtuar detyrimet dhe përgjegjësitë. Testi është për ne, sepse është koha që Shqipëria politike ta meritojë ofertën dhe nderimin më të veçantë, edhe 100 vjet shtet mik e partner me shtetin më demokratik të botës, SHBA.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)