TIRANË- Është bërë e përditshme një mesazh mëngjesi optimist, një lutje për të respektuar rregullat dhe disa këshilla nga mjeku infeksionist Tritan Kalo.
Sot ai ka zgjedhur që të kthejë vëmendjen nga bluzat e bardha, heronjtë të kësaj dite dhe një lutje për qytetarët që të respektojnë rregullat për të mbrojtur veten, por edhe për të vënë sa më pak në rrezik jetën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit që punojnë në spitale. 9 mjekë janë infektuar me koronavirus në Shqipëri, 8 prej të cilëve nga një pacient që e fshehu se ishte infektuar, dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodh, për këtë, Kalo citon profesor Përparim Kabo I cili thotë “Kur vdes një njeri vdes një jetë, kur vdes një mjek vdesin qindra jetë”.
Ai ka paralajmëruar se pandemia në ditët në vijim do të përshpejtohet, megjithatë ka bërë me dije se Shqipëria nuk po bën asgjë më pak se çfarë kanë bërë shtetet e tjera në luftën ndaj koronavirusit. Testimi, izolimi dhe gjurmimi i karantimit të çdo personi të kontaktit të ngushtë është rruga që po ndiqen botërisht , edhe nga vendi ynë.
“Kemi ende ditë të vështira para nesh. “Pandemia po përshpejtohet”, ndaj duhet vijuar me “1- testimin e çdo rasti të dyshimtë, 2- izolimin dhe përkujdesjen për çdo rast të konfirmuar dhe, 3- gjurmimin e karantinimin e çdo personi të kontaktit të ngushtë.” Rikëshilloi dje më 23 Mars 2020 Tedros Adhanom Ghebreyesus, Shefi i OBSH/ËHO, si tre nga masat më efikase të kontrollimit të Pandemisë Covid-19, krahas distancimit social, higjienës, ushqyerjes, etj. Në në Shqipëri nuk po bëjmë asgjë më pak dhe asgjë më shumë se kaq. Së bashku dhe në mirëkuptim maksimal do të mundemi t'ia dalim përballjes me vrastarin e tinëzarin Covid-19. Politikat e mëdha, militantizmin e verbër, gjithëdijësinë, protagonizmin e vanitetin delirant, gojëdhidhësinë dhe gjysmëdijenitë analfabetiko-funksionale, le t’i lëmë për t’i shpalosur pasi ta kemi fituar këtë betejë. T'u bëhemi krah me qëndrimet e veprimet tona racionale të gjithë personelit mjekësor, që në vijën e parë të frontit përballet me këtë “armik të padukshëm jetëmarrës”. Të qëndrojmë në mjediset tona, kur nuk kemi asnjë arsye ekzistencialiste për t'ju ekspozuar Sars-Cov-2. Mbrojmë veten dhe njëkohësisht vëmë edhe më pak në rrezik jetët e mjekëve, infermierëve, imazheristëve, farmacistëve, laborantëve, administratorëve, sanitareve, shoferëve, teknikëve të mirëmbajtjes, barrelistëve, koordinatoreve, policëve e ushtarakëve, etj, të cilët përkujdesen për të sëmurët me Covid-19 në spitale dhe ambulatorisht Prof. Përparim Kabo thelbësisht qartazi shprehet se: “Kur vdes një njeri vdes një jetë, kur vdes një mjek vdesin qindra jetë”..Ju duam dhe ju respektojmë. Përkujdesemi dhe do të përkujdesemi për ju në çdo minutë, me vetëmohim e profesionalizëm shembullor. Kurrë mos harroni se ne jemi motrat, vëllezërit, bijat e bijtë tuaj, ndaj edhe ju duhet të na dëgjoni dhe të na respektoni. Bashkë me mendjekthjelltësi e zemërbardhësi ne do t'ia dalim mbanë”, shkruan Kabo.